Departamenti i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, në bashkëpunim me Zyrën e Projekteve organizuan UET Info Day, rreth programit të përbashkët të Masterit PoSIG.
Studentët që kanë mbaruar, ose janë në mbyllje të ciklit bachelor për Shkenca Politike, ose Marrëdhënie Ndërkombëtare, tashmë kanë një mundësi të mirë për karrierën e tyre, duke zgjedhur një master ndërkombëtar. Ky master financohet nga Bashkimi Europian dhe mundëson ndjekjen e një viti studimi në Universitetin e Salzburgut, në Austri.
Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Sociale të Aplikuara, Ervis Iljazaj dhe drejtuesja e Zyrës së Projekteve në UET, Ines Troshani, informuan studentët mbi këtë mundësi që iu ofrohet, mënyrën sesi duhet të aplikojnë, përfitimet që kanë, si dhe mundësitë e punësimit në të ardhmen.
Iljazaj tregoi për studentët, se ky master vjen në kuadër të një projekti të përbashkët nga disa universitete, ku UET është pjesë e tij, ndërsa lider është Universiteti i Salsburgut. Sipas Iljazajt, ky master në “Integrimi dhe Qeverisja”, ka një kurrikul cilësore dhe vjen në një moment shumë të mirë, që përkon me gjendjen aktuale ku ndodhet Shqipëria, si vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
“Ftoj gjithë studentët e departamentit tonë që ta shikojnë si mundësi, pasi është një mundësi shumë e mirë, aq më tepër që Shqipëria gjendet në proceset e integrimit evropian dhe ky master formon studentët me njohuri në këtë fushë, qeverisjen që duhet të ndjekin vendet anëtarë të BE, apo edhe ata që janë kandidatë për anëtarësim, siç është edhe Shqipëria. Në këtë kuptim, është një master që ofron punësim në të ardhmen. Masteri iu ofron gjithë instrumentet studentëve, me literaturën nga më të mirat që ekziston, me kurrikulat e përditësuara, duke u përputhur me tregun e punës”, tha Iljazaj.
Drejtuesja e Zyrës së Projekteve, Ines Troshani tha se një nga projektet strategjike të UET-së, është ndërkombëtarizimi, dhe në këtë kuadër ky universitet është bërë pjesë e shumë projekteve, një prej të cilave ka qenë Erasmus+.
“Me zyrën e projekteve, të themeluar prej vitesh, UET që nga 2015 është pjesë e Erasmus+, që ka për qëllim të ngrejë kapacitetet e stafeve dhe studentëve në fushën e arsimit të lartë. Ka qenë pjesë e shumë projekteve, siç është edhe Euro PS, i cili ka mbaruar para 3 viteve. Një nga outputet kryesore ka qenë dizenjimi i një masteri të përbashkët, në shkenca politike, integrim dhe qeverisje, apo masteri PoSIG, i cili vijon akoma.
Masteri PoSIG është i akredituar nga Agjencia Austriake e Cilësisë, si dhe nga agjencia përkatëse në Shqipëri dhe është një kombinim shumë i mirë i standardeve euorpiane me ato të Ballkanit Perëndimor.
Thirrja e parë për t’u bërë pjesë e këtij masteri është lançuar në 2017 dhe deri më sot ka pasur 5 përfitues, të cilët kanë finalizuar një vit shkëmbimi në Universitetin e Salzburgut dhe me përmbylljen e vitit të dytë të studimeve në UET. Thirrja e fundit është mbyllur në fund të majit. Thirrja e re do të lançohet në janar të 2022”, tha Troshani.
Aplikimi për masterin PoSIG
Studentët e interesuar duhet të hyjnë në web-in posig.uet.edu.al dhe të krijojnë një llogari dhe më pas mund të aksesojnë një formular apoliki me të dhënat personale, duke ngarkuar edhe dokumentet e tjera shtesë që kërkohen.
Dokumentet që kërkohen
- Diplomë dhe listë note të përkthyer dhe noterizuar në gjuhën angleze;
- CV, formati europass, në anglisht;
- Dy letra reference që mund të merren nga profesorë, punëdhënës, apo persona të tjerë që mund të rekomandojnë ndjekjen e universitetit
- Mbrojtja e anglishtes, nëpërmjet një prej provimeve të certifikuara të gjuhës angleze, Toefl, Aptis, Ielts, në nivelin B2.
Procesi i regjistrimit ka një pagesë prej 45 euro
Marrja e bursës
Nëse një student shpallet fitues dhe pranohet në këtë program, atij i akordohet një bursë, e cila përfshin një kompesim mujor prej 850 eurosh që jepet nga BE, si dhe kompensime për shpenzimet e udhëtimit, prej 275 euro.
Pas mbarimit të vitit të parë të studimeve, studenti pajiset me një listë notash, e cila dorëzohet në Departamentin e Shkencave Sociale të Aplikuara në UET, ku lëndët njihen automatikisht dhe konvertohen. Studentët e ndjekin vitin e dytë në UET.
Në përfundim të studimeve, ata marrin një diplomë, e cila njihet në gjithë Europën dhe ka vlerën e një diplome austriake, si dhe është akredituar në të gjithë shtetet e BE.