Aktualitet

Meta pret ambasadorin e ri kroat, ja çfarë diskutuan

Shkruar nga Liberale
Meta pret ambasadorin e ri kroat, ja çfarë diskutuan

Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim, ambasadorin e ri të Kroacisë në Tiranë, Zlatko Kramaric, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.

Meta e siguroi Ambasadorin Kramaric për një bashkëpunim të ngushtë në përmbushje të misionit të tij në Shqipëri.

Gjatë takimit Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira e miqësore me Kroacinë, të cilat janë model për rajonin tonë.

“Këto marrëdhënie, tashmë të një Partneriteti Strategjik, mbështeten në lidhjet e forta historike mes dy kombeve e bazohen te përparësia jonë e përbashkët e politikës së jashtme – kontributi për një rajon të qëndrueshëm, paqësor dhe të begatë dhe vizioni i përbashkët euroatlantik”, – u shpreh Kreu i Shtetit.

Duke ju referuar kontributit të Diasporës shqiptare në zhvillimet dhe progresin e Kroacisë, Presidenti Meta vlerësoi se ajo është një urë e vërtetë miqësie që mund të shërbejë për të nxitur më tej lidhjet tona dhe marrëdhëniet në çdo fushë.

Gjithashtu Presidenti Meta vlerësoi se ka ende potencial të pashfrytëzuar sa i përket shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kroacisë dhe Shqipërisë.

“Duhet të angazhohemi bashkërisht në rritjen e tyre, për t’i paraprirë investimeve, duke patur parasysh potencialin e Shqipërisë, veçanërisht në fushën e infrastrukturës dhe turizmit”, – theksoi Kreu i Shtetit.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH