
Ervis Iljazaj
Ajo që ka ndodhur me Parlamentin e Shqipërisë këto kohë, është shfaqja më e turpshme në të gjithë historinë e parlamentarizmit botëror. Çdo parim i përfaqësimit, i demokracisë, i shtetit të së drejtës, i konceptit të shtetit, i procedurës legjislative, është shkelur në mënyrë të përditshme dhe kjo po tolerohet nga format më absurde nga të gjithë aktorëve dhe faktorëve të shoqërisë shqiptare.
Edhe në shtetet totalitare përfaqësimi politik, qoftë ky formal apo i imponuar, është vendosur gjithmonë brenda shinave të ‘’legjitimitetit’’. Çdo veprim politik apo akt legjislativ që ndërmerret në regjimet totalitare ka një bazë përfaqësimi, i cili sigurisht është i shtrënguar, por ama formalisht ekziston.
Ndërsa rasti shqiptar, me “opozitën e re”, është një rast që nuk e gjen në asnjë vend tjetër. Zotërinj deputetë të “opozitës së re” miratojnë çdo javë ligje, reforma apo propozojnë amendamente, të cilat kthehen në veprime të detyrueshme të shoqërisë shqiptare.
Ky paradoks ka arritur kulmin me propozimet nga ana e opozitës parlamentare për të ndryshuar Kushtetutën, ose ndryshe kontratën sociale të shqiptarëve, e cila është akti më i madh i shprehjes së konsensusit nëpërmjet delegimit të sovranitetit te përfaqësuesit e qytetarëve.
Ndër të tjera, me një propozim absurd, sic është ai i ndalimit të koalicioneve zgjedhore, duke i hequr kështu një drejtë natyrore forcave politike të ndryshme që kërkojnë të fitojnë votën e qytetarëve për të qeverisur vëndin. Por përtej këtij propozimi absurd, që vjen në rastin më të mirë nga padituria dhe në rastin më të keq nga keqpërdorimi i tyre, ajo që është e papranueshme, është fakti se njërëz që nuk përfaqësojnë askënd kanë guximin dhe pretendimin se mund të ndryshojnë dokumentin themelues të një shoqërie politike.
Në emër të kujt deputetët e “opozitës së re” ngrenë kartonin për të aprovuar ligje dhe reforma?
Cila pjesë e shoqërisë shqiptare u ka deleguar sovranitetin deputetëve të “opozitës së re”?
E vërteta është se, deputetët e “opozitës së re” nuk përfaqësojnë asnjë qytetar të vetëm të shoqërisë shqiptare, dhe absurdi më i madh është pikërisht fakti se në emër të tyre aprovojnë ligje, diskutojnë për sistemin, për reformën zgjedhore apo reforma të tjera.
Përse deputetët e “opozitës së re” nuk kanë zhvilluar asnjë takim me elektoratin e tyre apo me ata që pretendojnë se i përfaqësojnë?
Madje, opinioni publik shqiptar as nuk e di fare se nga cila zonë elektorale vijnë deputetët e “opozitës së re”, pasi asnjë nga këta deputetë, që nga koha që kanë marrë mandatin, nuk kanë shkuar asnjë vizitë të vetme në zonat e tyre. Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse nuk përfaqësojnë askënd dhe kjo është çudia e madhe që po ndodh me Parlamentin shqiptar në këto kohë.
Sigurisht, deputetët e “opozitës së re” mund të jenë deputetë kushtetues, por kurrsesi përfaqësues, aq më tepër me këtë sistem zgjedhor që kemi, ku njerëzit votojnë për partitë dhe jo për deputetët. I mirë apo i keq është një tjetër diskutim, por për sa kohë e kemi, duhet ta zbatojmë. Dhe partitë politike që u mandatuan si opozita shqiptare më 25 qershor, janë Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.
Prandaj, “opozita e re” nuk është asgjë tjetër veçse një instrument politik i krijuar në laborator, i cili është duke u hequr shqiptarëve të drejtën e përfaqësimit politik dhe ushtrimin e sovranitetit të tyre. Është duke u hequr vendimeve të Parlamentit bazën e legjitimitetit që gjendet te përfaqësimi. Sigurisht, e gjithë kjo anomali shqiptare, ka ardhur si pasojë e djegies së mandateve të atyre që u votuan për të përfaqësuar qytetarët. Megjithatë, fakti mbetet.
Slogani i famshëm i Revolucionit Glorioz Britanik, i cili themeloi për herë të parë konceptin e zgjedhjeve dhe të përfaqësimit politik ishte “No taxation without representation” (jo taksim pa përfaqësim).
Si mundet, për shembull, që t’u vendosen taksa qytetarëve shqiptarë me votat e disa deputetëve që nuk përfaqësojnë askënd?!! /Gazeta Liberale