Editorial

Marrëveshja e BE me Britaninë, peshkimi dhe presioni kohor

Shkruar nga Liberale
Marrëveshja e BE me Britaninë, peshkimi dhe presioni kohor

Xhezair Zaganjori

Java e fundit e këtij viti është vendimtare për fatin e përfundimit ose jo të Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Europian dhe Britanisë, përmes së cilës palët synojnë të rregullojnë në hollësi marrëdhëniet mes tyre pas ndarjes përfundimtare nga bashkëjetesa  thuajse pesëdhjetë vjeçare që kishin me njëri tjetrin. Me 31 dhjetor të këtij viti (2020) përfundon edhe periudha tranzitore post-Brexit, brenda së cilës  është rënë dakord që marrëdhëniet mes palëve të rregullohen nga e drejta e BE-së.  Nga 1 janari 2021 çdo gjë do të jetë krejtësisht ndryshe, veçanërisht nëse marrëveshja në fjalë nuk përfundon. Sepse përmes saj, ndër të tjera synohet krijimi i një zone të tregtisë së lirë mes palëve, ku qarkullimi i lirë i mallrave do të zinte vendin kryesor. Por pa këtë marrëveshje, hyrja dhe dalja nga territori britanik i mallrave të shumtë që qarkullojnë çdo ditë në pikat e  kalimit kufitar me maunave pa fund, anije apo rrugë ajrore,  do të kishin një regjimi  ligjor krejtësisht tjetër në pagesa dhe dokumentacion. Ato do ti nënshtroheshin menjëherë taksave e tarifave që normalisht Bashkimi Europian ka në kufijtë e jashtëm të tij me vendet e treta.  Ndaj duhet shpejtuar për ta përfunduar sa më parë marrëveshjen në fjalë, sepse  koha e mbetur është shumë e shkurtër, ndërsa interesat e palëve janë shumë të mëdha. Por problemi apo ngërçi kryesor për tu zgjidhur mes palëve është kryesisht çështja e peshkimit. Pavarësisht bisedimeve të shumta e intensive, ende nuk ka një rezultat konkret. Megjithatë, raportohet se edhe në fund të javës që kaloi, pavarësisht pushimeve, kanë vazhduar bisedimet për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme për të dyja palët.

Në fakt,  çështjet e peshkimit në Bashkimin Europian trajtohen në kuadër të të ashtuquajturës Politika e Përbashkët mbi Peshkimin (CFP), si tërësi e rregullave dhe normave të miratuara në kuadër të BE-së mbi kushtet dhe kriteret e peshkimit, zhvillimin e industrisë së peshkut,  si dhe kujdesin e ruajtjen e burimeve të tij. Përmes tyre u jepet akses i barabartë të gjitha anijeve të peshkimit të shteteve anëtare në ujërat e Bashkimit Europian, duke respektuar parimet e tregut dhe të konkurrencës së ndershme. Qëllim kryesor i CFP është të garantojë një zhvillim të qëndrueshëm  të peshkimit dhe akuakulturës në tërësi, në përputhje me nevojat ekonomike e sociale, kërkesat për mbrojtjen e ambientit  dhe sigurimin e ushqimit të shëndetshëm për qytetarët e Bashkimit Europian. Ndër të tjera, e veçanta e këtij regjimi është se në nocionin ujëra të Bashkimit Europian futen edhe ujërat e Zonës Ekonomike Ekskluzive (ZEE) të çdo shteti bregdetar, të përcaktuara si të tilla nga Konventa e Tretë e OKB-së mbi të Drejtën e Detit e vitit 1982. Në këtë hapësirë ujore, shteti bregdetar ka disa të drejta sovrane, kryesisht për shfrytëzimin ekonomik ekskluziv të tyre, përfshirë këtu edhe të drejtën e peshkimit.  Por brenda Bashkimit Europian ka një regjim tjetër të kësaj zone (ZEE). Në këto ujëra detare që ka për shkak të pozicionit gjeografik çdo shtet anëtar (ato që kanë bregdet), nga mbarimi i Ujërave Territoriale (që shkojnë deri në 12 milje) e deri në rreth 200 milje detare, kanë të drejtë të peshkojnë të gjitha anijet e çdo shteti tjetër anëtar në BE, por duke respektuar kriteret, kushtet dhe kuotat për kapjen e çdo lloj  specie të veçantë peshku, të përcaktuara këto në dhjetorin e çdo viti pikërisht nga ana e  CFP.  Konkretisht, gjer tani, Zona Ekonomike Ekskluzive që i përket Britanisë në bazë të së drejtës së detit, shfrytëzohej edhe nga anijet e peshkimit të shteteve të tjera anëtare në BE, veçanërisht nga ato që për shkak të pozicionit e kanë këtë akses disi më të lehtë. Prandaj, kryesisht anijet e Spanjës, Francës, Holandës, Belgjikës, Irlandës  apo edhe Danimarkës, shfrytëzonin shumë edhe ujrat shumë të pasura me peshk në Zonën Ekonomike Ekskluzive të Britanisë, duke respektuar kushtet dhe kuotat individuale të përcaktuara nga CFP për çdo anije të veçantë peshkimi. Këtë regjim apo këto të drejta të shteteve anëtare, Bashkimi Europian kërkon ti njohë e zbatojë edhe pas daljes përfundimtare të Britanisë nga kjo organizatë, por tashmë në kuadër të hapësirës së tregtisë së lirë që mendohet të krijohet mes tyre përmes marrëveshjes së veçantë të përmendur më sipër. Por pritshmëritë dhe interesat e  peshkimit dhe të industrisë së peshkut në territorin e shteteve palë, janë aktualisht krejtësisht të kundërta. Ato kanë jo vetëm natyrë ekonomike, por edhe politike. Nga ana tjetër ato lidhen ngushtësisht edhe me problemet e tregut të punës. Qeveria britanike është dakord në parim dhe e dëshiron shume një marrëveshje mbi tregtinë e lire me BE, por kërkon tashmë ndër të tjera që kuotat e peshkimit të jenë shumë më të larta për anijet e saj të peshkimit, krahasuar me ato të shteteve anëtare në BE,  dhe që këto kuota të përcaktohen rregullisht çdo vit, ashtu siç është vepruar edhe më parë.  Përveç kësaj, ajo (pra qeveria britanike) kërkon ta trajtojë këtë problem edhe si simbol të rikthimit të sovranitetit të cenuar në kuadër të anëtarësisë në BE dhe si shprehje të suksesit të daljes nga kjo organizatë. Aq më tepër që komuniteti i peshkimit britanik ka qenë thuajse tërësisht në favor të Brexit. Sidoqoftë, qeveria britanike është e interesuar të vazhdojë bashkëpunimi edhe në këtë fushë, aq më tepër që rreth tre të katërtat e peshkut të kapur nga peshkatarët britanikë shitet në tregun e vendeve anëtare të BE-së. Këtu duhet shtuar edhe interesi që ka industria britanike e peshkut për shitjen e produkteve të saj në këto vende.  Rivendosja e detyrimeve fiskale për këto produkte do të cenonte  seriozisht të ardhurat  apo do të mund të çonte edhe në falimentimin e tyre. Megjithatë, qeveria britanike kërkon që palët të mos e kushtëzojnë aksesin në treg me aksesin e peshkimit në ujrat e saj, pasi ato i vlerëson si  dy çështje të ndryshme.   Nga ana tjetër, Bashkimi Europian ndodhet nën presionin e jashtëzakonshëm të komunitetit të peshkimit të vendeve anëtare të saj, të cilët kanë interesa të veçanta peshkimi ne ujërat britanike.  Ato vënë në dukje se zonat më të mira të peshkimit ndodhen në veri të Oqeanit Atlantik, e kryesisht brenda Zonës Ekonomike Ekskluzive të Britanisë, për shkak se aty deti është më i thellë, më i pastër, më i oksigjenuar, e për këto arsye edhe më i populluar me peshk. Sipas tyre, në jug të Oqeanit, deti është ranor, më i cekët e më i përshtatshëm për riprodhimin e peshkut, i cili më pas, me rritjen e tij kërkon ushqim në pjesën veriore.  Prandaj ato u kërkojnë me insistim qeverive të tyre të mbrojnë me çdo kusht këto interesa. Çështja ka marrë kështu natyrshëm edhe nuanca politike. Për këto arsye, BE, me ndryshime të vogla  kërkon të ruajë statuskuonë, pra regjimin e peshkimit në këto ujëra si dhe kriteret e përcaktimit të kuotave ashtu si më parë, me ndryshimin që këto kuota të mos përcaktohen tashmë çdo vit, por me një distancë të caktuar kohore, aq më tepër që Britania nuk është më anëtare e saj. Mbi këtë bazë, në kundërshtim me qëndrimin britanik, ajo (pra BE) e lidh ngushtësisht apo e kushtëzon cështjen e aksesit për peshkim në ujërat britanike me atë të aksesit në Tregun Unik të Bashkimit Europian. Biles, ka patur zyrtarë të lartë të BE-së që kanë theksuar apo kërcënuar se nëse Britania do të bllokojë aksesin e peshkimit të anijeve të shteteve anëtare në Zonën Ekonomike Ekskluzive, asaj (pra Britanisë)  mund të mos i garantohet në të ardhmen edhe aksesi në Rrjetin e Bashkimit Europian të Furnizimit me Energji Elektrike.

Siç shihet, përsërisim se pozicionet e palëve janë gjer tani krejtësisht të ndryshme, në një kohë që në këndvështrimin ekonomik, problemi mund të mos jetë shumë i rëndësishëm. Aktiviteti ekonomik i peshkimit në vendet anëtare të Bashkimit Europian natyrisht që është i ndryshëm. Megjithatë, ai si rregull nuk e kalon 1% të GDP-së. Në Britani është edhe shumë më i vogël se kaq. Sidoqoftë,  siç u theksua edhe më sipër, çështja është shumë sensitive e mbart me vete edhe ngarkesa me natyrë politike. Prandaj edhe palët ende nuk po lëvizin nga pozicionet që kanë. Shpresohet shumë që kjo të bëhet këto ditë, pavarësisht se koha e mbetur është jashtëzakonisht e shkurtër. Këtu duhet të llogaritet normalisht edhe procesi i ratifikimit të marrëveshjes së pritshme mes Qeverisë Britanike dhe Komisionit të Bashkimit Europian. Si rregull ky ratifikim duhet të bëhet respektivisht  nga Parlamenti Britanik dhe nga Parlamenti Europian, në një kohë qe pjesa me e madhe e deputeteve janë larguar për shkak të pushimeve. Pala britanike, jo zyrtarisht, ka kërkuar që në një rast të tillë, marrëveshjes së arritur të mund ti jepet fillimisht efekt edhe pa ratifikim. Por Parlamenti Europian ka bërë të qartë se kjo është e papranueshme, në një kohe që ka shumë pak ditë në dispozicion të këtij procesi. Aq me tepër që në ditët e Krishtlindjeve dhe në ditën e Vitit te Ri nuk mund të bëhet mbledhje plenare. Nga ana tjetër, edhe në mbledhjet e jashtëzakonshme njoftimi duhet të bëhet të paktën 48 orë më parë. Ritheksojmë  pra që çështja është e ndërlikuar e interesante edhe në këndvështrimin ligjor. Megjithatë, e rëndësishme është që palët të merren vesh. Mbarimi i periudhës post – Brexit (31 dhjetori 2020) pa një marrëveshje mes tyre nuk do te ishte aspak mirë për asnjërën prej tyre, veçanërisht për palën britanike. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH