Aktualitet

PROFIL/ Arben Ahmetaj "buzë" arrestimit

Shkruar nga Liberale
PROFIL/ Arben Ahmetaj "buzë" arrestimit

Në fillimet e karrierës së tij në politikë Arben Ahmetaj ra në sy përballë ish-kreut të demokratëve, Lulzim Basha, atëherë kur garoi në vitin 2005 përballë tij në sistemin mazhoritar në njësinë numër 7-të në Tiranë. Edhe pse i mundur në këtë garë, Ahmetaj u vlerësua shumë nga socialistët. Pastaj, vetëm 4 vite më vonë ai u zgjodh deputet në qarkun e Korçës. Nga ajo ditë e deri më sot, Ahmetaj ka qenë pjesë përbërëse e Grupit Parlamentar socialist. Rritja e tij erdhi graduale si brenda PS-së, ashtu edhe brenda Qeverisë.

Në periudhën 2013-2016, ai mbajti postin e ministrit të  Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Prej shkurtit të vitit 2016 deri në janar 2019-ës, ai mori në dorë financat e shqiptarëve. Prej dhjetorit 2019 mori rolin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, ndërsa ushtroi dhe funksionin e zëvendëskryeministrit.

Jeta politike e ish numrit dy të qeverisë socialiste ka qenë e rrethuar me hije akuzash nga opozita shqiptare dhe jo vetëm.

Nga opozita ai do të akuzohej shpesh “për takimet e tij” me të kërkuarin e drejtësisë për çështjen e inceneratorëve, Klodian Zoto. Akuzat do të mohoheshin nga Ahmetaj në dëshminë e tij dhënë në Komisionin Hetimor. Mirëpo, denoncimeve të vazhdueshme të opozitës iu shtuan edhe ato të drejtësisë. Pasi e shënjestruan nëntë muaj më parë për inceneratorin e Elbasanit, sot, sipas dosjes së SPAK e publikuar në media, mësohet se institucioni ka mbledhur prova që tregojnë se ish-ministri i Financave në gjashtë raste ka kryer korrupsion.

Shembulli më korruptiv dhe flagrant lidhet me gjurmët e mbetura në kompjuterin e Klodian Zotos, një i kërkuar dhe i akuzuar për inceneratorët i cili dyshohet se i pagoi udhëtime në disa shtete, atij dhe bashkëshortes. Pesë rastet e tjera të korrupsionit mbahen sekret nga SPAK pasi ka edhe persona të tjerë nën hetim. Në letër-porositë e ndërkombëtarëve por edhe llogaritë bankare SPAK thotë se nga udhëtimet, Arben Ahmetaj përfitoi 34 mijë euro.

Akuza tjetër lidhet me fshehjen e pasurisë, dhe hetimi bazohet në sekuestrimin preventiv ndaj dy vilave, njëra në Palasë dhe tjetra në Hamallaj.

Mediat, por edhe burimet jo zyrtare nga prokuroria flasin se janë mbledhur fatura dhe janë pyetur disa biznesmenë në fushën e arredimit, nga të cilët bëhet me dije se kanë treguar emrin e ish funksionarit.

Akuza e tretë për të cilën kërkohet lënia e mandatit të deputetit gjë e cila do të sillte masë sigurie në gjykatën e posaçme, lidhet me një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave në bashkëpunim, të fituara sipas SPAK nga korrupsioni.

Qëndrimi në krah të Edi Ramës ka dhënë gjithnjë përshtypjen se Ahmetaj është një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit, si figurë e kabinetit Qeveritar do të mbahet mend si ministër i menaxhimit të krizave, përkatësisht tërmetit, COVID-19 dhe energjisë. Ai ka menaxhuar fondet e shtetit dhe të Bashkimit Europian për procesin e rindërtimit në Shqipëri.

Sa i takon energjisë, pak përpara se të shkarkohej, Ahmetaj deklaroi se 30 milionë euro do të përdoren për përmirësimin e rrjetit të energjisë elektrike në veriun e Shqipërisë.

Megjithatë, kjo rrugë e tij u ndërpre nga një vendim i kryeministrit Rama, duke arsyetuar se një vendim i tillë është thjesht një cikël dhe nuk ka asnjë arsye pas tij.

Në politikë gjithçka mund të ndryshojë shumë shpejt dhe, jo vetëm prioritetet. Ahmetaj me shumë gjasa e ka përfunduar -një herë e mirë- misionin e tij në politikë, duke nisur përballjen me drejtësinë./(R.D) Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH