Ekonomi

Problemet sociale dhe të drejtat e njeriut

Shkruar nga Liberale

Fatos Tarifa, PhD

Ç’janë problemet sociale?

Cilat probleme konsiderohen probleme sociale?

Nëse do të jepnim një përkufizim tepër të përgjithshëm se ç’është një problem social, mund të mjaftoheshim të thoshim, se një problem social është i ndryshëm nga një problem personal, të cilin nuk e përjetojnë individë të tjerë përveç nesh. C. Wright Mills ([1959] 2000) vinte në dukje, sidoqoftë, se një problem personal mund të jetë, gjithashtu, edhe një problem social, nëse kushte të caktuara shoqërore bëjnë që edhe individë të tjerë ta përjetojnë atë, si një problem personal të tyre. Për shembull, shumë individë apo familje e përjetojnë varfërinë ekonomike si një problem personal apo familjar, por të gjithë ata janë pjesë e një mënyre organizimi ekonomik të shoqërisë dhe e një strukture sociale që krijojnë papunësi (ibid.). Prej këtej rrjedh se, për të gjykuar nëse një dukuri e caktuar përbën apo jo një problem social, duhet vlerësuar në se problemet personale të njerëzve janë të lidhura me-dhe të kushtëzuara nga-kushtet e përgjithshme objektive të shoqërisë. Sociologët amerikanë Richard Fuller dhe Richard Myers, në një artikull ndër më të cituarit, i titulluar “Historia natyrore e një problemi social”, botuar në American Sociological Review rreth 70 vjet më parë, vinin në dukje se “problemet sociale kanë në vetvete elemente objektive” (Fuller & Myers 1941: 320). Kjo, sipas tyre, do të thotë se problemet sociale mund të evidentohen dhe të “maten” empirikisht. Për shembull, nëse të dhënat empirike tregojnë se familje apo shtresa të varfra të popullsisë kanë të ardhura të pakta, kushte strehimi të pakënaqshme dhe një cilësi jetese më të ulët, krahasuar me familjet apo shtresat jo të varfra, kjo do të thotë se një problem i tillë social, siç është varfëria, përveç elementit subjektiv, të shprehur në perceptimet dhe përjetimet tona individuale, përmban në vetvete edhe një element objektiv. Shumë probleme sociale konsiderohen të tilla për shoqërinë në përgjithësi, fjala vjen, papunësia, varfëria ekonomike, diskriminimi racial, etnik apo fetar, pabarazia gjinore, krimi, etj. Kjo, sidoqoftë, nuk do të thotë se vetëm ato dukuri, të cilat konsiderohen si probleme sociale nga e gjithë shoqëria, janë probleme sociale. Në çdo shoqëri të dhënë ekzistojnë kushte të caktuara shoqërore, të cilat subjektivizohen dhe përjetohen si probleme sociale nga grupe shoqërore, ose nga komunitete të caktuara. Kjo do të thotë se, problemet sociale presupozojnë ekzistencën e dy faktorëve:

(a) të një faktori objektiv, me çka kuptojmë një aspekt të jetës shoqërore, i cili ekziston pavarësisht dëshirave tona dhe që mund të vlerësohet dhe “matet” empirikisht dhe

(b) të një faktori subjektiv, me çka kuptojmë preokupimin e një mase të konsiderueshme njerëzish për atë aspekt të jetës shoqërore dhe dëshirën e tyre për ta ndryshuar atë (Henslin 2008: 6). Identifikimi i kushteve të caktuara shoqërore si një problem social ka të bëjë, pra, me faktin që ne, si individë të veçantë, gjykojmë se diçka nuk shkon mirë në shoqëri dhe prandaj duhet ndryshuar. Kur flasim për probleme sociale, me këtë kuptojmë, së pari, se kushte të caktuara shoqërore shkaktojnë probleme personale për anëtarë të caktuar të shoqërisë; së dyti, se problemet sociale mund të jenë lokale, pra mund të ndeshen në një komunitet të caktuar, por ato mund të jenë edhe kombëtare apo globale dhe, së treti, se problemet sociale nënkuptojnë si perceptimet subjektive të njerëzve, ashtu edhe evidencën objektive mbi ekzistencën e tyre. James Crone e sintetizon këtë ide si më poshtë: Një problem social ekziston atëherë kur njerëzit perceptojnë subjektivisht dhe kanë evidencë objektive që provon, se kushte të caktuara shoqërore, të kombinuara në nivel lokal, kombëtar apo global, shkaktojnë probleme personale (Crone 2007: 2). Autorë të tjerë ofrojnë përkufizime të ndryshme mbi atë se ç’përfaqëson një problem social. Sociologët Daniel Curran dhe Claire Renzetti, fjala vjen, shkruajnë se: Një problem social është një rrethanë shoqërore, e shkaktuar nga faktorë që janë pjesë inherente e strukturës sociale të një shoqërie të dhënë, e cila, në mënyrë sistematike, krijon kushte disavantazhi, ose diskriminon një segment të caktuar të popullsisë apo një numër të konsiderueshëm të anëtarëve të saj.

[caption id="attachment_1290333" align="alignnone" width="1024"] Social problems word lettering typography. Infographics with linear icons on blue background. Creative idea concept. Isolated outline color illustration.[/caption]

William Kornblum dhe Joseph Julian, nga ana e tyre, argumentojnë se një problem social ekziston atëherë “kur pjesa më e madhe e popullsisë në një shoqëri të dhënë është e mendimit se ekziston një rrethanë shoqërore, e cila kërcënon cilësinë e jetës së tyre dhe vlerat e tyre themelore dhe se diçka duhet bërë për ta ndryshuar atë rrethanë” (Kornblum & Julian 2001: 4). Sociologët Mooney, Knox dhe Schact (2002: 3), në librin e tyre Të kuptuarit e problemeve sociale, ofrojnë një përkufizim të ngjashëm. Sipas tyre, “një problem social është një rrethanë shoqërore, të cilën një pjesë e shoqërisë e sheh si të dëmshme për anëtarët e saj dhe prandaj kërkon të ndryshohet”. John Palen, në librin e tij Probleme sociale për shekullin e 21-të, shpreh një mendim të ngjashëm kur shkruan se “problemet sociale janë dukuri, të cilat një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë gjykon se janë në kundërshtim me normat shoqërore dhe, për këtë arsye, diçka mund dhe duhet bërë për t’i ndryshuar ato” (Palen 2001: 10). Një tjetër sociolog amerikan, Vincent Parrillo, në librin e tij Probleme sociale bashkëkohore, argumenton se problemet sociale përmbajnë në vetvete 4 komponentë:

(1) Ato shkaktojnë dëme fizike apo mendore tek individë të veçantë apo në mbarë shoqërinë;

(2) Ato janë në kundërshtim me vlerat dhe standardet morale të grupeve të caktuara shoqëror;

(3) Ato ekzistojnë për një periudhë relativisht të gjatë; dhe

(4) Ato gjenerojnë propozime konkurruese për zgjidhje si rezultat i vlerësimeve të ndryshme që u bëjnë këtyre problemeve grupe të ndryshme shoqërore, të cilat zënë pozita të caktuara në shoqëri, çka e vështirëson dhe e vonon arritjen e një konsensusi mbi mënyrën sesi duhet zgjidhur një problem [i caktuar] (Parrillo 2002: 4-5; korsivi është imi–F.T.).

Në procesin e zhvillimit shoqëror ndryshojnë si kushtet objektive të jetës së shoqërisë, ashtu edhe preokupimet subjektive të njerëzve. Kjo do të thotë se problemet sociale duhen vlerësuar në dinamikën e tyre. Një aspekt i caktuar i jetës shoqërore, i cili më parë nuk përbënte një problem social, mund të bëhet i tillë me ndryshimin e kushteve objektive të shoqërisë dhe të perceptimeve subjektive të njerëzve. Fjala vjen, në kushtet kur lëvizja e popullsisë nga zonat rurale në qytete ishte rreptësishtë e kontrolluar nga shteti socialist, braktisja e fshatit dhe mbipopullimi i qyteteve kryesore të vendit nuk përbenin një preokupim shoqëror, pra as nuk ishin një problem social në Shqipëri. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për emigrimin masiv, ose për dukurinë e “largimit të trurit”, të cilat, pas ndryshimit të kushteve politike dhe ekonomike në shoqërinë shqiptare, janë bërë probleme të mprehta sociale për vendin tonë. Problemet sociale janë jo vetëm dinamike, ato janë gjithashtu relative. Ajo çka njerëz të ndryshëm e konsiderojnë një problem social varet nga sistemi i vlerave të tyre. Fjala vjen, ekzistenca e prostitucionit, pornografia apo aborti mund të konsiderohen probleme sociale nga shumë njerëz, por mund të mos konsiderohen të tilla nga shumë të tjerë. Përveç kësaj, në një botë pluraliste si kjo në të cilën jetojmë, një aspekt shoqëror që konsiderohet problem social në një shoqëri të dhënë, mund të mos konsiderohet i tillë në një shoqëri tjetër. Fjala vjen, përdorimi i marijuanës përbën një problem social në Shtetet e Bashkuara dhe në çdo vend europian, por nuk konsiderohet i tillë në Hollandë. Madje, edhe në vetë Shtetet e Bashkuara, përdorimi i marijuanës nuk përbënte një problem social, deri në vitin 1937, kur me aktin ligjor mbi taksën për marijuanën, Kongresi amerikan e nxori këtë substancë (deri atëherë të ligjshme) jashtë ligjit (Helmer 1975). Nga ana tjetër, një referendum i mbajtur në shtetin e Kolorados, në nëntor të vitit 2012, e bëri përdorimin e marijuanës në këtë shtet të Shteteve të Bashkuara përsëri një veprim të ligjshëm. /Liberale.al

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
SHQIPENGLISH