Editorial

Një jetë në diktaturë

Shkruar nga Liberale
Një jetë në diktaturë

(Kujtime të një “armiku të klasës”)

“Ktu vaji e trishtimi

Veç ndihet ndër shpija

Ktu ndihet tingllimi

I hekrave të mija

E gjama e nji të shkreti

Qi bjen vala e detit.”

NDRE  MJEDA

Eugjen Merlika

PROÇESI GJYQËSOR DHE BURGU I SPAÇIT

Një mori pyetjesh të tilla godisnin trurin tim në vetminë e qelisë e përgjigje s'kishte. Përgjigjen e mora në ballafaqimin me të në prani të hetuesit e të një oficeri tjetër, operativ i zonës sonë. Ai ruante gjakftohtësinë deri në cinizëm, ishte i vendosur në pohimin e padive që kishte bërë prej disa vjetësh. Dukej se nuk e vriste ndërgjegja aspak, përkundrazi ishte krenar, sepse i bënte një shërbim të madh Partisë dhe Shtetit. Vendosmëria e tij shkoi deri aty, sa që dëshmitare për bisedat tona u paraqit edhe gruaja e tij, proçedurë e parregullt nga ana juridike, por e pranueshme për hetuesinë dhe gjykatën tonë.

Ballafaqimin e vërtetë me diktaturën e pata në bisedën me kryetarin e Degës së PB-së, Kapllan Shehun, personifikim tipik i kriminelit të lindur. Ai ishte kunati i Kadri Hazbiut, atë kohë Ministër i Mbrojtjes dhe i priste shpata në të katër anët. Kërkonte prej meje një raport të detajuar të të gjitha bisedave që kisha bërë gjatë njëzet vjetëve me të njohur e të panjohur, kërkonte që nëpërmjet meje të fuste në burg persona të tjerë. Kjo ishte praktika e zakonshme e zanatit të tij, praktikë që shumë njerëz e kanë provuar personalisht. Në kundërshtimin tim ai u shpreh: "Jo vetëm ti do të kalbesh këtu, por unë do ta lë me testament që edhe fëmijët e tu të përfundojnë në burg. Familja do të internohet në Grabian ose në Bedat". Një sadizëm të tillë nuk e kam hasur në asnjë faqe libri që më ka rënë në dorë, besoj se nuk ekziston as në proçeset e famshme të Moskës së viteve tridhjetë. Kjo ishte fytyra e vërtetë e përfaqësuesit të diktaturës së kuqe të markës shqiptare. Për ironi të fatit dhe me vullnet të Zotit ky njeri përfundoi në burg vetë mbas tre vjetësh të kësaj bisede. Atje ai njohu në kurrizin e tij se ç'ishte dhuna dhe provoi dajakun e të burgosurve mbi të cilët kishte ushtruar dhunë.

Përse u dënova unë? Disa nga akuzat ishin këto:

  1. Kisha thënë se gjyshi im kishte patur aktivitet patriotik deri në kohën e pushtimit.
  2. Kisha thënë se ne nuk i rezistojmë dot një sulmi ushtarak të superfuqive.
  3. Kisha thënë se femra shqiptare nuk e ka emancipimin e femrës evropiane.
  4. Kisha shprehur mendimin se nga gjithë profesionistët, mësuesit më dukeshin më të paaftët në punën e tyre.
  5. Kisha dëgjuar mesazhin e Papës me rastin e Krishtlindjeve.
  6. Kisha lexuar Dostojevskin.
  7. Kisha thënë se një personi që bën tetë fëmijë nuk i ka faj Shteti për varfërinë e tij.
  8. Kisha ngushëlluar paditësin tim me rastin e pushkatimit të kunatit të tij me shprehjen "Ky paska qenë fati i tij". Ai e interpretoi sikur kisha akuzuar organet e Drejtësisë se e dënuan kot. Për çudi mua më kishte ardhur më shumë keq se sa paditësit, megjithëse nuk e njihja fare kunatin e tij.
  9. Isha fatalist dhe besoja në ekzistencën e Zotit.
  10. Kisha thënë që lufta e klasave zhvillohet e ashpër karshi nesh mbasi nuk na lënë të punojmë as në zanatin e muratorit.
  11. Kisha thënë se në Itali jetohet më mirë se në Shqipëri.

Këto e të tjera biseda që s'i mbaj mend përbënin “krimin” tim kundër Shtetit, për të cilin trupi gjykues vendosi të më dënojë me tetë vjet heqje lirie. Ajo që është për t’u theksuar mbetet fakti se këto biseda i kisha bërë vetëm me një njeri, mbasi në gjyq ato nuk i vërtetoi askush tjetër. Lexuesi mund të marrë me mend se çfarë “rreziku” i vinte pushtetit  prej tyre e se sa “e besueshme!” ishte drejtësia “popullore”, që kishte hequr si “ të panevojshëm e të kotë” edhe insitucionin e avokatit mbrojtws. Më kujtohet një shprehje e bukur e Kryetarit të gjyqit që më tha ndërmjet të tjerash për Dostojevskin: "Edhe unë e kam lexuar atë, por ç'pate që ia the këtij!” duke treguar me dorë dëshmitarin tim.

Mbas dënimit tim Kapllan Shehu dhe Kosta Ndini vazhduan proçesin kriminal ndaj familjes sime. Internuan nënën dhe gruan (babai ishte me kohë i internuar) dhe një ditë makina shkoi te dera dhe ngarkoi plaçkat. Familja ime përfundoi në Grabian, një vënd internimi rrëzë kodrave, tetëmbëdhjetë kilometra larg qytetit të Lushnjës.

Un përfundova në Spaç të Mirditës. Spaçi, tashmë me famë botërore, ishte një burg natyror. Një gropë mes maleve të Mirditës, ishte zgjedhur si vënd dënimi nga ish ministri Koço Theodhosi dhe,  për ironi të fatit, aty ndodhej vëllai i tij i burgosur. Atje takova shokët e mi që ishin arrestuar para meje dhe u njoha me të tjerë. Ishte një kamp i tejmbushur në atë fund viti të 1980-ës, një vend terrori ku ishin në fuqi dënimet dhe ridënimet, ku mbahej në fuqi regjimi special i vendosur mbas kryengritjes që kishte shpërthyer aty në  majin  1973. Kishte njerëz nga të gjitha karakteret. Kishte të tillë që prej më shumë se dhjetë vjetësh në atë ferr përballonin me dinjitet të admirueshëm vuajtjen dhe të impononin respekt. Kishte nga ata që paguanin çmimin e ndershmërisë së tyre, sepse s'kishin pranuar diktatin e së keqes në karakterin e tyre por kishte dhe nga ata që ishin mishërim i së keqes; një i burgosur që merrej me leximin e shtypit kishte vrojtuar një bari në një stan përballë kampit që nuk respektonte orarin e nxjerrjes së dhive dhe kishte sinjalizuar, me një letër për këtë dukuri Komitetin e Partisë në Rrëshen; një brigadier i dënuar me njëzet vjet padiste policin në komandë se nuk vjen të detyrojë të burgosurit të punojnë; të tjerë, të burgosur në Zejmen, i shkruanin Ministrisë se komisari sillej mirë me të burgosurit në një kohë që ai bënte detyrën e tij, por me njerëzi e pa harbutllëk. Këta tipa t’a vështirësonin jetën atje, t'i shtonin vuajtjet.

Puna në minierë kishte vështirësitë e saj. Pesë muaj në galeri padrejtësisht (isha i sëmurë me ulçera në duoden e nuk duhej të më futnin në galeri) në frontet më të vështira më provokuan një krizë të rëndë në stomak, të cilën mezi e përballova me ilaçet që më dërgonte daja nga Italia. Në çdo fillim pune lusja Zotin të më shpëtonte, dhe e falenderoja kur dilja. Rrezikut i kam shpëtuar disa herë. Në një galeri isha duke shkarkuar vagonin kur ndodhi shembja pikërisht aty ku ngarkoja unë. Muajin tjetër në atë front u vra një djalë nga Shkodra. Tragjedia ishte pranë në çdo moment, por njeriu mësohet me të keqen dhe nuk i bën më përshtypje. Aty qëndrova një vit e gjysëm, e një ditë maji 1982, u transferova në Zejmen ku ngrihej një kamp i ri. Aty kushtet ndryshonin shumë nga ata të Spaçit e ne na u duk gjysëm lirimi.

Grabian, qershor 1990

Vijon.../Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH