Editorial

Në politikë nuk ka vend për sekrete

Shkruar nga Liberale
Në politikë nuk ka vend për sekrete

Klementin Mile

Shpesh politikanët harrojnë të vërtetën esenciale të politikës: që ajo është një gjë publike. Kjo jo vetëm në kuptimin e res publica, ku materia e politikës konsiderohet të jetë me vlerë publike dhe në të mirë ose në dëm të të gjithëve. Në këtë kuptim, politika shfaqet si vendimtare dhe themeltare e jetës në komunitet. Por e vërteta esenciale e saj është diçka tjetër.

Këtë të vërtetë nuk e zbulon as shkenca politike. Kjo e fundit, kur flet për konceptimin e politikës si “çështje publike”, e trajton publiken duke e vendosur në kontrast me privaten dhe personalen. Publikja, sipas këtij konceptimi, është politike sepse lidhet me fatin e të gjithëve, ndërkohë që privatja nuk është e tillë pasi lidhet me fatin e disave dhe personalja nuk është politike sepse i referohet vetëm fatit të një personi. Shkenca politike, pra, zhvillon një kriter sasior për të identifikuar politikën.

Megjithatë, ka një mënyrë tjetër, më radikale, për ta adresuar ontologjinë e politikës. Politologjia, e cila nuk i ka kufizimet e shkencës politike, arrin në konkluzionin që politika, në esencën e vet, është publike. Por në këtë rast “publikja” është koncept tjetër. Ajo nuk kontrastohet sasiorisht me “privaten” dhe “personalen”, por dallohet cilësisht dhe radikalisht nga “sekretja”. Veprimi politik është esencialisht publik. Ai mund të përgatitet në prapaskenë, në fshehtësinë e llogarive të korridoreve formale dhe informale, mund motivohet nga interesa okulte, egoiste dhe antipopullore, por, sidoqoftë, përfundimisht duhet të shfaqet në hapësirën publike për të kërkuar legjitimitet, duke dhënë arsye për ta pranuar ose për ta hedhur poshtë.

Në këtë mënyrë, sfera sekrete ku mund të ketë lindur ideja politike, larg syve të publikut dhe gjykimit publik, nuk vlen për ta filtruar veprimin si politik. Ide të tilla, të cilat nuk hyjnë në sferën publike por vetëm diskutohen privatisht, nuk kanë cilësi politike. Ato mund të jenë më së shumti taktike, por jo politike.

Prandaj politologjia i paralajmëron për dështim të gjithë ata politikanë që e injorojnë esencën publike të politikës. Marrëveshjet “nën rrogoz”, paktet e fshehta ndërmjet forcave politike, shërbimet sekrete të politikanëve individualë, të gjitha këto mund të përdoren në politikë, por nuk përbëjnë esencën e saj. Ato nuk vendosin asgjë të rëndësishme për qeverisjen e vendit, për konceptimin dhe realizimin e së mirës, për fatet politike të partive dhe individëve. Këto marrëveshje, pakte dhe shërbime, duke qenë sekrete, përfaqësojnë vetëm dimensionin realist të politikës.

Por politika, siç e thotë në mënyrë të qartë politologu amerikan Harvey Mansfield, ka edhe një dimension idealist. Sepse e mira vetjake nuk është kurrë e mjaftueshme në vetvete; asaj i duhet një arsye për ta justifikuar (dhe nxjerrë nga sfera sekrete). Por arsyeja e përgjithëson vetjaken duke iu referuar së ngjashmes me vetjaken dhe, duke e vendosur kështu vetjaken në një klasë me të tjerët. Arsyeja e socializon dhe e politizon vetjaken. Por, nëse je në një klasë, atëherë je pjesë e një tërësie; vetjakja jote është pjesë e së mirës, e së mirës së përbashkët. Kështu realizmi transformohet në idealizëm, sekretja në publike dhe privatja në politike. /Gazeta Liberale

 

 

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH