Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Në këtë 80 vjetor duhet theksuar karakteri pluralist i antifashizmit shqiptar

Shkruar nga Liberale

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Në këtë 80 vjetor duhet theksuar

Ervis Iljazaj

Në këtë ditë festash të rëndësishme të kombit shqiptar dhe Shqipërisë, festohet ndër të tjera dhe 80 vjetori i Çlirimit nga nazi-fashizmi. Një ngjarje historike që festohet jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga shumë vende europiane si një nga ngjarjet që shënjoi të ardhmen e Europës së lirë dhe demokratike. Europa dhe shumë vende të tjera u kërcënuan nga një regjim dhe ideologji totalitare që nëse do të kishte triumfuar, sot nuk do të kishim këto liri që kemi dhe këtë zhvillim që pati pas Luftës së Dytë Botërore. Prandaj dhe kjo ngjarje meriton rëndësinë që duhet të ketë dhe duhet të trajtohet me seriozitetin e duhur.

Por ndryshe nga Europa dhe shumë vende të saj, në Shqipëri ka ndodhur një fenomen i papranueshëm. Lufta kundër fashizmit, apo anti-fashizmit i atribuohet vetëm të majtës shqiptare, asaj komuniste. Dhe për 80 vite me radhë, kjo falë edhe propagandës 45 vjeçare komuniste, flamurin e çlirimit të Shqipërisë dhe antifashizmit në përgjithësi, e ka marrë Partia Komuniste në atë kohë, e shndëruar sot në Partinë Socialiste. Dhe me këtë ide, e kanë qeverisur Shqipërinë për pothuajse 80 vite. Është e papranueshme për shoqërinë tonë, për Shqipërinë, që luftën ndaj një regjimi totalitar siç ishte fashizmi ta identifikojë po me një regjim tjetër totalitar si komunizmi.

E vërteta është se antifashizmi shqiptar ka një karakter pluralist dhe nuk është e vërtetë që ajo identifikohet vetëm me komunizmin. Një identifikim i tillë ka ardhur si pasojë e propagandës hoxhiste që e monopolizoi këtë luftë dhe me këtë ide vazhdoi për 45 vite me radhë, duke ndërtuar një narrativë të pavërtetë. Në çlirimin e Shqipërisë kundër fashizmit sipas të dhënave historike të vërtetuara kanë marrë pjesë monarki, nacionalistë dhe liberalë. Sigurisht Partia Komunsite kishte rolin e saj të pa zëvendësueshëm në atë luftë, por lufta ndaj nazi-fashizmit në Shqipëri ka qenë më karakter të gjerë.

E vërteta është se që në Konferencën e Mukjes ku u mblodhën të gjitha forcat politike shqiptare për të përballuar luftën kundër pushtuesve kishte një slogan që tregonte frymën dhe karakterin e gjerë të antifashizmit në Shqipëri. Slogani ishte ’’Pa dallim bindje, krahine, feje dhe ideje’’. Por këtë gjë nuk e tregon vetëm Konferenca e Mukjes, por dhe shumë konferenca të tjera. Më vonë ky bashkim u shpërbë për arsye politike të brendshme, që disa studiues e quajnë luftë civile. Por thelbi është i njëjti. Në luftën kundër fashizmit në Shqipëri kanë marrë pjesë forca të ndryshme politike shqiptare dhe jo vetëm ato komunsite.

Sipas një studimi të fundit të ‘’Akademisë të Studimeve Shqiptare’’ e cila promovohet sot në ambjetet e kryeministrisë me autorë Nevila Nikën, Mariglen Kasmi, Florjan Çullhaj, Hasan Bello dhe Çelo Hoxha, të rënët e Luftës së Dytë Botërore nuk janë vetëm komunsitë ashtu sikurse është propaganduar për 45 vite, por njerëz dhe patriotë të ideologjive të ndryshme. Regjimi komunist ka përcaktur në mënyrë të njëanshme duke manipuluar historinë, se cilët janë heronjtë e Shqipërisë dhe se cilët kanë vend në altarin e saj. Gjë e cila duhet të ndryshojë dhe duhen rikonceptuar nga e para si Varrezat e Dëshmorëve, po ashtu edhe karakteri antifashist shqiptar që i përket të gjithë shoqërisë shqiptare dhe jo vetëm Partisë Komuniste.

Është në nderin e Shqipërisë që luftën ndaj nazi-fashizmit ta konsiderojë si një luftë mbarë kombëtare pa dallime politike dhe ideologjike dhe jo si monopol i komunistëve. Sigurisht, kjo nuk do të thotë që të mos njihet kontributi i lëvzijes komuniste për çlirim, por thjesht duhet një rinjohje e përgjithshme dhe nderim për të gjithë të rënit e kësaj lufte që janë të bindjeve dhe ideve të ndryshme. E njëjta gjë ndodh sot edhe në Europë, ku patjetër e majta ka rolin e saj kryesor në këtë luftë, por jo eskluzivitetin e saj.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH