Kryesore

Një luftë që duhet dhe do të fitohet

               Publikuar në : 09:27 - 21/03/20 Kristaq Xharo

Kristaq Xharo*

Në se globalizmi e ktheu botën në  një  fshat të  madh, korona virus  (Covid-19) e trajtoi atë si një  tullumbace. Ndërsa bota ringriti gardhet gjeografikë siç bëri 400 vite më parë(1648) në Traktatin e Vestfalisë, korona virus i treti këta kufij në më pak se 3 muaj. Më  të  fuqishmit e botës Amerika, Europa, Kina, Japonia u gjunjëzuan dhe tërhoqën brenda guaskës së  tyre. Krijesat e tyre G7 e G20, G66 humbën  jo vetëm ekuilibrin por edhe axhendat e tyre. BE po kthehet aty ku u nis, ku shtetet po ringrenë muret edhe midis tyre. Pamja po ju ngjan skenarëve apokaplitik të  Hollivudit. Duket se kështjellat më të fuqishme të botës kanë rënë dhe spitalet  po shihen si qëndresa e fundit.

Pas dy luftërave botërore dhe një  të  tretë, megjithëse e ‘ftohtë’ bota u ndodh papritur në një luftë  të re, të cilën Ajnshtajni e kish parashikuar ‘me gurë’. Merkel e krahason situatën edhe më të vështirë se Lufta e  Dytë Botërore, që mori 60 milionë jetë. Janë gati 80 vjet, që shtetet  nuk ndaluan së përgatituri për një luftë të re, për të  fundosur njëri-tjetrin, ndoshta dhe vetë botën, por ajo nuk erdhi siç pritej. Armët që do të luftonin në  tokë, det, ajër, apo yje u kthyen në lodra idiote përpara corona-virusit.

Jemi në  luftë, jo atë që planifikuam, por në një të ndryshme të pamenduar dhe paradoksale. Është  tërësisht ndryshe nga të  gjitha luftërat që  ka bërë  njerëzimi që  nga koha kur u shfaq në  ‘tufë ’, ndoshta 7 000 vjet më parë. Tashmë, të gjithë liderët e deklarojnë luftë totale, që nuk filloi as me shpallje, ultimatume, as me avionë, tanke e artileri.

Armiku nuk është aspak siç e njohim dhe e kemi shkruar në  strategji, doktrina. Ai u shfaq atje ku dhe kur nuk pritej, atje ku ndoshta ishim më të dobët. Corona virus zhduku idenë e luftës me uniformë, më armë dhe me fronte. Ai hyri si ‘kolonë e pestë’ e goditi në pikën më të dobët. Efektet janë të paparashikueshme.

Flasim për luftë, por jemi mësuar të luftojmë me objektiva të dukshëm, me strategji në mësymje apo mbrojtje, me fronte dhe thellësi luftimi, me epërsi në forca dhe teknologji. Asnjë prej këtyre standarde nuk njeh dhe respekton kundërshtari. Gjeneralët e mjekësisë vlerësojnë se kundërshtari është  i padukshëm, por edhe dinak edhe mjaft inteligjent.

Çfarë duhet e mund të bëjmë? Ashtu siç paraqitet situata edhe ne duhet të vazhdojmë të bëjmë luftën tonë, me një strategji afatgjatë që na mundëson vetëm fitoren.  Aktualisht ne po bëjmë të njëjtën skenarë që po aplikon edhe bota, vende të mëdhenj e të fuqishëm, por edhe të vegjël e delikat. Ne nuk kemi kapacitete luftarake kundër këtij virusi që kanë vendet e perëndimit. Në pamjen që duket, vështirë se do të kemi edhe aleatë të fuqishëm.

Të gjithë aleatët po bëjnë luftërat e tyre. Ata ndjehen të pushtuar nga virusi, kaosi dhe paniku, por edhe me kapacitete të pamjaftueshme për këtë lloj lufte. Edhe pse agresori është global, vendet çuditërisht kanë ‘zgjedhur’ ta luftojnë atë nacionalist. Megjithëse i vështirë edhe suksesi do të jetë fillimisht. Në mungesë të aleatëve, ose deri kur ata mund të ndihmojnë, mbetet të mbështetemi dhe të luftojmë tërësisht ose kryesisht në kapacitetet modeste kombëtare.

Ndryshe nga luftërat klasike, sot, çuditërisht, spitalet dhe armata e mjekëve ndodhen në vijën e parë e të fundit të mbrojtjes. Ky fakt është sa ironik po aq edhe i vështirë, pra, kur vija e parë  bashkohet me vijën e fundit. Më parë e deri në këtë kohë, në çdo luftë, spitalet kanë qenë diku në thellësi, shpesh herë përtej zonës së luftimit. Qëllimi ishte që armiku të dëmtohej, të goditej rëndë, pa arritur të kalojë vijat e luftimit. Simbolikisht dhe realisht ne duhet të ringrem vijat dhe frontet…të pengojmë armikun (korona virusin) të plagos njerëzit aq rëndë sa të përfundojnë në barelat e spitalit.

Humbja e avantazhit dhe mundësisë  për ta goditur armikun në kohë dhe hapësirë, e për ta dobësuar në rrugën e lëvizjes, nuk do të thotë se lufta nuk mund të vazhdojë e të ketë sukses. Ekziston plotësisht aftësia dhe mundësia për të krijuar kohë dhe hapësirë për ta mundur virusin.  Armata e mjekëve ka nevojë për fronte të tjera lufte kundër korona virusit dhe për aleatë në betejën e tyre heroike.

Përderisa e konsiderojmë luftë duhet të sillemi dhe të respektojmë parimet e arta të saj. Kjo është  një  luftë ‘totale’ dhe ndaj duhet luftuar si e tillë. Të gjitha burimet e fuqisë vendosen në funksion të luftës. Të  qëndruarit jashtë kontaktit është  një  taktikë që  ka dhënë efekt, vetëm për të  ndihmuar sadopak raportin e forcave në  luftën që po bën armata heroike e shëndetësisë dhe gjithë  strukturat shtetërore: polici, ushtri e deri punonjësit komunalë.

Duke qenë  luftë  totale ajo do të duhet të bëhet me të gjitha armët dhe kapacitetet e fuqisë, ku të  gjithë  marrin pjesë  dhe kontribuojnë  jo thjesht në mënyrën e vet, por tepër të centralizuar. Por, ndryshe nga çdo herë tjetër, kjo luftë tashmë  do të  bëhet në një territor, ku korona gati e ka pushtuar dhe e mban nën terror e panik. Vullneti që secili të bëj atë që na kërkohet është kontributi më i mirë për veten, komunitetin dhe kombin.

Kjo luftë fitohet larg dhe jashtë spitaleve, le ta mundësojmë atë. Le ta zhvillojmë atë në shtëpi, rrugë, komunitet e më larg. Lufta fitohet me strategji, por secili nga ne mund të bëjmë e fitojmë betejat tona të ‘vogla’. Kjo luftë duhet dhe do të fitohet./Gazeta Liberale

*Kristaq Xharo : Profesor i Çështjeve Ndërkombëtare të Strategjisë (UET)

 

 

Tags: ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back