Deputeti i PD, Saimir Korreshi ka folur dje në Kuvend për gjendjen e vështirë të qytetarëve e fermerëve në Lushnjë, zonë të cilën përfaqëson në parlament.
Një prej problematikave ishte dhe ajo e spitalit të Lushnjës, ku tha se të del miu nga këmbët, apo çështja e lagunës së Karavastasë, teska as kreu i PD Lulzim Basha nuk i ka mbajtur dot të qeshurat, ashtu si deputeti socialist Damian Gjiknuri.
“Këtu u tha që ne kemi bërë shëndetësinë jashtëtokësorë. Po hajde njëherë në spitalin e Lushnjës, ke frikë të hysh e jo më të mjekohesh. Të del miu nga këmbët e mos të dish nga të vesh. Ore ku jetoni ju? Në çfarë bote jetoni? Sot Lushnja është në ditët më të varfra. A e dini se sa ka paguar një njeri për t’u kuruar. Për t’u ndjekur me infermierë në shtëpi sepse të gjithë kanë ndjekur regjimin shtëpiak, sepse u hap se po shkove në Tiranë kthehesh me arkivol. Kjo ka ndodhur. Nuk të vjen infermieri pa 50 mijë lekë dita dhe ksoto për një të sëmurë ka qenë 3 mln lekë. Kjo ndodh. Thoni sporti, arsimi, kultura, cili arsim. Ju thoni do bëjmë shkolla të reja, ne nuk kemi nxënës, fëmijët kanë ikur në emigrim. Ju notoni nëpër ëndrra. Notoni se këtu po vjen kometa Hallej, se këtu po bëhet nami. Ne jemi eksportuesit e parë në botë. Çfarë eksportuesish jemi ne. Ne po të prekni dhe po të shikoni se çfarë ndodh atëherë do kuptoni që nuk e njihni bazën”, tha deputeti i Lushnjës.