
Kombëtarja shqiptare do të nisë këtë të premte nga “Wembly” aventurën e saj për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
Trajneri i Shqipërisë Silvinjo vlerësoi maksimalisht Anglinë dhe trajnerin e tyre, Thomas Tuchel, në prag të përballjes në eliminatoret e Botërorit.
I pyetur për skemën, tekniku kuqezi deklaroi se sistemi nuk ka shumë rëndësi, ndërsa shtoi se Kombëtarja do të tentojë të bëjë diçka të veçantë në sulm.
Kuqezinjtë do të përballen me Anglinë, në një ndeshje e cila pritet të ketë mjaft ritëm dhe presing nga ana e vendasve, të cilët po ashtu këkojnë tre pikët për ta nisur me këmbën e mbarë.
Trajneri i kombëtares braziliani Silvinjo ka dhënë detaje për gazetarët para sfidës së nesërme.
“Kemi pasur disa probleme me Ismajlin dhe Kumbullën gjatë javës. Pasditen e sotme do të kemi stërvitjen e fundit që do të vlerësojmë lojtarët. Kemi edhe opsione të tjera si Ajeti dhe Mihaj dhe do marrim një vendim. Do të jetë e vështirë, por dhe e këndshme. E vërtetë që nuk kemi shumë kohë për t’u përgatitur. E kemi diskutuar dhe mes trajnerësh në FIFA, sa e vështirë është. Mos harrojmë që kemi ndeshje dhe ndaj Andorrës. Do jetë e vështirë sepse nuk ka mjaftueshëm kohë. Kemi përdorur video, diskutime me lojtarët, ato vijnë të lodhur duke qenë se kanë sezone të gjata. Nesër do vendosim për titullarët”, tha Silvinjo.
“Tuchel është trajner i ri, por edhe fitues. Ka energji. Sistemi nuk ka shumë rëndësi. Janë një ekip i fortë, me cilësi fizike dhe teknike. Do tentojmë të bëjmë diçka të veçantë. Do tentojmë të bëjmë diçka të veçantë në sulm. Le ta shijojmë këtë ndeshje".
" Kam luajtur në Angli kohë më parë. E kuptojmë ritmin e lartë që ka futbolli anglez. Sa i përket ekipit kombëtar, ka lojtarë shumë të mirë dhe me cilësi. Ne duhet të punojmë me sulmin tonë. Me Anglinë nuk mund të luash portë më portë, sepse ritmi është ndryshe. Jemi përgatitur për ndeshjen nesër”, deklaroi Silvinjo.