Ngjarja më e rëndësishme e javës për sa i përket politikës shqiptare ishte padyshim vizita e Todd Robinson në SPAK. Pas vizitës së Blinken në organin e ri të drejtësisë, kjo vizitë është padyshim më e rëndsishmja për drejtësinë shqiptare. Madje mund të konsiderohet edhe më e rëndësishme, pasi Robinson është Ndihmës Sekretar i Shtetit Amerikan për çështjet ndërkombëtare të narkotikëve dhe sundimit të ligjit.
Mund të thuhet që në ndërtimin e organeve të reja të drejtësisë në Shqipëri, dhe sidomos SPAK, ky institucion ka patur një rol thelbësor me asistencën që i ka dhënë.
Megjithëse vizita ishte kaq shumë e rëndësishme, në mediat shqiptare dhe opinionin publik kaloi si një vizitë e zakonshme. Për nga rëndësia që ka, sidomos në këtë moment, kjo vizitë duhet parë si një shenjë tjetër për forcimin e një mesazhi që presin shqiptarët. Që Shtetet e Bashkuara vashdojnë të mbetet mbështetësi dhe sponsori kryesor i SPAK.
Në foton e bërë publike në media ku duket kreu i SPAK, Altin Dumani, që i tregon ndihmës sekretarit të shtetit malin me dosje që janë bërë gati, duket sikur po i jepte shpjegim për punën a eprorit të tij amerikan. E në fakt, kështu është. Pavërësisht përpjekjeve për ta delegjitmuar SPAK nga politika shqiptare dhe aktorë të tjerë publik, SPAK nëse ka një varësi politike ajo është nga ShBA.
Ndryshe nuk kuptohet që papritur prokurorë të caktuar të SPAK tregojnë kurajo të paparë ndonjëherë në drejtësinë shqiptare duke hetuar politikanë me pushtet, grupe kriminale dhe njerëz të cilët deri dje konsideroheshin të paprekshëm. Altin Dumani e prokurorë të tjerë kanë shumë vite karrierë në drejtësinë shqiptare. Pse pikërisht tani u tregohen kurajozë dhe hetojnë njërëz me pushtet financiar dhe politik?
Sepse është e qartë që kurajoja u vjen pikërisht nga mbështetja amerikane. Dhe vizita e Todd tregoi këtë gjë. Në një intervistë të dhënë gazetares së Top Channel Anila Hoxha, Todd dha mesazhe të rëndësishme dhe kurajuese për SPAK. Theksoi edhe njëherë mbështetjen amerikane për këtë organ, përgëzimin për punën e deritanishme, por sidomos, puna e madhe që e pret përpara për të t’u ngritur në pritshmëritë e popullit shqiptar. Dihet që mbështetja që ka SPAK nga qytetarët është shumë e lartë në të gjitha sondazhet kryesore. Nëse SPAK sot do të ishte parti politike do të ishte partia e parë. Gjithashtu mbështetja amerikane theksohet gjithmonë e më shumë. Në këtë kuptim, të mbështetesh nga ShBA dhe populli yt, nuk ka justifikim për dështim. Dhe SPAK e ka për detyrë të mos dështojë në misionin e tij.
E vetmja shpresë për drejtësi në Shqipëri është pikërisht fakti se ajo mbështetet aktualisht nga ShBA dhe qytetarët. Sepse çdo drejtësi tjetër në 34 vite e mbështetur nga politika ‘’sovraniste ‘’ shqiptare, ka dështuar. E që të mos dështojë dhe kësaj here, duhet që kjo drejtësi të jetë ndërkombëtare dhe jo e brendshme.
Nëse ShBA, BE apo aleatët e tjerë ndërkombëtarë të Shqipërisë do ta braktisin krijimin e tyre, është e sigurtë që politika e vjetër do të turret për ta shkatëruar atë. Luftën ndaj SPAK nëpërmjet retorikës e ka filluar. Mbetet vetëm që retorikën ta kthejnë në vepra. Dhe për këtë gjë janë në pritje të momentit më të mirë për ta. Mbetet për tu parë nëse do t’ja dalin apo jo .