Populli i Bangladeshit, vendi aziatik me rreth 170 milionë banorë, pret të shohë se çfarë do të ndodhë, një ditë pasi kryeministri Sheikh Hasina dha dorëheqjen dhe u largua nga vendi.
Parlamenti u shpërnda të martën - një kërkesë kryesore e drejtuesve të protestës studentore, të cilët gjithashtu kanë thënë se nuk do të pranojnë një qeveri të udhëhequr nga ushtria.
Shefi i ushtrisë së vendit ka premtuar një qeveri të përkohshme dhe tha se zgjedhjet e reja do të shpallen shumë shpejt.
Turma të mëdha sulmuan rezidencën zyrtare të Hasina-s në Dhaka të hënën ndërsa pati plaçkitje dhe trazira në kryeqytet, duke rezultuar në vdekjen e më shumë se 100 personave - e diela ishte dita më vdekjeprurëse e protestave të dhunshme.
Hasina ndodhet në Indi, por është e paqartë se ku mund të përfundojë dhe do të strehohet më tej.
Protestat e studentëve filluan në korrik me thirrjet për të hequr kuotat e punës në shërbimin civil, që favorizonin njerëzit e politikës, dhe u shndërruan në kërkesat politike që Hasina të largohej pas 15 vitesh në pushtet.
Disa nga zhvillimet kryesore të ditës në Bangladesh:
Presidenti ka shpërndarë parlamentin, duke i hapur rrugën një qeverie të përkohshme për të marrë pushtetin - një kërkesë kryesore e drejtuesve të protestës studentore
Laureati i Nobelit Muhammad Yunus thotë se është i lumtur të marrë një rol si këshilltar kryesor i një qeverie të përkohshme nëse kërkohet - një tjetër kërkesë e studentëve
Megjithatë, saktësisht se çfarë forme do të marrë qeveria e re e përkohshme - dhe nga kush do të përbëhet - mbetet për t'u parë, ushtria kishte thënë se kjo do të shpallej dje, nuk ishte
Ndërkohë, kundërshtarët kryesorë politikë – përfshirë ish-kryeministrin dhe liderin e opozitës Begum Khaleda Zia – kanë nisur të lirohen nga burgu.
Policia e vendit ka shpallur një grevë, duke thënë se ata u detyruan të qëllonin kundër protestuesve.
Dhe përtej kufirit në Indi, e ardhmja e Sheikh Hasinës duket e paqartë. Ministri i Jashtëm i Indisë konfirmoi sot se gruaja që u dorëhoq si kryeministre e Bangladeshit dje zbarkoi në Delhi të hënën mbrëma. Ajo pritet të qëndrojë “për momentin”, shtoi ai, në Indi, pa dhënë detaje të mëtejshme. Mijëra njerëz kanë dalë dje në Dhaka, pas lajmit për largimin e Hasinës.
Çfarë do të thotë kjo për Bangladeshin?
Ngjarjet e së hënës ishin kulmi i pakënaqësisë prej vitesh, duke i dhënë fund të shpejtë mbretërimit 15-vjeçar të Sheikh Hasinës në Bangladesh.
Që nga viti 2009, Hasina e drejtoi vendin me dorë të hekurt, një mbretërim që u shënua nga arritje të ekonomike, si dhe autokraci dhe autoritarizëm.
Farwa Aamer, drejtoreshë në Institutin e Politikave të Shoqërisë së Azisë, e përshkroi dorëheqjen e saj një "pikë kthese të rëndësishme për Bangladeshin" dhe një "zhvillim të madh në Azi".
Ajo parashikon ndryshime të mëdha në politikën e jashtme pas largimit të Hasinës, si brenda Bangladeshit ashtu edhe nga vendet fqinje - veçanërisht ata që e shihnin atë si një aleate kyçe.
Kina dhe Shtetet e Bashkuara gjithashtu do të vëzhgojnë nga afër, shton ajo.
"Periudha e tranzicionit do të jetë vendimtare dhe mbetet për t'u parë nëse rendi mund të ruhet pa dhunë të mëtejshme," thotë Aamer.
"Ndërsa Bangladeshi lundron në këtë periudhë të trazuar, të gjithë sytë do të jenë te ushtria."
“Do të jetë thelbësore të adresohen shkaqet themelore të trazirave, duke përfshirë pabarazitë ekonomike, liritë politike dhe çështjet e qeverisjes.
E ardhmja e politikave të Bangladeshit duhet të vënë theksin mbi pajtimin, reformat demokratike dhe strategjitë e fuqishme ekonomike për të rindërtuar dhe forcuar kombin" thekson Farwa Aamer në analizën mbi situatën në Bangladesh.