Letërsi

Çmimi Letrar Kadare mbush 10 vjeç/ Festë të mërkurën, nën praninë e znj. Helena Kadare

Shkruar nga Liberale

Çmimi Letrar Kadare mbush 10 vjeç/ Festë të

Çmimi Letrar Kadare mbush 10 vjeç. Kjo ngjarje e madhe për letrat dhe letërsinë shqipe do të kremtohet me një ceremoni të veçantë në hotel “Rogner”, pasditen e 6 nëntorit, në orën 18:00. Do të bëhen pjesë e saj fituesit, autorët, juritë ndër vite, personalitete të letërsisë dhe arenës publike, me praninë e veçantë të zonjës Helena Kadare. Ky jubile vjen me një Çmim Special dhe një botim dedikuar historisë dhe rrugëtimit të Çmimit Kadare.

"Mendoni se i bën punë letërsisë shqipe? Nëse po, përdoreni emrin tim."

Kjo përgjigje lakonike e shkrimtarit Ismail Kadare do të nënshkruante themelimin e çmimit më të rëndësishëm në letërsinë shqipe, Çmimi Letrar Kadare. Shumë biseda, takime, qasje mendimesh e argumentesh, ishin bërë në Tiranë e Paris deri atë pasdite të pranverës së 2014-s, ku Kadare do të ‘dorëzohej’ në bisedën e gjatë te bar “Juvenilja”.

Fillimisht ishte skeptik, si çdokush që e dëgjoi atëkohë këtë ide, pas edhe projekteve të hershme të pasuksesshme me emrin e tij.
Synimi i çmimit për të nxitur të shkruarit e letërsisë shqipe dhe për të inkurajuar autorët e rinj apo edhe ata me përvojë të ecnin përpara në këtë drejtim, nuk e la indiferent e moskokëçarës. Dhuroi sërish emrin e tij, por jo pa njëfarë “paralajmërimi”.
“Kujdes, nuk duhet të më përfshini asnjëherë, në asnjë mënyrë, për ndonjë rekomandim apo koment në lidhje me këtë çmim. Ajo është çështja juaj”, do të ishin fjalët e fundit të shkrimtarit për botuesin Henri Çili dhe editorin kryesor të medias “Mapo”, Alfred Lela.

Mes sfidave për të krijuar besimin te autori dhe lexuesi, organizatorëve të këtij çmimi iu desh të bënin një punë dyfish për të treguar seriozitetin e qëllimin e mirë në shërbim të gjuhës e letërsisë shqipe. Kjo ishte sfida kryesore, përtej çështjeve teknike që përcaktonin kriteret e përzgjedhjes së jurisë e autorëve. Që në fillesë Çmimi Kadare ka pasur specifikat e veta, që pavarësisht ndryshimeve dhe lëvizjeve për të fiksuar procedurat, mbeten rigoroze edhe sot.
Çmimi Kadare pranon dorëshkrime prozë nga autorë që shkruajnë shqip, kudo që ata jetojnë: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Europë, ShBA, etj. Është një çmimin që shkon për autorin e gjuhës shqipe, e këtë fakt e kanë vërtetuar fituesit ndër vite.

Përveç vlerës së paçmuar të mbajtjes së emrit të shkrimtarit më të madh shqiptar, ky çmim është vlerësuar me një mbështetje financiare prej 10 mijë eurosh që i shkon autorit, botimit dhe turit një vjeçar të promovimit të librit. Në filozofinë e çmimit është botimi i dorëshkrimit fitues nga shtëpia botuese UET Press në kolanën “Leteratura”, e cila i dedikohet tërësisht letërsisë shqipe. Autori dhe vepra e tij vijojnë më tej promovimin në rrethet letrare, në media, panaire etj.

Në këtë dhjetëvjeçar numërohen gati 300 dorëshkrime dhe autorë që kanë aplikuar, të cilët nën shqyrtimin dhe profesionalizimin e jurive përkatëse kanë kaluar fazë pas faze, derisa është arritur me konsensus përzgjedhja e veprës më të mirë dhe më të denjë për të marrë Çmimin Kadare. Janë shpallur fitues autorë të rinj dhe të brezave të konsoliduar, zonja e zonjusha, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut apo shkrimtarë që jetojnë në diasporë.

I pari që e nis këtë “varg të artë” është autori nga Lezha Rudolf Marku, i cili me “Tre Divorcet e Zotit Viktor N” u shpall më i miri mes 40 dorëshkrimeve që garuan në 2015.
Edicionin e radhës e mori Shkëlqim Çela dhe libri i tij me tregime “Embriologji”, ndërsa në 2017 do shpallet për herë të parë fitues një shkrimtar nga Kosova, Musa Ramadani me romanin e tij homazh për Franc Kafkën “Profeti nga Praga”. Shkrimtari dhe përkthyesi Virgjil Muçi u shpall fitues i 2018 me “Piramida e shpirtrave”, e në vitin pasardhës një autor i ri, me profesion stomatolog, Loer Kume me tregimet “Amygdala Mandala”.
Në 2021 për herë të dytë ky çmim do të rrugëtojë drejt Kosovës dhe publicisti, kineasti e gazetari Gani Mehmetaj do të shpallet fitues me “Zogjtë e qyqes”. Një edicion i veçantë do të jetë ai i 2022, pasi Vera Bekteshi shpallet e para grua fituese e Çmimit Kadare me “Pusulla të verdha”, pas disa edicioneve që kishte konkurruar me dorëshkrime të tjera. Dy vitet e fundit kanë qenë të autorëve të rinj. Nurie Emrullai, mësuesja nga Maqedonia e Veriut, fitoi në 2023 me “Duhet të jetë dashuri”, ndërsa fituesi i 2024 ishte shkrimtari i ri Dionis Prifit me romanin “Dy javë nën balonë”.

Çmimi Letrar Kadare gjatë këtyre dhjetë viteve ka grumbulluar një përvojë, e cila është pasqyruar gjerësisht nga media shqiptare, shtyp dhe televizion, ka qenë transparente, ka shkaktuar zhurmë, ka pasur vlerësime e kritika si në çdo kompeticion ku ka vetëm një fitues. Por mbi të gjitha, ai ka krijuar një traditë të mirë të nxitjes së autorëve të shkruajnë shqip, të sjellin dorëshkrime prozë, romane e tregime, disa prej të cilëve kalojnë provën e parë të një lexuesi- juri dhe shohin më tej dritën e botimit.

Një mision i përmbushur me sukses që nuk mund të kalojë pa festë. Të mërkurën e këtij nëntori, Çmimi Letrar Kadare do të festojë në një ceremoni të veçantë 10 vjetorin e tij, duke mbledhur sëbashku fituesit ndër vite, juritë, pjesëmarrësit, kontribuuesit, personalitete të letërsisë dhe arenës publike, si dhe do të nderohet me praninë e zonjës Helena Kadare.
Kjo dekadë e parë do të finalizohet me botimin e “Albumi i Çmimit Kadare”, një dëshmi e veprave, fituesve, punës dhe kontributit të lënë ndër vite. Po ashtu do të jepet një Çmim Special, ndërsa kantautori Gjergj Leka dhe këngëtarja Liljana Kondakçi do të sjellin poezi të njohura përmes notave të muzikës.

Do ketë shumëçka për të festuar për këtë çmim që tashmë ka historinë dhe trashëgiminë e vet në letërsinë shqipe. Por do të ketë edhe një mungesë. Ky jubile vjen në mungesën fizike të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta në korrik të këtij viti, në moshën 88-vjeçare.

Do t’i mungojë çmimit prania e personalitetit prej të cilit frymoi, por besimi i tij ndër vite, tashmë e ka jetësuar misionin dhe jetëgjatësinë e tij.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH