Sport

Shtyhet Inter-Roma, shkak funerali i Papës

Shkruar nga Liberale

Shtyhet Inter-Roma, shkak funerali i Papës

Ndeshja me  Inter dhe Romës, e planifikuar për këtë të shtunë, do të ricaktohet për një datë tjetër, për shkak të funeralit të Papa Françeskut. Autoritetet italiane kanë vendosur që të gjitha ndeshjet e Serisë A të parashikuara për 26 prill të shtyhen, si shenjë respekti dhe për arsye organizative.

Lajmi është konfirmuar nga ministri italian për Mbrojtjen Civile, Nello Musumeci, i cili theksoi se kalendari do të rishikohet në përputhje me zhvillimet institucionale dhe organizative të asaj dite.

Sipas mediave italiane, përballjet Lazio-Parma dhe Como-Genoa pritet të zhvillohen të dielën ose të hënën, por situata është më e ndërlikuar për sfidën Inter-Roma. Kjo për shkak se Interi është ende i angazhuar në dy fronte: Coppa Italia dhe Ligën e Kampionëve.

Skuadra zikaltër do të përballet me Milanin më 23 prill në gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Italisë, ndërsa më 30 prill udhëton drejt Barcelonës për ndeshjen e parë gjysmëfinale në Champions League. Kjo e bën të pamundur zhvillimin e ndeshjes ndaj Romës javën e ardhshme.

Sipas “Corriere dello Sport”, tre janë datat e mundshme për riorganizimin e sfidës:

14 maji, por vetëm nëse Interi nuk arrin të kualifikohet për finalen e Kupës së Italisë, e planifikuar për atë ditë; 21 maji, një e mërkurë, pak para javës së fundit të kampionatit; dhe një opsion i tretë mund të hapet vetëm nëse ndodhin ndryshime në kalendarin e garave evropiane.

Për momentin, Federata Italiane e Futbollit është duke shqyrtuar të gjitha alternativat për të gjetur një zgjidhje që nuk cenon integritetin dhe barazinë e garës në Serinë A.

Liberale Newsroom

Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH