Duke nisur nga dita e sotme deri më 3 gusht, të gjithë maturantët që duan të vijojnë studimet e larta, duhet të aplikojnë për të zgjedhur degët ku do të studiojnë. Aplikimi bëhet në portalin U-Albania.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, inkurajon studentët që të mbështeten në prirjet dhe pasionet e tyre, por gjithashtu që të konsultohen edhe me mësuesit e prindërit, në mënyrë që të bëjnë zgjedhjen e duhur dhe të rrisin më shumë mundësitë për të fituar programin më të përshtatshëm për ta.
“Do t’ju ftoja që të keni në vëmendje maksimale edhe programet e studimit që ne i kemi cilësuar si prioritet kombëtar. Siç e dini, këto programe lidhen me disa fusha të shkencave humane, mësuesisë, shkencave natyrore, inxhinierisë, bujqësisë dhe fushës së shërbimeve. Studentët ekselentë dhe ata që zgjedhin programet prioritare do të përfitojnë përjashtim nga tarifat dhe bursa mujore me vlerë sa paga minimale, sipas parashikimeve të VKM-së Nr. 386 të miratuar në qershor të këtij viti,” shkruan ministrja.
Kushi jka ftuar të rinjtë dhe të rejat nga Kosova, që të aplikojnë për të ndjekur studimet e larta në universitetet tona, me të drejta të barabarta njësoj si studentët në Shqipëri.