Arte

PIKTURA E DITËS: “Epika e yjeve të mëngjesit” nga Edison Gjergo, si një dëshmi e persekutimit të artistit për liri   

Shkruar nga Liberale

PIKTURA E DITËS: “Epika e yjeve të mëngjesit” nga

“Epika e yjeve të mëngjesit”, piktura e famshme e Edison Gjergos, për të cilën piktori u arrestua dhe u burgos, është një dëshmi rrëqethëse e krimeve brutale të komunizmit dhe është përzgjedhur sot nga “Liberale.al” në një ditë të veçantë. Sot është 20 shkurti, dita që simbolizon rënien e regjimit komunist.

Rrëzimi i bustit të  Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991 shënoi rënien e komunizmit, dhe bashkë më të atë të përndjekjes, dhunës dhe krimeve mizore të regjimit.

Edison Gjergo nuk mund t’i shpëtonte dënimit dhe torturave, për faktin e vetëm sepse ishte artist dhe si i tillë kaloi “kufirin e lejuar” të lirisë së shprehjes.    Më 25 prill 1975 u dënua “për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor” me tetë vjet burg.

Nga piktori Edison Gjergo (Tiranë, 16 prill 1939 - 25 qershor 1989), ruhet në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë një koleksion vetëm prej katër tablo të tij si: “Heroina Zonja Çurre” (1966), “Epika e yjeve të mëngjesit”(1971), “Fonditori” (1971) dhe “Portret malësoreje” (1972).

Edisoni është arrestuar më 13 janar 1975. I gjithë rrethi miqësor i Edisonit, njerëz të njohur të artit, vihen në përpunim të detajuar. Në burg Edisonit i thuhet se ky rreth miqësor është i gjithi i arrestuar. Edison Gjergo dënohet me vendimin e 29 prillit 1975 të Gjykatës së Tiranës me 8 vjet burg me akuzën e agjitacionit e propagandës. Dënimin Edisoni e vuan në burgun e Spaçit. Është interesante se edhe në burgun e Spaçit për të pati disa denoncime nga të burgosur po për të njëjtat gjëra. Dëshira për të rrënuar shokun e qelisë i kishte vënë një pseudonim të veçantë: “Dëshira”, që shkruante në vitin 1980 se Edisoni zhvillonte veprimtari të dendur armiqësore brenda burgut.

Pas lirimit nga burgu nga më 15 nëntor 1982 nuk ishte e thënë që ta linin të qetë. Teksa punonte bojaxhi në ndërmarrjen e mjeteve mësimore “Hamit Shijaku”, afrohet këtë herë bashkëpunëtori “Mekaniku”, i cili merr vesh se Edisoni kishte thënë se punonte si skllav për të fituar bukën e gojës, se e kishin çuar aty për ta poshtëruar. Vijnë edhe të dhëna të tjera për t’i rezervuar një dënim të dytë, i cili nuk ndodhi, pasi Edison Gjergo ndahet para kohe nga jeta.

Një vit para të niste lëvizja studentore për liri dhe demokraci, piktori u nda nga jeta në vitin 1989, në moshën 60-vjeçare, me pengun e madh të jetës: mohimin e lirisë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH