Editorial

Pse Rama po luan për dy skenarë

Shkruar nga Liberale
Pse Rama po luan për dy skenarë

Shpendi Gashi

Periudha 8 vjeçare në krye të qeverisë është një kohë relativisht e gjatë. Koha vetë të konsumon, aq më tepër ngjarjet e shumta dhe dinamikat e ndryshme sikundër kanë ndodhur gjatë kohëve.

Pas gjithë bilancit qeveritar, Rama vjen edhe njëherë përpara qytetarëve e u kërkon ta mandatojnë edhe njëherë për vazhdimin e punëve në krye të vendit. Këtë kërkesë nuk e kërkon në kuadrin e arritjes personale, por si një borxh që ai dhe ndjekësit e tij i kanë Shqipërisë, duke proklamuar kështu një atdhetarizëm nivel para excellence.

Nga të dy pretendentët kryesorë për kryeministër, pozitat e Ramës janë më komode. Përpos faktit se nuk ka mbi vete presionin e fitores si të vetmen rrugëzgjidhje sikundër kundërshtari politik, ka edhe mbështetjen e partisë me gjithë strukturat e saj të brendshme. Është mëse e freskët mënyra sesi Rama konsolidoi pozitat e veta brenda PS-së. Në mos nuk do e injorojë statusin e brendshëm organik të PS-së si më parë, patjetër që mund të zhvillohet një garë "e lirë" e çertifikuar edhe juridikisht, e cila do t'i mundësojë zgjatjen përsëri të kryesimit. Në asnjë mënyrë ai nuk e ka perfolur rastin e humbjes, por në mënyre te vazhdueshme Rama le të kuptohet qartë se ai është ndoshta në stadin më të pjekur të jetës së vetë politike, i cili përkon edhe me kulmin e saj, ndërsa pensioni pritet të jetë shumë i largët.

Ndryshe nga çfarë jemi mësuar të dëgjojmë, gjatë një interviste në qytetin e Durrësit të zhvilluar nga Televizioni News 24, Kryeministri ka deklaruar ndoshta për të parën herë se në rastin e humbjes dorëheqja do ishte e parevokueshme. Ky artikulim atipik nuk i konvenon një karakteri si Ramës.

Padyshim që ka ngjallur shumë diskutime dhe besoj se ky është edhe vetë qëllimi përfundimtar, të bëjë njerëzit të merren me një deklaratë e cila në vetvete është gjëja më normale, se pas qëndrimit shumëvjeçar në pushtet vjen një kohë që cikli mbaron dhe të vendosin jo duke u bazuar në bilanc, program apo diçka tjetër më afër empirikes, por në varësi të sensacioneve që të krijon figura e vetë Edi Ramës.

Në cdo rast kryeministri lufton me të gjitha forcat për fitore, nëse humbja do ishte një opsion i mirëpranuar lufta s’do ishte kaq e ashpër. Në anë tjetër edhe nëse dorëheqja do ishte opsion i detyruar, duke ditur se pozicionin e kryetarit të partisë nuk ia cënon dot askush, atëherë delegimi tek një person lehtësisht i kontrollueshëm do ishte një taktikë shumë e mirë për të pasur po prapë kontrollin e plotë mbi partinë..

Kryeministri Rama luan me dy skenarë. Ose synon konfirmim për mandat të tretë ose pranon të jetë në opozitë si një ‘’dorë e fshehtë’’kundër  një qeverie të dobët shumë dhe me nundësi shumë të pakta reale për të bërë mirë në vitet e para.

Kush e njeh karakterin e Ramës e di që opozita nuk e tremb, fundja gjithë mandatin e parë e ka kaluar në opozitë me opozitën mazhorancë të dikurshme.

Po të shikohet me vëmendje ka një lloj mospërputhje mes deklaratës dhe sjelljes politike në fushatë, e cila përforcon arsyetimin se deklarata është një strategji tjetër e hedhur në tregun e madh elektoral, pasi sjellja po tregon të kundërtën.

Në radhë të parë, elektoratit po i tregon se është Titani i Pamposhtur, Kudo vetëm figura e tij dhe arritjet e qeverisë. Është në çdo vend ku mund të marketohet diçka apo një projekt. Gjithmonë karizmatik, satirik dhe me një prepotencë kryeministrore drejtohet përpara kamerave duke iu drejtuar kështu qytetarëve me arsenal sugjestionues që ka, monologjet e gjata. Në mënyrë të tërthortë lë të nënkuptohet se nuk ka asnjë dobësi në garim, për të mos thënë që është më energjik dhe inteligjent se pala tjetër. Me këtë sjellje politike Kryeministri arrin të krijojë bindjen se është i pathyeshëm dhe se e ka në xhep fitoren. Kjo mënyrë e të bërit fushatë dhe kjo ĺloj sjellje e Ramës e kalon në ekstazë elektoratin e majtë dhe i rekruton nën bindjen e plotë për t'i pasur gati për betejën e 25 Prillit.

Në radhë të dytë, kundërshtarëve vazhdon t’u kallë datën. Anatemimi i përditshëm, vënia e gishtit në plagët e të kaluarës, diskretitimi i ‘’fosileve politike’’sikundër etikon Kryeministri Sali Berishën apo Ilir Metën, jo pak e turbullojnë opozitën. Trauma më e madhe që u shkaktohet në realitet nuk vjen si pasojë e diskurit negativist, porse nga fakti i fuqisë reale që zotëron qeveria. Alenca që ka me qëndrat gravitacionale të pushtetit gri si marrëdhënia e afërt me biznesmenët e fuqishëm të cilët quhen rëndom edhe oligarkë, resurset monetare që të garanton pushteti apo edhe aksesimi absolut në media janë muskujt që përdoren në mejdan. Rama vazhdon të shpalosë sa më shumë herë sa ka mundësi prepotencën e bazuar në fuqinë reale që ka: 61 bashkitë, agjensitë shtetërore, aksesin nëpër drejtorira dhe në baza të ndryshme.

Efekti që këto skenare sjellin në opinionin publik dëmtojnë shumë opozitën dhe rezultatin e zgjedhjeve. Edhe pse qytetarët mund të mos e duan, krijojnë bindjen se nuk e zëvendësojnë dot. Një pjesë e madhe e atyre që krijojnë këtë bindje, për faktin se qeverinë nuk e votojnë në asnjë rast, e nxjerrin votën të pavlefshme. Vota e pavlefshme është në favor të mazhorancës.

Së fundmi, vërehet një anatemim në kufijtë e një ‘’eleminimi’’ apo spostimi kundër rivalëve realë, hipotetikë apo potencialë brenda llojit duke inskenuar kështu një spastrim gjithëpërfshirës duke prekur edhe disa figura shumë të paprekshme në dukje. Ky mesazh u dha që prej fillimit të fushatës me pozicionimin apo edhe me mospozicionimin fare në listat e kandidatëve. Pasi ‘’kanibalizmi’’, i cili është shumë i njohur si praktikë në historinë njerëzore, u ezaurua klinikisht shpejt, shërbeu si mësim i mirë për pjesën tjetër të mbetur, se struktura e brendshme është akoma më piramidale se më parë dhe se atributet vlerësohen në bazë të raportit që ke me kryesinë.

Sikundër atyre që u përfolën si "pasardhës" të tij u tregoi se ku mund të përfundojnë me vetëm një të rënë të lapsit. Aq efekt u pa të kishte kjo "shkulje veshi", sa që në do rast që kanë mundësi, ithatarët besnikë e shkrijnë në një të vetme fytyrën e Ramës me Partinë Socialiste, aq sa edhe në momentin kur pyeten nga gazetarë të ndryshëm për faktin se kush do jetë pasardhësi i Ramës në rast humbje, përgjigjet janë unisone me emëruesin e përbashkët se Edi Rama do vazhdojë të jetë Kryeministër. Ndryshe nuk mund të jetë.

Në cdo qytet, fshat apo krahine ku shkohet për takim me elektoratin e u jepen direktiva shtabeve, thurja e lavdeve ndaj figurës së Kryeministrit po kalon në formën e mitizimit të një simbolike, e cila e nxjerr Edi Ramën si jetik për gjithë kontekstin që po jetohet.

Lufta për pushtet pjell një larmishmëri taktikash! /Gazeta Liberale

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH