Aktualitet

Përse shqiptarët duhet të hapin puse uji edhe në vitin 2022?

Shkruar nga Liberale
Përse shqiptarët duhet të hapin puse uji edhe në vitin 2022?

Nga Laert Miraku

“Ku buronë uji i ftohtë, ku kullosin bagëtia, atje të shkoni të mbushni ujë, na e dashkeni edhe te shtëpia”, këto vargje humoristike të “Parodistëve të Vlorës” të frymëzuara dhe të përshtatura nga poema “Bagëti e bujqësi” e poetit të madh të Rilindjes Kombëtare, Naim Frashërit, përshkruajnë me nota humori situatën e rënduar në të cilën gjendej Shqipëria në vitin 1998. Shqipëria e atij viti vuante shumë nga mungesa e dritave dhe ujit. Situata ishte e kuptueshme sepse sapo kishin lënë pas vitin e tmerrshëm 1997.

Për gati tre dekada, madje edhe sot politikanët shqiptarë vijojnë t’u premtojnë shqiptarëve 24 orë ujë dhe drita. Me siguri ju kujtohet “deputeti” Demush Rrapushi(personazh i luajtur nga Sajfulla Myftari, Cekja) në telekomendinë “Pesha e gruas time.” Në këtë telekomedi “laroja” i ‘deputetit’ iu thotë “qytetarëve-fshatarë”: -“Mos e ngatërroni programin e partisë tonë me të atyre. Ata premtojnë ujë, qetësi dhe drita. Ne e kthejmë ndryshe, drita, qetësi dhe uji”. Komedia e vitit 2002 përmes humorit tregon realitetin e dhimbshëm të shqiptarëve të atyre viteve.

Pas dy dekadash thuajse asgjë nuk ka ndryshuar. Shqiptarët ende vuajnë për furnizim me 24 orë drita dhe aq më shumë për ujë të pijshëm. Për ata që nuk shohin përtej hundës së tyre dhe zonave më luksoze të vendit ku kalojnë pushimet apo jetojnë, Shqipëria e njerëzve të thjeshtë është krejt tjetër. Politikanët tanë dalin në media dhe iu thonë shqiptarëve se Shqipëria është me rritjen ekonomike më të mirë në Europë, apo dikush tjetër që tha se jemi të dytët pas Gjermanisë. Nëse pyesni ju siguroj se nuk do të gjeni qytetar të BE-së që ankohet për furnizimin me ujë dhe drita. Kjo sepse për ata është normë. Politika shqiptare nuk arrin që të krijojë kushtet minimale dhe jo më që të jemi të dytët me rritjen ekonomike më të madhe në Europë. Nëse pyet qytetarët shqiptarë përgjigjen e merr të lajmet e kronikës.

Sot është e diel, data 10 korrik 2022, mediat europiane raportuan më së shumti për eventet kulturore që mbahen në vendet e tyre dhe situatën në arenën ndërkombëtare. Mediat në Shqipëri raportuan për disa orë një ngjarje që duhet përsëritet çdo vit përgjatë tre dekadave të tranzicionit. Një person në Mallakastër humbi jetën teksa përpiqej të pastronte një pus uji. Një tjetër banori i zonës u lëndua, po ashtu i lenuar mbeti njëri prej zjarrfikësve që iu erdhi në ndihmë për t’i shpëtuar dhe për t’i nxjerrë nga pusi. Thuajse çdo vit, puset e ujit marrin jetë shqiptarësh. Madje, hapja dhe kujdesi ndaj puseve të ujit nuk ndalonte edhe kur qeveria deklaroi se do t’i bënte me pagesë dhe tarifë për çdo pus, megjithëse më pas u tërhoq.

Ndonjë analist që del nga shtëpia luksoze vetëm për të dalë në televizor e të jap mend për gjithçka do pyeste i çuditur, “Përse shqiptarët hapin puse uji kur ata janë të rrezikshme?” Përgjigjen e ka në majë të gjuhës çdo shqiptar që nuk ka uji në shtëpinë e tij për t’u freskuar në këto ditë të nxehta korriku.

Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, qeveria dhe bashkitë detyruan qytetarët që të hiqnin depozitat e ujit mbi pallate sepse shteti do i siguronte 24 orë ujë. Heqja e depozitave mbi pallate ishte diçka e nevojshme dhe veprim që duhet përgëzuar, por politika nuk e mbajti fjalën. Sërish qytetarët janë pa ujë. Sot me mungesa edhe më të theksuara se para tre viteve.

Mungesa e ujit të pijshëm në shtëpitë e tyre, por edhe për vaditje, i detyron shqiptarët të hapin puse duke rrezikuar jetën. Megjithëse Shqipëria renditet ndër vendet me pasuritë më të madha ujore në botë në raport me sipërfaqen dhe numrin e popullsisë, sërish shqiptarët nuk kanë ujë. Prej tre dekadash shqiptarë përpiqen që t’i zgjidhin vetë problemet e tyre jetike sepse shteti unë nuk mendon për këto. Politikanëve tanë iu vjen më përshtat të sillen si liderë rajonalë dhe globale sesa të ulen me këmbë në tokë dhe të zgjidhin nevojat jetike të populli të tyre.  Në këtë rast shqiptarëve iu mbetet vetëm diçka. Të urojnë që këta politikanë të neveritshëm të mbyten në puset e tyre të mbushura me korrupsion, vjedhje, zhvatje, shantazhe dhe fodullëk, të “miksuara” me pangopësi. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH