Gjykata e Tiranës mori vendimin se Ajas Sulejmani, autori i aksidentit te Rruga e Kavajës do të qëndrojë në burg.
Sulejmani mori përpara me makinën e tij, çiftin e bashkëshortëve Arjan dhe Vilma Konomi, bashkë me foshnjën e tyre 3-muajshe, teksa ecnin te vijat e bardha.
Ai pretendon se nuk i kanë funksionuar frenat në momentin që semafori kaloi në të kuqe.
Sulejmani, po ashtu ka deklaruar se ka qenë duke ecur me shpejtësi 40 km/orë në momentin kur përplasi çiftin Konomi.
Ai ka thënë se pas ngjarjes është larguar pasi kishte në makinë vajzën e tij të vogël, dhe e ka dërguar atë në spital, ndërsa theksoi se ishte i traumatizuar.
Ndaj Sulejmanit rëndojnë akuzat për shkelje të rregullave të qarkullimit, drejtim mjeti në mënyrë të parregullt dhe largim nga vendi i aksidentit.