Aktualitet

PORTRET/ Silvio Berlusconi!

Shkruar nga Liberale
PORTRET/ Silvio Berlusconi!

Silvio Berlusconi ndërroi jetë të hënën në moshën 86-vjeçare. Ai ishte politikani italian më me ndikim dhe më i përfoluri i tridhjetë viteve të fundit, një biznesmen dhe kryeministër jashtëzakonisht i suksesshëm, mbi të gjitha, thuajse prej njëzet vitesh, ia doli për ta përqëndruar jetën publike të një vendi, rreth figurës së tij. Berlusconi prej kohësh vuante nga leucemia dhe ishte shtruar që nga e premtja që kaloi në spitalin San Raffaele në Milano.

Pronar i një perandorie mediatike, (televizione, gazeta, shtëpi botuese, agjenci publicitare, teatro etj), i cili shënoi kulturën popullore italiane dhe që më pas e ndihmoi të vazhdonte rrugëtimin dhe ngjitjen e tij deri në majat e politikës. Katër herë kryeministër i vendit, i vendosur në qendër të gjyqeve, skandaleve dhe akuzave të panumërta, për disa vite, Berlusconi tregoi shenja lodhje dhe një humbje të dukshme të imazhit të tij fin, por edhe të karizmës dhe kjo ndoshta për shkak të moshës së thyer.

Vazhdoi, deri në fund të jetës, të mbante postin e presidentit të Forza Italia, një parti e qendrës së djathtë, aktivitetet politike të së cilës vazhdoi t’i koordinonte dhe mbi të gjitha nuk mungoi as në fushatë. Pavarësisht dobësimit të partisë në elektorat, Berlusconi vazhdonte të kishte një shikueshmëri mediatike, kjo ndoshta për shkak se vlera e tij politike ishte ulur dhe, nga ana tjetër, mosha e thyer kishte ndikuar për ta bërë figurën e tij më të pranueshme tek audienca se në të kaluarën, pasi gjysma e vendit shfaqte urrejtje.

Berlusconi u bë kryeministër i Italisë për herë të parë pas fitores së tij befasuese në zgjedhjet e vitit 1994, menjëherë pas hetimeve për korrupsion në politikën italiane dhe pas përfundimit traumatik të ekuilibrit politik të pasluftës, i përqendruar në dominimin e kristian-demokratëve. Ai nuk kishte përvojë politike, por gëzonte famë dhe admirim të madh për shkak të karrierës së tij si sipërmarrës, e cila filloi me ndërtimin në vitet 1960, u rrit me krijimin e rrjetit të parë më të madh televiziv privat në Itali dhe pasi u zgjerua në sektorë të tjerë të medias, ai u angazhua edhe në sport, si president i klubit të futbollit AC Milan.

E gjithë veprimtaria e tij politike u karakterizua nga premtimi i të ashtuquajturit “revolucioni liberal”, nga demonizimi i së majtës dhe nga marrëdhniet e ngushta me disa nga liderët kryesorë ndërkombëtarë, duke përfshirë Presidentin e SHBA-së, George W. Bush, presidentin rus Vladimir Putin dhe libianin Muammar Gaddafi. Berlusconi shpesh përdorte fuqitë e tij politike për interesa personale. I hetuar, e herë-herë, i dënuar në gjykatë, protagonist i skandaleve seksuale të shumëpërfolura dhe incidenteve të rënda diplomatike, u tall dhe u kritikua edhe jashtë vendit, duke u shndërruar në personifikimin e korrupsionit italian në botë.

Prej disa vitesh ai e kishte humbur tashmë kreun e liderit të koalicionit të djathtë, njëherë kur ky pozicion i kaloi Matteo Salvinit, pas rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme të 2018-ës dhe më pas kryeministres aktuale, Giorgia Meloni.

Berlusconi lindi më 29 shtator 1936 në Milano. Babai i tij, Luigi Berlusconi, ishte një punonjës banke me origjinë nga Saronno, në provincën e Vareses, ndërsa nëna e tij, Rosa Bossi, ishte një sekretare në Pirelli. Ai ndoqi shkollën e mesme klasike Sant'Ambrogio dhe më pas studioi drejtësi në Universitetin Shtetëror, ku u diplomua në vitin 1961 me një tezë mbi kontratat e reklamave.

Ndërsa studionte për ligje në Universitetin e Milanos, Berlusconi arrinte t‘i përballonte shpenzimet, duke shitur pluhura larëse, duke fotografuar ngjarje të ndryshme sociale dhe duke siguruar të ardhura nga krijimi i një bande muzikore, e cila merrte pjesë në festa private. Në universitet ai u njoh me Betino Kraksin, kryeministrin e ardhshëm të Italisë. Në vitin 1961 Berlusconi diplomohet në Fakultetin e Drejtësisë, në moshën 25-vjeçare, duke mbrojtur temën e diplomës “Kontrata e reklamës për publikim “, ku merr vlerësimet maksimale. Zhvillimin e diplomës, Berlusconi ia shiti për dy milionë lira, agjencisë së reklamave “Manzoni”, në Milano.

Pas diplomimit, ai i shpëtoi shërbimit ushtarak dhe iu fut rrugës së biznesit. Më 1977 Berlusconi hyn në këshillin administrativ të gazetës “Giornale Nuovo” (“Gazeta e Re”), e drejtuar nga Indro Montaneli, e cila ishte në vështirësi ekonomike. Më 1978 blen teatrin “Manxoni” të Milanos, i cili ishte në krizë. Më 1974 Berlusconi e zgjeroi perandorinë e tij, duke themeluar “Telemilanon”, një televizion kabllor, që shtrihej fillimisht vetëm në lagjen “Milano 2”. Duke parë një të ardhme të shkëlqyer në këtë fushë, në vitin 1978 Berlukoni investoi 2,5 milionë dollarë për të ndryshuar monopolin e televizionit shtetëror italian, RAI. Duke iu druajtur ligjit, që lejonte transmetimin kombëtar vetëm të RAI-t, Berluskoni ngriti një sistem të televizioneve lokale, të cilat transmetonin njëkohësisht të njëjtat programe.

Në vitin 1980 ai krijoi “Canale 5” (“Channel 5”), një televizion kombëtar, që u ofronte italianëve lojëra televizive dhe programe të tipit amerikan. Më pas Berlusconi arriti ta kuptonte mundësinë ekonomike që përfaqësonte fusha komerciale e televizioneve, të cilat mund të siguronin të ardhura të mëdha ekonomike. Në këtë mënyrë ai ngriti agjencinë e reklamave “Publitalia 80”, e cila u bë nga më të mëdhatë në Evropë dhe siguronte më shumë se 2,5 miliardë dollarë në vit.

Në vitin 1980 Berlusconi shpërndau aksionet e tij dhe u konsolidua edhe më shumë në zotërimin e medias. “Finivest”, një kompani private e krijuar në vitin 1975 nga Berluskoni, i cili u bë edhe presidenti i saj, mundësoi hapjen edhe të dy kanaleve televizive të mëdha private, “Rete 4” dhe “Italia 1”. Por Berlusconi nuk u mjaftua vetëm me kaq. Ai e zgjeroi perandorinë e tij, duke bërë blerje të rëndësishme në fushën e medias së shtypur (ai krijoi revistën e përjavshme “Panorama”), shtëpinë botuese “Mandadori”, si dhe u bë presidenti i klubit të Milanit./Përgatiti Liberale.al/

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH