Kombëtarja e Shqipërisë është nisur sot drejt Polonisë, ku edhe ka zhvilluar seancën stërvitore.
Trajneri Sylvinho ka eksperimentuar disa skema por ajo që bie në sy është skema me 3 sulmues.
Kështu, në Varshavë të hënën në orën 20:45 do të rreshtohen Hysaj e Balliu nga krahët si dy emra që ofrojnë shumë siguri ndërsa në mbrojtje Kumbulla është emri më i sigurt dhe përkrah do të ketë një mes Mihaj apo Veselit edhe pse gjasat janë që shtatlarti i cili aktivizohet në Itali, të marrë minutat e plota.
Dilemat më të mëdha janë në repartin e mesfushës nëse Sylvinho do të luajë me dy lojtarë të tërhequr apo do t’i japë më shumë fantazi se muskuj skuadrës. Ramadani do të jetë diga përpara mbrojtjes ndërsa Abrashi dhe për më tepër Laçi mund të veprojnë disi më të avancuar edhe pse në këtë repart mund të ketë vend edhe për Bajramin, ndërsa Asllani dhe Gjasula nisen nga stoli.
Edhe në sulm, përveç Uzunit që do të luajë në një nga krahët e repartit, dy zgjedhjet e tjera janë Cikalleshi si një pykë dhe Seferi që po kalon moment të mirë në Ukrainë.
Shqipëria e tij është gati dhe trajneri Silvinjo duke se mezi po e pret ndeshjen e së hënës me Poloninë.
“Po, jemi gati. Pas dy muajsh e gjysmë punë, për të kuptuar pak lojtarët shqiptarë, flasim praktikisht për 70 lojtarë të monitoruar nga stafi, kemi parë 240 lojtarë dhe zgjedhur 23 për të bërë këtë ndeshje. E dimë që është ndeshje e vështirë, por do të luhet, janë 90 minuta për t’u luajtur. Janë të fortë, por jemi të lumtur me punën me të gjithë dhe atmosferën që kemi filluar të krijojmë me ta. Kemi një shans gjithmonë por të gjithë së bashkë është më e lehtë”.
Në konferencën e tij të fundit për shtyp të dielën, braziliani i stolit kuqezi ka theksuar se tashmë e njeh ekipin dhe formacionin e ka të qartë.
“E kemi vendosur ekipin. Siç e thashë jemi gati, por jemi gati të 23. Ajo që duam është punë grupi, atmosferë dhe ambient i mirë dhe Cikalleshi është një prej tyre, i rëndësishëm, i fortë si të tjerët. Kemi formacionin titullar që do të shihni nesër. E rëndësishme për mua, pasi i njoha të gjithë, i stërvita, ishte të përçoja idenë e futbollit që kemi ne që mund të përforcojë të gjithë këta lojtarë. Pastaj të shkojmë në fushë mirë. Kjo është ajo që duam. Është një ndeshje e fortë, por jemi në gjendje ta përballojmë. Gjëja më e bukur që kam mësuar në karrierë janë 90 minutat, aty luhet”.
Duke folur për kundërshtarin e parë në këto Eliminatore, Poloninë, 48-vjeçari ka kërkuar përqendrim nga skuadra përgjatë 90 minutave.
“E rëndësishme është të hyjmë mirë në fushë, me idenë e grintën e duhur. Pastaj të rëndësishme janë të gjithë minutat, nga fillimi në fund, kjo do të thotë një nivel përqendrimi të rëndësishëm. Ia kam kërkuar lojtarëve. Unë i kam parë të gjitha, gola në fillim apo në fund, por futbolli është kështu. Duhet një nivel i lartë përqendrimi e duhet ta kuptojmë që nuk janë vetëm 20 minutat e parë. Unë nuk arrij në konkluzione me 90 minuta, Polonia është e fortë, e mësuar të shkojë në Evropianë, me lojtarë të mëdhenj e trajner shumë të mirë. Ne do të bëjmë ndeshjen tonë, nuk e mendoj se nuk janë të fortë. Ne do të shkojmë të bëjmë ndeshjen tonë, pastaj ta shohim. Futbolli është futboll, ne do të provojmë të luajmë. Zgjat 90 minuta, të shohim çfarë ndodh, por ne jemi përgatitur që të luajmë e luftojmë”.
Përveç Polonisë, në Grupin E të këtyre Eliminatoreve, Shqipëria përballet edhe me Republikën Çeke, Moldavinë dhe Ishujt Faroe.
Sulmuesi i Kombëtares, Sokol Cikalleshi theksoi se kjo sfidë është shumë e rëndësishme. Ndër të tjera, sulmuesi kuqezi u shpreh se objektivi kryesor është fitorja
“Sigurisht që Polonia është një ekip shumë i fortë dhe ne e dimë këtë. Para tri ditësh humbi kundër Çekisë, duke pësuar dy gola. Megjithatë është një ekip i fortë por ne jemi fokusuar te puna jonë, tek ekipi ynë. Edhe me trajnerin jemi munduar që të krijojmë një ekip kompakt dhe të kemi shpirtin e garës që mund të na çojë në arritjen e rezultateve”.
“4-3-3? Është një skemë klasike në futboll ku çdo lojtar e ndjen veten komod, por është fusha ajo që tregon rezultatet, që tregon nëse një skemë është e mirë apo jo. Duke qenë se me skemën 3-5-2 nuk kemi arritur aty ku duam, me një skemë të re, ku edhe lojtarët ndihen më mirë, duke i shtuar edhe harmoninë në grup dhe shpirtin e garës, besoj se mund të bëjmë diçka më mirë për të bërë hapin që kërkojmë të gjithë”.
“Mungesat? Ne jemi një Kombëtare e vogël dhe shumë lojtarë janë të rëndësishëm, nuk kemi një duzinë lojtarësh ku trajneri ka luksin për të bërë zgjedhjet më të mira. Lojtarët këta janë. Nuk fokusohem shumë tek ajo që më mungon, por tek ajo që kemi”, tha Cikalleshi.
“Ne e dimë që përballë kemi një ekip shumë të fortë dhe duke qenë një ekip që të vë në vështirësi me lojtarët kualitativë që ka, ne, duke bërë analizën gjatë kësaj jave, kemi arritur në analizën që mos t’i japim hapësirë Polonisë, sepse është një ekip që luan vertikalisht dhe shumë i rrezikshëm kur të kundërsulmon, sidomos kundërsulmet në hapësirë. Dhe për këtë duhet të jemi një ekip kompakt, për mos t’i dhënë hapësira. Për më tepër, Polonia humbi para dy ditësh. Me patjetër do ta kërkojnë fitoren. Ne duhet të përfitojmë nga humbja e tyre dhe t’ia arrijmë që në momentet kur Polonia të ketë disbalancat e veta për të fituar, t’i godasim”.
“Që do të jetë stadiumi plot, kjo është kënaqësi për ne sepse ne tashmë jemi një ekip që kemi vite që luajmë me njëri-tjetrin dhe kemi karrierë të gjatë nëpër ekipet tona. Kështu që futbolli pa tifozë është i mangët. Për ne është kënaqësi. Sigurisht që tifozët janë në favor të Polonisë. Por ne jemi të gatshëm, së bashku me trajnerin, të bëjmë një performancë të mirë. Për t’i dhënë edhe përgjigje pyetjes, duke qenë se kjo është ndeshja e parë për trajnerin Silvinjo, na bie që të bëjmë dyfishin e punës për ta bërë trajnerin të lumtur pas ndeshjes”, u shpreh sulmuesi kuqezi.