Globi

Putin e krahason veten me Pjetrin e Madh, thotë se do të rindërtojë Perandorinë Ruse

Shkruar nga Liberale

Admirimi i Vladimir Putinit për Pjetrin e Madh është i njohur prej kohësh. Por, tashmë ai e ka krahasuar hapur veten me carin rus, duke e barazuar pushtimin rus të Ukrainës me luftërat ekspansioniste të Pjetrit, rreth tre shekuj më parë, dhe duke pranuar se lufta e tij është për zgjerimin e territorit.

Ambiciet e dukshme të Putinit për të ndërtuar perandori, kanë acaruar fqinjët e tjerë, përfshirë Estoninë, e cila i quajti komentet e tij "plotësisht të papranueshme".

Presidenti rus po takonte dia shkencëtarë dhe sipërmarrës të rinj kur bëri komentet. Para se të fliste për zhvillimin e teknologjisë, ai foli për politikën dhe fuqinë, betejën e re për dominimin gjeopolitik. Para audiencës së tij të zgjedhur, Putin deklaroi se Pjetri i Madh ishte një model.

"Ju mund të mendoni se ai po luftonte me Suedinë, duke rrëmbyer tokat e tyre," tha Putin, duke iu referuar Luftërave Veriore që cari nisi në kapërcyell të shekullit të 18-të, ndërsa ai farkëtoi një Perandori të re Ruse.

"Por ai nuk pushtoi asgjë, ai e rikuperoi!" tha ai, duke argumentuar se sllavët kishin jetuar në këtë zonë me shekuj.

“Duket se na ka rënë edhe neve që të rikuperojmë dhe forcojmë”, përfundoi Putin, me një buzëqeshje gati-gati që nuk linte asnjë dyshim, se ai i referohej Ukrainës dhe qëllimeve të tij atje. Sundimi i Pjetrit, sugjeroi ai, ishte provë se zgjerimi i Rusisë e kishte forcuar atë.

Kohët e fundit, Putin e ka përmendur shpesh të kaluarën e Rusisë, duke u treguar i kujdesshëm që të jetë në përputhje me kauzën e tij të sotme. Disa muaj përpara se të sulmonte Ukrainën, ai publikoi një ese gjigante në të cilën ai argumentoi të drejtën historike të vendit për të ekzistuar.

Kur Rusia pushtoi fqinjin e saj më 24 shkurt, Putin pretendoi në mënyrë të rreme se ishte një "operacion special" i kufizuar në rajonin lindor të Donbasit për të "denazifikuar" Ukrainën dhe për të zvogëluar kërcënimin e supozuar ndaj Rusisë.

Ndërsa ai po shqiptonte ato fjalë, trupat e tij po lëviznin në Kiev dhe po bombardonin tokën edhe më në perëndim. Më shumë se 100 ditë më vonë, një e pesta e territorit ukrainas është nën kontrollin ushtarak rus, me administrata kukull që flasin për referendume për bashkimin me Rusinë.

Dhe tani Putin ndihet mjaft i guximshëm për të pranuar se "operacioni" i tij është në fakt një pushtim.

Ai beson se Perëndimi do të pranojë përfundimisht realitetin që trupat e tij po luftojnë për të krijuar në terren.

Komentet e tij kanë tronditur gjithashtu vendet baltike. Ministria e Jashtme e Estonisë thirri ambasadorin rus për të dënuar deklaratën e Putin për sulmin e Pjetrit të Madh ndaj Narvës.

Pjetri i Madh, ndonëse një autokrat i pamëshirshëm, ishte një admirues i madh i ideve, shkencës dhe kulturës perëndimore, duke ndërtuar famën në Shën Petersburg si një "dritare e Evropës", dhe duke udhëtuar në atë kontinent, i etur për njohuri dhe për të ndihmuar tërheqjen e Rusisë drejt modernitetit./Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH