Një ngjarje e rëndë ndodhi paraditen e sotme në Spitalin Infektiv në QSUT, ku një pacient 69-vjeçar i prekur nga Covid-19 është vetëhedhur nga ballkoni në përpjekje për t’u larguar nga spitali.
Pacienti nga qyteti i Fierit aktualisht ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha. Vajza e 69-vjeçarit, Esmeralda Kane, tregoi detaje për Euronews, se babai i saj ka pasur vetëm temperaturë dhe jo simptoma të tjera. Sipas saj, babai pasi është sjellë nga Fieri në Tiranë ka qëndruar për disa orë në korridorin e Infektivit pa marrë asnjë shërbim mjekësor.
“Babai im nuk ka pasur asnjë simptomë përpara, pro vetëm thjesht tre ditë me temperaturë, e sollëm nga Fieri deri këtu. Ka ndenjur në korridor nga 08:30-15:30 pasdite dhe pa mjekim. Sot ishte ora shtatë e mëngjesit, dhe më thotë se nuk kam fuqi të flas dhe po vdes nga frymëmarrja. Nuk na është thënë asgjë. Nuk kemi asnjë lloj ndihme, vetëm kemi qëndruar me mjekun që na ka shoqëruar nga Fieri deri këtu. Kjo është një gjë e pabesueshme babai nuk vuante nga asnjë gjë, por thjesht nga tensioni. Ai donte të mjekohej në spitalin e Fierit dhe spitali e nisi për këtu, ne kërkojmë ndihmë më të specializuar, por Fieri nuk e mbajti se gjendja e tij ishte e rënduar”, tha ajo.
Vajza e pacientit 69-vjeçar u shpreh se ngjarjen fillimisht e ka parë në media, por më pas ka qenë vetë spitali, i cili e ka vënë në dijeni.
“Të them të vërtetën e pashë me titra në media, por nuk kishte emër dhe mbiemër. Pastaj gjysmë ore më vonë më informuan nga spitali dhe unë nuk e besoj dot. Tani nuk kam kontaktuar me asnjë. Kam ritentuar, por nuk është përgjigjur. Dua informacion më afër më shpejt”, theksoi ajo.