Aktualitet

Nuk është në lojë Hashim Thaçi, por çështja e Kosovës!

Shkruar nga Liberale
Nuk është në lojë Hashim Thaçi, por

Alfred Peza

Anulimi i takimit të 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë, për rifillimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, po lexohet ndryshe në hapësirën shqipfolëse në Ballkan dhe ndryshe jashtë saj. Në Prishtinë, Tiranë, Tetovë a gjetkë, kundërshtarët politikë të Presidentit të Kosovës dhe Kryetarit të PDK si edhe propaganda e tyre, po e shohin njoftimin e Zyrës së Prokurorit Special në Hagë, thjeshtë dhe vetëm si një çështje të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

Jashtë trojeve shqiptare në rajon, ajo duket sikur po lexohet ndryshe në Beograd. Ndryshe në Bruksel. Ndryshe në Berlin. Ndryshe në Londër. Ndryshe në Paris. Ndryshe në Washington. Ndryshe në SHBA. Ndryshe në BE. Kuptohet qartë se ato janë shumë të rezervuar për tu prononcuar direkt, e për të na e dëshmuar açik sesi e kanë lexuar prej tyre, anullimin e takimit të 27 qershorit për rifillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë. E sigurtë është vetëm, që do të na duhet të presim shumë kohë, për ta mësuar një ditë këtë.

Ajo që kuptohet më së shumti, është se mediat e mëdha ndërkombëtare dhe analistët e zëshëm, e shohin ngritjen e akuzave për “krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, (për afërsisht 100 vrasje të paligjshme?!), zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura” si një luftë mes SHBA dhe BE për primatin e dialogut që synon të sjellë në fund njohjen reciproke mes dy fqinjëve. E po ta shohësh nga këndvështrimi i tyre, nuk duket të janë edhe aq shumë larg të vërtetës.

Janë vetë përfaqësuesit e SHBA dhe BE, që ndihmuan për ta krijuar këtë imazh, me qëndrimet e tyre. Ambasadori Grenell, tha se “po presim që të ripërcaktojmë takimin sëshpejti”. Zëdhënësi i Komisionit Europian Peter Stano, tha se “për normalizimin ndërmjet Kosovës e Serbisë, flasim për bisedimet e lehtësuara nga BE”. Ai ritheksoi se Bruskeli prêt që bisedimet të rifillojnë në muajin korrik, siç ka paralajmëruar i dërguari i posaçëm i BE, Lajçak. Është njoftuar se më 10 korrik, në Paris palët do bisedojnë në një takim të organizuar, nga Presidenti francez Macron.

Ajo për të cilën bihet dakord në heshtje, është fakti se njoftimi i Zyrës së Prokurorit të Posaçëm në Hagë nuk u bë më 24 qershor, për të njoftuar ngritjen e akuzave ndaj Thaçit e Veselit. Koha e zgjedhur për të bërë publike diçka që kishte dy muaj që mbahej e fshehtë dhe mënyra sesi ajo ishte e formuluar në letër, tregoi se u përdor thjeshtë si një minë me sahat, për të hedhur në erë takimin mes Prishtinës dhe Beogradit në SHBA.

Kaq mjafton për të kuptuar se njoftimi i Hagës, nuk kishte të bënte fare me një raport normal të punës së institucionit, në marrëdhëniet e saj me publikun.

Kaq mjafton për të kuptuar se njoftimi i Hagës, nuk rrekej që të na informonte, rreth akuzave juridike e aq më pak, mëkateve penale të Presidentit të Republikës së Kosovës dhe ish Kryeparlamentarit të saj.

Kaq mjafton për të kuptuar se njoftimi i Hagës, nuk ka asnjë lidhje me Hashim Thaçin dora vetë, apo edhe me Kadri Veselin.

Kaq mjafton për të kuptuar se njoftimi i Hagës, nuk ka lidhje me krimet e supozuara të komandantëve të luftës së shqiptarëve për liri, kundër genocidit të makinës vrastare të Serbisë së Millosheviçit.

Kaq mjafton për të kuptuar se njoftimi i Hagës, nuk ka të bëjë me luftën e UÇK dhe aleatëve tanë të NATO-s e kryeqendrave të qytetërimit perendimor, për ti dhënë fund spastrimit më të madh etnik të pas Luftës II Botërore në Europë.

E gjitha kjo nuk është një lojë për emrat e përveçëm, kushdo e sado qofshin ato. E gjitha kjo na tregon se në lojë nuk është Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Ata janë sebepi. Shkaku i vërtetë është diçka krejt tjetër. Në lojë është çështja e Kosovës. Çështja shqiptare. Është projekti strategjik i shqiptarëve në Ballkan. Është nderi dhe dinjiteti i dy shteteve shqiptare. Në lojë është e sotmja dhe e ardhmja e orientimit tonë euro-atlantik, stabilitetit rajonal dhe integrimit të shqiptarëve.

Ndaj, sa më parë që të kuptohet kjo, aq më shpejt do të jemi të gjithë bashkë për të përballuar një nga goditjet më të pabesa që kemi marë, në 21 vitet e fundit. Pasi ta kemi amortizuar të gjithën këtë dhe ta menaxhojmë për ta rikthyer nesër në avantazhin tonë, do të dëshmojmë se jemi në lartësinë e sfidës së këtij momenti.

Sa për Hashim Thaçin e Kadri Veselin, këtu i kemi. Mund të mereni, pas kësaj, sa të doni sërisht me ta!

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH