Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian do të mblidhen sot për të diskutuar për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ky takim vjen në një kohë kur edhe pak ditë na ndajnë nga vendimi, si dhe në një kohë kur vendet anëtare e kanë shprehur mendimin e tyre qartazi.
Çështja do të trajtohet fillimisht në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare, për të kaluar më pas në Këshillin Europian.
Nuk ka ende një informacion zyrtar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, por tashmë në mediat e huaja "gumëzhin" lajmi se Franca është kundër hapjes së negociatave.
"Franca u bëri me dije vendeve të tjera të Bashkimit Evropian këtë javë se ishte kundër fillimit të negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë tani për tani", thanë burime diplomatike për Reuters të enjten.
Në pozicion pritës këto ditë të fundit kanë qëndruar Danimarka dhe Holanda, dy vende që më herët kanë dalë hapur kundër hapjes së negociatave.
Ndërsa Bundestagu hapi dritën jeshile rreth një javë më parë. Mesa duket fjalën tashmë e ka Franca.
E deri në marrjen e një vendimi, nuk na mbetet gjë tjetër, por të presim se ç'do ndodhë! /Gazeta Liberale