Analizë

DORËSHKRIM - Pjesë nga libri i Preç Zogaj: 21 janar 2011, vrasjet në bulevard ndërsa demostrata po shpëndahej

Shkruar nga Liberale

DORËSHKRIM - Pjesë nga libri i Preç Zogaj:  21 janar 2011,

Marrë nga libri “Në kërkim të zgjedhjeve të humbura”, botim i UET Press 2012

(Vijon nga numri i së shtunës)

Preç Zogaj

Njëzet e një janari gdhiu si një ditë e zakonshme e dimrit shqiptar: e mitur, e tulatur, e mbledhur nga lagështia dhe të ftohtit, me një qiell që dukej si i patinuar nga një shtresë resh të shplara, përtej të cilave do të shfaqej e do të zhdukej vazhdimisht një  diell pa jetë si një monedhë e shuar.

Shqipëria ishte zgjuar zhurmshëm atë ditë. Autobuzë me protestues opozitarë po niseshin nga periferitë e vendit drejt kryeqytetit, ku ishte lënë pikëtakimi i madh i demostratës. Po vinin për t’i dhënë fund-kjo ishte parulla apo deviza e asaj shvendosjeje. Jo aq e qartë sa të provokonte dyshime e stepje, mjaftueshëm e errët për të nxitur përfyrime dhe akte trimërie të çmuara.

Në orë të ndryshme, por në të njëjtin itinirar me autobuzët e opozitës, kishin marrë rrugën drejt Tiranës edhe trupat policore të thirrura për përforcim nga qarqe të ndryshme. Para dhe pas tyre, apo paralel me ta, ishin nisur edhe grupe militantësh të partive qeveritare, që i prisnin me gëzim përballje të tilla për t’u shquar në sy të  shefave dhe për të shqyer pastaj andej-këndej shpërblimin e punës së tyre në dobi tëqeverisë.

E gjithë kjo ethe e madhe, që po marshonte atë paradite drejt Tiranës, paralajmëronte  përplasje, përleshje, pse jo, gjak. Qeveria dhe opozita kishin pjekur secila në hesap të vet mendimin se ishte momenti për  t’i dhënë një mësim të mirë palës tjetër.

Deri ku shkonte ky mësim? Cili ishte kufiri që nuk duhej kaluar? Këtë askush nuk dinte ta thoshte. Çështja delikate e sensit të masës i ishte lënë  teatrit të ngjarjeve për ta përcaktuar. Demostrata do të ishte paqësore, sipas liderit të opozitës. Por demostruesit mund të shkonin përtej, po sipas tij. Ishte një fjali me kuptim të dyfishtë pohues dhe lejues njëkohësisht. Qeveria ishte zotuar të mbronte demostratën dhe rendin, por ndërkaq Garda e Republikës po merrte instruksione të freskëta mbi përdorimin e armëve tëzjarrit.

Rreth orës 13.30, krerët e Opozitës së Bashkuar u mblodhën në një aneks të kafenesë “Elize” në katin e tretë të një ndërtese  në rrugën e Elbasanit, përballë Akademisë së Shkencave. Kamerat e televizionit “News 24” trasmetonin nga tre-katër pika të ndryshme hyrjen e demostruesve në Tiranë dhe në sheshin “Skëndërbej”. Kolonat e pafundme vinin nga rruga e  Elbasanit, nga rruga e Durrësit, nga rruga e Kavajës dhe nga bulevardi “Zogu i parë”. Trasmetimi i njëkohshëm i këtij vërshimi përcillte imazhin e  shkuljes së mbarë vendit.

- Vinë porsi bletët plotë, - ia thoshte si më të kënduar Spartak Ngjela, i cili njihte  edhe efektin e retorikës së vet të ashpër në atë dyndje.

Rama fliste në telefon me deputetët që u prinin grupeve të demostruesve sipas qarqeve dhe qyteteve. Njëhërë foli edhe me kryetarin e një partie te vogël pro-qeveritare. Edhe tjetri duket se po shihte në TV vërshimin e turmës drejt bulevardit. Eja, eja tani, i thoshte Rama duke nënqeshur e shijuar me një kënaqësi të dukshme  batutat e tjetrit. Në gadishmërinë e aleatit të Berishës për të folur shkujdësshëm në telefon me të, Rama ndjente kthimin e erës politike nga velat e opozitës.

Të qeshur e të gëzuar, drejtuesit e partive opozitare  fërgëllonin nën palltot e trasha. Nuk kishte dyshim se shkaku i atij gazmendi, që do të shdërrohej në verem dhe zi dy orë më vonë, ishin parasëgjithash pamjet  televizive të hyrjes së njerëzve në bulevard nga të katër anët e Shqipërisë. U nisen si në një festë, ecën pa rregull në koridoret e lira mes njerëzve të shumtë, më tej ishte vështirë të  përparoje pa ndihmën e  shoqëruesve, që duhej të hapnin rrugën duke i shtyrë njerëzit majtas dhe djathtas. Bulevardi ishte mbushur plot deri në thellësi, afër kryeministrisë.

Demostrata ishte lënë të fillonte në orën 14.00. Kjo ishte ora kur të premten mbaronte orari zyrtar i administratës së shtetit.  Krerët e opozitës ishin vonuar me kast te “Elize” rreth njezet minuta. Për t’u dhënë kohë zyrtarëve dhe nëpunësve të përpiktë të largoheshin të qetë nga vendi i punës.

Mirëpo kryertari i qeverisë, siç u pa pak më vonë dhe siç do deklaronte vetë pas disa ditësh, nuk ishte larguar, por ishte kthyer në zyrë dhe si me thënë ishte pozicionuar në godinën e kryeministrisë në orën 14.00. Për t’i qëndruar demostratës panevojshëm përballë. Për t’u tundur demostruesve  bezen e kuqe të toreadorit.

Edi Rama dhe krerët e tjerë të opozitës nuk kishin arritur ende te ura e madhe e Lanës kur morën lajme se para kryeministrisë kishte përplasje mes një grupi demostruesish dhe forcave të policisë. Si gjithë publiku skenat e kësaj përplasjeje i pashë në mbrëmje në media: demostrues të radhëve  të para  që rasti, dashja apo turma i kishte shtyrë drejt murit të policëve  dhe atje, mu si në një çark ku askush nuk kishte hapësirën e nevojshme as për të luftuar, as për t’ja mbathur, po zhvillohej intifada dhe kundërintifada, me demonstrues që tundnin  në hava e qëllonin me çadra dhe me shkopinjtë mbajtës të parullave prej kartoni në drejtim të policëve me skafandra dhe me policë qëkundërpërgjigjeshin me aq sa mundnin me shkopinj gome. Nuk kishte distancë mes turmës dhe policëve. Ngjeshja e madhe e radhëve në të dy krahët e bënte edhe më të padëshifrueshme përplasjen që kishte nisur. Më vonë filmim i atyre skenave do të kthehej qindra  herë nga fillimi me xhiro të ngadalësuar për të kapur sekush në hesap të vet çastin e parë, shkëdijën e parë të  përplasjes, atë që do të veçohej  si grimca e shpërthimit,  me mëtimin për  të shpjeguar përmes saj  gjithë çfarë ndodhi më pas. Qeveria do të mundohej ta frynte e ta frynte si një tollumbace gjigande këtëpërplasje, natyrisht për të justifikuar përdorimin e  pakmëvonshëm të armëve  të zjarrit kundër demonstrates. Në këtë dalldi do të  ndaloheshin nga policia mbi njëqind demostrues,  që do të merreshin nëpyetje  e do të rriheshin deri barbarisht, duke u kërkuar  të pohonin se ishin thirrur dhe  paguar nga opozita për  të sulmuar kryeministrinë; do të kërkoheshin dëshmitarë, do t’u hiqej imunitetit dhe do të merreshin në hetim tre deputetë të opozitës, por as qeveria, as policia, as prokuroria nuk do ta gjenin atë që kërkonin-shkëndijën e porositur të përplasjes. Nga ana e saj, as opozita nuk do të gjente  provën e kundërt se përplasjen e kishin provokuar të infiltruarit e qeverisë për t’i dhënë demostratës drejtimin që mori dhe për ta paditur para publikut e botës si të dhunshme.

Në të vërtetë mund të thuhet se qeveria ka simuluar një kërkim, pra ka kërkuar në boshllëk me vetëdije për të thënë se po e kërkon provën e inkriminimit të opozitës dhe po ashtu ndonjë opozitar ka dashur t’u përgjigjet akuzave me të njëjtën monedhë, kur ka deklarur se konfrontimet i provokuan të infiltruarit. Mendoj se konteksti politik i veçantë i demostratës së 21 janarit dhe vetë rrethanat konkrete të momentit kur u kryqëzuan çadrat me shkopinjtë e gomës, apo shkopinjtë e gomës me çadrat, tregojnë dhe shpjegojnë qartë natyrën të paporositur, të paplanifikuar dhe të paprovokuar të përplasjes, e cila ndodhi vetvetishëm, pritshëm dhe mund të themi pashmangshëm, sa për shkak të afërsisë së demostruesve me policët, aq edhe si shprehje e një dialektike pothuajse standarte, që karakterizon në përgjithësi të gjitha përballjet midis turmave të ngarkuara politikisht e emocionalisht dhe policisë. Ngjyra blu e uniformës  së policisë është rëndom një kushtrim sulmi për protestuesit e ndërkryer të çdo lloji dhe race. Por ka patur dhe më. Policia ishte trajnuar mendërisht sikur do të sulmohej, ashtu sikurse shumë demostrues, duke mos patur haber nga nuancat e retorikës, kishin ardhur me mendimin  e përleshjes. Të dyja palët në një farë mënyre e kishin porositur me pritshmërinë e ndërsjelltë përplasjen që ndodhi.

Drejtuesit e opozitës ishin ndalur në mes të urës se madhe të Lanës kur masa e madhe e njerëzve para tyre u kthye me furi dhe filloi të shtyhej sa në drejtimi të urës, aq edhe në të dy anët e bulevardit. Policia kishte filluar sulmin me gaz lotsjellës dhe ujëhedhës me presion. Vala e gazit mbytës na mbërriti pa e kuptuar mirë ç’po ndodhte. Para se të lidhte një shall rreth gojës, Edi Rama ngriti një çast kokën me një shprehje hidhësie dhe habije, mu sikur të kishte dëgjuar apo lexuar në ajrin e akullt një si hakërrim “ku shkon ti?”. U kthyem instiktivisht si gjithë të tjerët dhe qëndruam në hyrje të rrugicës diagonale të parkut “Rinia”. Më vonë do të mësonim se një njësi speciale e policisë së shtetit kishte zënë taracën e pjesës lidhëse të kullave binjake dhe prej atje, duke i qëndruar përsipër turmës si nga një ballkon i stërmadh, kishin hedhur mbi të paketat e gazit lotsjellës. Ngjanin sikur po hidhnin një magji, që hapej në formën e leskrave të bardha të reve dhe endej pastaj në zbritje sa majtas-djathtas duke u tretur në ajër e duke goditur me padukshmërinë e vet mbytëse protestues e policë. Shumica e demostruesve kishin zënë gojët dhe hundët me shalle dhe shami, ca të tjerë duke përdorur kindat e xhaketave, palltove dhe pardesyve. Ngjanin të ngathët e të turbulluar si në gjendje nokdauni. Gjithë ai shkretim dhe ngadalësim i botës rreth e rrotull sillte diçka nga imazhet e një shpërthimi kimik. Njerëzit dukeshin sikur po përpiqeshin të dilnin nga një jerm, nga një përçudnim.

Kisha parë lloj-lloj skenash në protestat dhe demostratat e zhvilluara në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit: shtyrje, goditje të ndërsjellta mes demostruesve dhe policëve, deri shkëmbim zjarri mes tyre. Kisha marrë pjesë  në  protestat më të mëdha  të dy dekadave  të tranzicionit, kisha jetuar nga fillimi në fund demostratën e 28 majit 1996, dy ditë pas zgjedhjeve të manipuluara të 26 majit; kisha parë zvarritjen e Blendi Gonxhes  dhe Arben Imamit nga boshibozukët e atëhershëm të qeverisë, kisha parë rrahje të poshtra dhe marrje me forcë të demostrusve të thjeshtë në komisariate ku vazhdonin t’i rrihin pa mëshirë; kisha parë shpërndarje të rrëmujshme protestash, ikje me nxitim dhe me vrap të qindra mijëra njerëzve  sa në një rrugicë në tjetrën për t’u shpëtuar shkopinjve të gomës dhe marrjes me furgona në komisariate. Por ishte hera e parë  që shihja një demonstratë  të platitur, sureale, sikur sapo e kishte çelur një vezë e stërmadhe.

Mijërat e njerëzve me fytyrat e mbuluara qëndruan ashtu disa minuta, sikur po njiheshin me botën e re dhe po vlerësonin rrezikun. Pastaj një si shkundje  e përgjithshme i  ktheu  sërish me fytyrë nga kryeministria. Filluan të lëviznin drejt saj, duke nxitur njëri- tjetrin, kësaj radhe me një  vendosmëri më të madhe. Kishin radhën për të  kthyer goditjen.

Në atë orë, në trotuarin para kryeministrisë  nuk kishte më forca policie. Që kurse kishin hedhur  gazin ata të taracës mes dy kullave binjake, policët e rendit ishin tërhequr në pjesët anësore ose të prapme të godinës së kryeministrisë. Stafetën e mbrojtjes së asaj godine e kishin marrë trupat e gardës që po lëvrinin në rrethimin e brendshëm të saj. Atje u sulmuan nga njëre gurësh që vinin nga Qëndra Ndërkomëtare e Kulturës, e lënë pas dore  muajt e fundit ngaqë qeveria mendonte ta prishte për të ndërtuar në vend të saj Parlamentin e ri. Godina e braktisur, që dikur kishte qenë muzeu i Enver Hoxhës, ishte një minierë sendesh të forta. Në shkallarët e saj gjeje sa të duash  gurë dhe pllaka të thyera. Uji me presion i përdorur nga policia ikishte hedhur një pjesë të demostrusve pikërisht atje. Më të ndërkryerit, sidomos të rinjtë që kishin një inat moshe me policinë, kërkonin të shfrynin gjithë pezmin e goditjeve të pësuara, pra të merrnin hak. Kishte mes tyre të rinj të indinjuar që gjenin lehtësim dhe kënaqësi në aktin e djegies së ndonjë makine që fati i keq e kishte parkuar në vendin e  gabuar. Shpërthimi në flakë i makinës - viktimë e mbushte botën me një gjemim të egër dhe të shurdhër; tymi i zi i karburantit dhe gomave të djegura ngrihej lart në formën e  një shtëllunge të stërmadhe. Ishte vështirë megjithatë të kuptoje ç’po ndodhte jo vetëm se dinamika e revanshit të një demonstrate të goditur është e pallogaritshme dhe e parrokshme - nuk dihet pika e ngopjes, pasi aty ku ndalet një grup merr vrull një grup tjetër- por edhe për një arsye praktike: me kërkesën e policisë, duke presupozuar apo dyshuar se mes demostrusve  ishte infiltruar ndonjë komando terroriste, pra për tu pamundësuar komunikimin pjestarëve të saj, kompanitë celulare kishin vendosur block-aut më gjithë sipërfaqen e demonstratës. Kështu që nuk kishte asnjë mundësi komunikimi me askënd.

Dikush solli lajmin se nuk kishte trupa policie para kryeministrisë dhe turma po joshej për të përparuar brënda. Rama u pre. Na pyeti pesë  gjashtë vetëve që ishim me të se ç’duhej të bënim. Ishim të gjithë në një mendje se njerëzit duheshin ndaluar me çdo kusht edhe sikur t’i ftonte brenda  vetë kryeministri. Kishte që e konsideronin një kurth lënien pa mbrojtje të rrethimit të godinës.

Kurth ose jo, njerëzit duheshin ndaluar sa më parë. Para se naiviteti, marrëzia apo një ndjenjë  heroizmi që përndrit në raste të tilla njerëz të ndryshëm t’i çonte përtej vijes së kuqe ku mund të qëlloheshin me plumba të vërtetë nga forcat e  politizuara të Gardës.  

Edi Rama pati një mendje të shkonte vetë  t’i fliste turmës. Të gjithë sa ishim aty e menduam të papërshtatshme në rrethanat e krijuara shvendosjen e tij para kryeministrisë. Drejt me e thënë, duke patur parasysh ca precedentë të së kaluarës dhe ca zakone njerëzore, unë kisha parandjenjën se mbërritja e liderit kryesor në  qëndër të teatrit të ngjarjeve do të keqkuptohej nga të zjarrtët demostrues sikur ai po vinte për të parë dhe për të fituar (Për çfarë tjetër shkon prijësi në vijën e parë të betejës?), domethënë për të korrur frytin e asaj dite të bujshme,  që në përceptimin naiv nuk ishte gjë tjetër veçse karriga e Sali Berishës. Pra në vend që të shërbente për të prapsuar turmën, prania e shefit të opozitës mund  ta nxiste edhe më shumë atë për të bërë të kundërtën. Është një e dhënë e përjetshme: në vijën e parë apo në përshtypjen e fitores ushtarët dhe ndjekësit përfshihen në një garë heroizmi që kush e kush t’i bjerë në sy komandantit më shumëse shoku. Ja, kësaj ia kishim frikën kur i kërkuam Edi Ramës të mos lëvizte nga vendi. Pa llogaritur ndërlikime të tjera në rebusin bizantinist të asaj pasditeje.

- Mirë, mirë, po kush po shkon? - tha Rama. Ramë dakord të shkonim Paskal Milo, Nard Ndoka, Vangjel Dule dhe unë. U nisëm menjëherë, shoqëruesit na hapnin kalimin mes njerëzve të shumtë. Përpara kryeministrisë turma ishte akoma më e ngjeshur. Por e gjetëm të relaksuar. Ca forca të pakta policie ishin bashkuar e po bënin muhabet  më protestuesit e kreut. Dukej qartë se as ishin në shërbim, as kishin marrë ndonjë urdhër për t’u larguar prej aty. Një grup djemsh të rinj, dyzet-pesëdhjetë vetë, kishin hipur mbi kanxhellat prej hekuri të rrethimit të kryeministrisë. Të kthyer me fytyrë nga bulevardi po kënaqeshin duke bërë shenja gëzimi dhe triumfi për të njohurit e tyre. Asgjë nuk të jepte përshtypjen e ndonjë rreziku.

Ndërkaq, siç e kishim parandjerë, mbërritja jonë e ngriti sërish entuziazmin në shesh, shpërthyen sërish parullat dhe thirrjet kundër qeverisë. Ne u shpërndamë në katër pika të ndryshme dhe ashtu, pa qendër zëri, u përcollëm atyre që na dëgjonin thirrjen e Opozitës së Bashkuar për të mos bërë asnjë hap brenda rrethimit të kryeministrisë.

- Qëndroni në bulevard, protestoni paqësisht  derisa të merrni thirrjen për t’u shpërndarë!

Miratim, ilaritet, tek -tuk kundërshtime.

- O sot, o kurrë!- briti dikush përballë meje. -Po na shpëtoj këtë herë, s’kemi për ta zenë më!- e kishte fjalën për kryeministrin.

E pashë, ishte një  mesoburrë. Nga pamja nuk dukej aq i ashpër sa kishte fjalët. Ndjeva si i shua sa ora në fytyrën time, pa lindur mirë, bashkë me mendimin që e shkaktoi, një nënqeshje e menjëhershme: më kishte rënë shorti të përballesha me ndonjë  fans të keqkuptuar të  oratorisë radikale, që kishte gjëmuar në ekranet e televizioneve dhe kolonat e gazetave ato ditë  dhe më parë me shprehje figurative të tipit  “ta kapim të gjallë si lepurin dhe ta flakim në Lanë”, shprehje të cilat dikush-dikush i kishte marrë në kuptimin e tyre të drejpërdrejtë. Ja, tani, unë kisha përfunduar në teatrin pa drejtim të ngjarjeve për të pastruar terrenin nga iluzionet e retorikave të tilla “kodra pas bregut” dhe për të përsëritur atë që kisha thënë gjatë gjithë atyre ditëve: në kuptimin fizik të fjalës vija e sulmit tonë, nëse s’donim ta  hiqnim fjalën sulm nga fjalori i demostratës, përfundonte  në trotuarin para kryeministrisë.

-Zoti Zogaj, e ke shpëtuar njëherë, s’të ka hije ta shpëtosh përsëri.

Kundërshtime, miratim, ilaritet, zhurmë përsëri. E vajtova që nuk kisha një megafon me vete. U mbusha me frymë, u rregullova mirë mbi mbajtësen katrore të trungut të një peme dhe thirra me sa fuqi që kisha:

- Askush s’po shpëton askënd. Dëgjoni! Këto që po ju them janë fjalët e krerëve të opozitës. Kush kalon sot atë derën aty nuk është pjesë e opozitës që ka thirrur këtë demostratë.

Kësaj radhe zërat miratues i mbyten zërat  kundërshtues. Por dikush nga e majta ime ia doli të thoshte diçka që u dëgjua:

- Ej, ju keni thënë se kjo demostratë është e lirë, pse po flisni si drejtues tani?

Nuk u përpoqa fare t’i përgjigjesha. Ndjeja një shqyerje në laring. Nuk kishte as kuptim. Thjesht tunda gishtin në shenjë mohuese “jooooooooo” dhe mendova  si shumëzohet zinxhiri i keqkuptimeve politike prej fjalëve të hedhura qesim.  

Mu afruan pesë gjashtë djem rreth të tridhjetave  a pakmë shumë. Këtu nuk e merr vesh i pari të dytin, kemi nevojë për një megafon, më thanë. Në fakt kishin nevojë për drejtim. Megafoni ishte emri i drejtimit të munguar. U thashë nuk kemi shpejt për shpejt, po të gjenim ndonjë do t’ua dërgonim, por ata mund ta  përhapnin gojë me gojë porosinë e opozitës. Kishin folur edhe Milo, Ndoka dhe Dule  në pikat e tyre. Ishin angazhuar edhe deputetët  socialistë të vendosur qysh në fillim pranë kullave binjake. Nuk besoj se kishte mbetur ndonjë pjesë  e hapësirës para kryeministrisë e pambuluar me mesazhin e përmbajtjes.

U kthyem nga kishim ardhur për t’i njoftuar gjendjen Edi Ramës. Ora kishte kaluar tre e gjysmën. Akrepi i minutave po ngjitej ngadalë në të përpjetën  e vet duke tërhequr padukshëm akrepin e vogël drejt katrës.  Ku ishin ata që do të vriteshin ndërkohë? Ziver Veizi duhej të ishte diku në  mes të bulevardit me gjirokastritët e tij, Hekuran Deda poshtë podiumit të televizonit ABC, në mos ishte ngjitur në të për të parë më mirë  rreth e rrotull,  Faik Myrtaj në pjesën tjetër të bulevardit duke pjekur mendimin me shokët e tij fierakë për të marrë dalngadalë rrugën e  kthimit në shtëpi, Aleks Nika, lezhjani që do të vritej i fundit, duhej të ndodhej në trotuarin para kullave binjake, duke  pritur edhe ai momentin për t’u larguar bashkë me shokët.

Rama nuk kishte lëvizur nga vendi ku e kishim lënë në hyrje të parkut “Rinia”. I rrethuar nga njerëzit e stafit tëtij dhe nga qytetarë të shumtë, ai dukej akoma më i prerë  në fytyrë, por edhe i paduruar. Të jepte përshtypjen se përtej qetësisë së tij të jashtme pulsonte ngadalësia torturuese  e numërimit mbrapsht të minutave të asaj demonstrate. I treguam çfarë kishim parë. Policia ishte tërhequr, kryeministria dukej pa mbrojtje , por në thellësi të oborrit të brendshëm të godinës, prapa xhamave dhe dyerve ndihej një lëvizje e ethshme trupash, siluetash, ecejakesh.  Demostruesit, në përgjithësi, nuk e kishin menduar fare hyrjen në godinë, përndryshe nuk do të kishin hipur mbi kanxhella me fytyrë nga bulevardi, por do të kishin vazhduar përpara sapo e kishin parë rrugën të hapur. Gjithsesi, gjendja atje i ngjante një kazani ku zienin lloj-lloj mendjesh e pasionesh. Prandaj ishte mirë të gjenim një megafon e të çonim dikë që të fliste herëpas here…

Edi Rama dëgjonte mendjetretur. Ndërkohë ishte hequr block-aut-i i kompanive celulare në kuadratin e  demostratës. Ai ishte lidhur e po vazhdonte të komunikonte me celuar me deputetë të partisë së tij. Në një prej lidhjeve i foli dikujt me ton  “mblidh njerëzit dhe kthej mbrapsht”. Vijoi t’u kërkonte deputetëve socialistë t’i  hiqnin njerëzit nga pjesa e bulevardit para kryeministrisë  dhe t’i nisnin drejt sheshit “Skenderbej”. Në të vërtetë demostrata kishte filluar të shpërndahej. Me qindra mijëra njerëz po largoheshin në drejtime të ndryshme. Daljet në unazën e vogël tregonin një pafundësi shpinash që përparonin ngadalë nga kishin ardhur.  Po iknin. Nuk prisnin  falenderime, fjalime.

Por ndërkaq, mesazhe të kundërta  apo vetë dinamika  konfuze e zhvillimit të demostratës kishin prodhuar  një shtysë të  kundërt me qëndrimin  në vend apo tërheqjen e njerëzve nga bulevardi. Rreth njëzet  minuta  pasi ishim larguar  unë, Milo, Ndoka dhe Dule një grup i vogël demostruesisht kishin rrëzuar mes ovacionesh derën kryesore të rrethimit të kryeministrisë dhe kishin përparuar një apo dy hapa në oborr. Komandanti i njësisë  numër 2 të Gardës, D.Shehu, u bëri thirrje me megafon të prapsoheshin,  duke u kujtuar se kishin hyrë në zonat e sigurisë dhe se ndaj tyre do të veprohej sipas ligjit. Për një çast grupi i demostruesve përballë tij as u spraps, as përparoi, por qëndroi në  vend sikur po testonte vedosmërinë e oficerit. Sakaq, një njësi gardistësh me skafandra dhe shkopinj gome u hodh në sulm kundër tyre duke i shtyrë matanë portës. Siç do shihej me  dhjetra   herë atë mbrëmje, të nesërmen dhe më vonë në filmimet live të disa televizioneve, ata pak njerëz  të përfshirë në sprovën e kotë të shkeljes së vijës së kuqe, e mblodhën mendjen dhe nuk provuan më të hynin në oborrin e kryeministrisë. Qëndruan në territorin e tyre, që ishte trotuari dhe bulevardi. Demostruesit e tjerë, deputetët socialistë dhe punonjësit e policisë bashkiake që u ndodhën aty  pranë i qortuan.

Një veturë shkatarraqe ishte shtyrë ndërkohë të hynte brënda rrethimit të kryeministrisë dhe ishte përplasur në pengesën prej betoni të portës hyrëse. Pati hamendje sikur ishte makinë-bombë e  mbushur me tritol. Trupat speciale e kontrolluan dhe nuk gjetën gjë prej gjëje.  

Garda e kontrollonte plotësisht territorin dhe situatën. Por nga urrejtja që ishin qëlluar me gurë, apo nga frika, teksa e mendonin taktike dhe të përkohshmë tërheqjen e demostruesve të kreut, apo kushedi për çfarë arsyeje tjetër, gardistët e njësisë speciale të grupit të zjarrit, ca në këmbë e ca të pozicionuar, kishin filluar të hapnin zjarr.

Ne i ndjenim që nga hyrja e parkut  “Rinia” breshëritë e shkurtra dhe të gjata të automatikëve. Nuk mund ta kuptonim prej aty ku ishim çfarë po ndodhte. Ngjarjet e mëdha ishin ngjizur gjithnjë  përgjatë një fraksioni të vogël, të ngjeshur e të errët kohe, ku përmblidhej përpjekja dhe thirrja finale e çlirimit. Kështu kishte ndodhur kur një grusht njerëzish kishin rrëzuar monumentin e  Enver Hoxhës në sheshin “Skenderbej”.  Ndoshta diçka e ngjashme po ndodhte edhe tani. Ne flisnim për përmbajtje për të qenë brenda, si politikanë të demokracisë, por populli mund ta kalonte vërtetë opozitën e tij.

Nuk ishim në gjendje të dallonim a ishin fishekë luftarakë, plumba gome apo edhe ashtu edhe kështu ato që po shkreheshin dyqind metra larg nesh, në thellësi të një mase tashmë të shkrifët njerëzish, që ndante vendqëndrimin tonë nga ndërtesa e kryeministrisë. Por nuk dyshonim atbotë se Garda po qëllonte në ajër. Në vështrimin tonë ishte një gjest i pakuptimtë, sa kohë që demostrata po shpërndahej. Megjithatë, ndoshta dikush kishte nevojë të tregonte trimëri, ndonjë burracak kishte nevojë të mburrej. Pa përjashtuar tjetrën: atyre që në krye të herës kishin hedhur mbi demostratën “parfumin” mbytës të gazit lotsjellës, u shijonte ta mbyllnin atë dafrungë  me aromën e barutit. Për të ekspozuar kësisoj  forcën e pathyeshme të shtetit përballë forcës së thyeshme tëopozitës. Mirë. Le të kënaqeshin ashtu. Veç të mos urdhëronin uljen e grykave  të armëve në lartësinë e trupit të njeriut.

Por armët që kishin qëlluar në ajër në momentet e tensionuara të demostratës, papritur do të uleshin në lartësinë e trupit të njeriut kur demostrata po shkrifërohej e po shkrehej dhe para kryeministrisë kishin mbetur aq njerëz sa në boshllëqet e krijuara mund të hidhej valle. Tre demostrues u vranë njëri  pas tjetrit në ato sekonda fatalë: Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. I katërti, Aleks Nika, u godit për vdekje dhe do të ndërronte jetë pas dy javësh në një spital të Stambollit. Vrasja e Ziverit nga shefi i shtabit të njësisë speciale (Grupi i zjarrit), Agim Llupo, u filmua live nga kamerat e televizionit News 24. Gardisti me një fytyrë të prishur eci dy- tre hapa duke qëlluar sikur po i bënte nxemje automatikut të tij, pastaj u pozicionua në një si gropë para një parvazi të bodrumit të kryeministrisë. Prej atje u pa të merrte shenjë dhe të hapte zjarr në drejtim të një mesoburri rreth të dyzetave, me pallto treçerekeshe, që ishte ndalur në bulevard, me duart në xhepa, disa metra para derës së rrethimit të jashtëm të kryeministrisë dhe po vështronte si i habitur ndërtesën. Dukej tamam si ata vizitorët e rretheve që ndalen të kundrojnë godinat qeveritare  për  të shuar kuriozitetin; dukej si dikush që ka pritur e ka pritur derisa janë rralluar njerëzit  për t’ju afruar  sadopak objektit të kërshërisë së tij. Si po i dukej kryeministria? Ç’po mendonte vallë duke parë gjithë ata gardistë të armatosur në oborrin përballë? A e dallonte egërsinë dhe tërbimin në fytyrat e tyre? A po i dëgjonte të shtënat? Apo ishte harruar në botën e tij, në ëndërrimet e tij? Këtë përshtypje të jepte-përshtypjen e një të shkëputuri nga zallamahia rreth e rrotull-në  sekondin para se të qëllohej brinjë me brinjë, nga ana e zemrës, me një goditje profesionisti që nuk linte asnjë mundësi shpëtimi. U shkreh sikur po permendej, sikur po e nxirrnin nga jermi, gjithë hutim; ra në kurriz i fikur, duke i marrë me vete përgjithmonë përgjigjet e pyetjeve të mësipërme, të cilat nuk do t’i ishin bërë kurrë po të mos vritej aty ku u vra.

Hekuran Deda, një dibran rreth të tridhjetave, i shpërngulur me familjen në fshatin Laknas të Tiranës, qe vrarë sakaq disa metra me tutje. Plumbi  i gardistit vrasës e kishte goditur në kokë në podiumin e televizionit BBC, ku ishte ngjitur për të parë më mirë dhe ndoshta edhe për të qenë më i mbrojtur, duke shkuar me mendimin se karakollët e mediave nuk prekeshin, madje ruheshin nga forcat e rendit. Llogari fatalisht e gabuar. Plumbi e kishte gjetur atje, duke e shembur nga podium në trotuar; gazetari i televizionit BBC, Fatos Mahmutaj, që po e ndiqte demostratën nga i njëjti podium, u plagos në dorë njëherësh me Hekuranin. Fati nuk deshi ta merrte atë çast në botën e të shumtëve. Por do ta degdiste në rrugët e Europës në kërkim të drejtësisë për tmerrin që i kishin parë sytë.

Dyzet metra më tej, në anën  tjetër të trotuarit, arma e komandantit të gardës Andrea Prendi, një pistoletë tip “bereta”, kishte rrëzuar përtokë një  pesëdhjetë e shtatëvjeçar nga Fieri, Faik Myrtajn dhe me gjasë një tridhjetë e gjashtë vjeçar nga Lezha, Aleks Nikën. Faiku ishte qëlluar në gjoks, Aleksi në kokë. I pari kishte vdekur në vend, i dyti jepte akoma shenja jete. Ndryshe nga Llupo,  Prendi nuk ishte filmuar nga kamerat e televizoneve duke hapur zjarr. Ekspertiza e FBI-së amerikane do të provonte më vonë se arma e tij  kishte qëlluar njëmbëdhjetë herë në drejtim të turmës. Hetimi i mbështetur në ekspertizën amerikane dhe në provat e tjera të mbedhura në vendin e gjarjes do të provonte se Prendi, Llupo dhe pjesëtarë  të tjerë të njësisë speciale kishin qëlluar mbi dyzet herë në drejtim të turmës dhe ishte një mrekulli që nuk ishin vrarë më shumë njerëz. Trembëdhjetë shenja plumbash do të gjendeshin në  derën metalike  të hyrjes kryesore  të kryeministrisë  dhe po aq në kangjellat e pjesës  veriperendimore të rrethimit të saj. Tri predha do të gjendeshin gjithashtu në ndërtesën e UNHCR-së që ndodhej në fund të një rrugice në anën tjetër të bulevardit, në vijë të drejtë me pozicionet  e gardistëve të grupit të zjarrit.

E lëshuar, me katër të vrarët sa në një anë të bulevardit në tjetrin dhe më të plagosurit që  përkuleshin mbi plagët e tyre sikur nuk u besonin syve, demostrata, aq sa kishte mbetur, po endej si e dehur midis krismave, plumbave dhe erës së barutit. Vdekja që kishte këputur katër vetë si t’u kishte rënë pika, lëvizte dredharake midis njerëzve, por askush nuk e çante kokën për të. I kishte zënë era e barutit dhe nuk u bënte përshtypje asgjë.  Kam pas menduar gjithnjë se vrasjet e shpërndajnë turmën, siç shpërndan e shtëna me armëtrumbën e  zogjve të mbledhur në një pemë. Por nuk ishte  kurdoherë ashtu. Me 21 janar kam parë njerëz që suleshin me zemërim andej nga vinin plumbat,  kur shihnin fqinjin e tyre të panjohur t’u rrëzohej te këmbët.

(vijon në numrin e nesërm)

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH