Me kërkesë të SPAK, në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, deputetët e mazhorancës deklaruan se janë dakord për t'i hequr imunitetin deputetit socialist Arben Ahmetaj.
Mazhoranca dhe opozita janë shprehur pro heqjes së imunitetit të deputetit Arben Ahmetaj, për t’i hapur rrugë arrestimit që kërkon SPAK dhe kontrollit të banesës së tij.
Edhe 5 deputetët e opozitës në këtë këshill dorëzuan raportin që i rekomandojnë seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votojë për miratimin e dhënies së autorizimit, të kërkuar me kërkesën nr. 9431 Prot., datë 07.07.2023 të Prokurorisë së Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar “Për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë, kontrollin personal dhe kontrollin e banesës së deputetit Arben Ahmetaj”.
Pas dhënies së pëlqimit nga Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit në Kuvendin e Shqipërisë, relacionet do të kalojnë të hënën për votim në Parlament, ku deputetët do të duhet të ngrenë kartonët për të miratuar ose jo heqjen e imunitetit të deputetit Arben Ahmetaj.
Opozita kërkoi që kërkesa për arrestimin e Ahmetaj të kalonte nesër për votim.
Nuk dihet nëse dhe PS dhe PD do të dalin me një raport të përbashkët apo raporte të ndara, por të dy palët kanë dhënë autorizimin për arrestimin e deputetit Ahmetaj.
Më parë avokatët e Ahmetajt në një deklaratë për mediat pas daljes nga Këshilli i Mandateve, thanë se nuk shohin asnjë fakt se përse duhet të arrestohet Ahmetaj dhe përse është bërë kontroll në banesën e tij.