Aktualitet

Mjeku: Pres të më vënë prangat, paratë janë të bashkëshortes

Shkruar nga Liberale
Mjeku: Pres të më vënë prangat, paratë janë

Mjeku i pezulluar nga detyra, pas përgjimeve të SPAK në Gjykatën e Krujës, Edvin Prifti, dha një intervistë ekskluzive për gazetaren e News24 dhe BalkanWeb, Klodiana Lala, para se të njihet me vendimin e GJKKO.

E pyetur nga gazetarja Lala se pse Prokuroria kërkoi ndërrimin e masës ndaj tij nga pezullim nga detyra, në arrest me burg, mjeku u shpreh se organi i Akuzës është bazuar te sasia e parave që u gjet në shtëpinë e tij. Në sqarimin e tij, mjeku Prifti tha se shuma e parave ishte e bashkëshortes së tij, pas një kontrate shit-blerje me të motrën.

“Kjo është një kërkesë që bëri prokurori i çështjes, që bazohej në faktin e një sasie të ardhurash, që u gjendën në shtëpinë time dhe e konsideroi të arsyeshme një ashpërsim të masës në arrest me burg. Sigurisht që pasi ai e kërkoi këtë, ne paraqitëm gjithë dokumentacionin që këto janë të ardhura të ligjshme me një kontratë të bashkëshortes sime të shit-blerjes së një prone. Unë kam qenë në dijeni të këtij procesi, sepse vetë SPAK dërgoi njerëz që më datë 9 për të sekuestruar kartelat. Isha në dijeni, sepse i kam konsideruar gjithçka që kam në jetën time të ligjshme, me nder dhe me punën që kam bërë.

Kam punuar 12 vite jashtë vendit tim, në qendrat më të mira, ku vetëm çmimet ndërkombëtare që kam marr arrijnë vlerën e 200 mijë euro. Çdo gjë që kam është e ligjëruar. Sasia që ndodhej në shtëpinë time, vjen nga një akt shit-blerje i bashkëshortes sime. Për këtë nuk e pashë të nevojshme që kjo gjë të më krijonte ndonjë problem, ndaj e mbajta në shtëpi, aty ku e kisha. Uroj që drejtësia të marrë vendimin e duhur dhe kam besim që drejtësia mund të funksionojë në këtë vend. Dy orë më parë, segmente të caktuara të politikës dhe ekzekutivit, përfshirë dhe kryeministrin, kanë deklaruar që unë jam i arrestuar. Mesa duket unë po shkoj drejt arrestit në këtë moment”, tha Prifti.

Ndërkohë, i pyetur nga gazetarja se çfarë pret nga GJKKO, mjeku u përgjigj se “Pres që të më burgosin, u deklarua në sallë, sepse u deklarua edhe në TV. Le tua japin juve prangat dhe të mi vendosni këtu”.

Më tej, mjeku iu përgjigj edhe pyetjes se “Për cilat arsye shuma e parave gjendej në banesën tuaj?”

Në përgjigjen e tij, mjeku i QSUT deklaroi se “Kjo ka qenë një marrëdhënie mes dy motrave që kanë bërë shitjen e njëra-tjetrës të bashkëpronësisë që ata kishin. Duke qenë se edhe blerja e një objekti të dytë në ndërtim do të bëhej me këst, bashkëshortja ime mendoi t’i kishte lekët kështu, që t’i përdorte sapo të kishte nevojë. Është edhe besimi që ajo dhe unë kishim te institucionet bankare. Ajo preferoi të bënte këtë blerje në këtë mënyrë. Unë mund të kisha edhe më shumë para në shtëpi, sepse 12 vite që kam punuar jashtë vendit, sigurisht që i kam sjellë paratë cash në shtëpi. Unë mund të kisha edhe ato para”. /BW

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH