Jonila Godole, deputete e Partisë Demokratike, thotë se ekonomia pas rënies së komunizmit në bllokun lindor, sipas modelit sovjetik, përfundoi në duart e drejtuesve të sistemit të kaluar dhe shërbimeve sekrete të asokohe.
“Ajo kastë që e konsideronte “krim“ biznesin dhe fitimin për 45 vjet, ishte e para që ia pa hajrin ekonomisë së tregut”, thotë Godole, përmes një reagimi në rrjetet sociale.
Sipas saj, nëse nuk realizohet një studim për të shpjeguar fenomenin e tranzicionit, do të jetë e pamundur që të ndërgjegjësohet publiku.
Reagimi i plotë i Jonila Godoles:
“Më 23 gusht 1990 u gjet një memo e firmosur nga zv. i Gorbaçovit (Vladimir Ivashko) ku kërkohej krijimi i një “ekonomie të padukshme” për Partine Komuniste Sovjetike me ndihmën e KGB-së”.
“Për këtë u krijuan ndër të tjera firma dhe “kompani mike” në Perëendim, Zvicër, Austri, Liçtenshtajn, SHBA etj, që drejtoheshin nga ish-operativë të KGB-së”.
“Libri i gazetares investigative Belton dëshmon përmes qindra dokumenteve dhe intervistave me ish funksionarë të KGB kapjen e shtetit dhe të ekonomisë ruse sot, sipas të njëjtit model si gjatë Bashkimit Sovjetik”.
“Nuk mund të mos heqësh paralele me Shqipërinë. Nuk është rastësi që ish-Sigurimsit dhe komsomolët e rinj të PPSH morën në dorë të gjithë sektorët nevralgjike të ekonomisë pas rënies së regjimit”.
“Ajo kastë që e konsideronte “krim“ biznesin dhe fitimin për 45 vjet, ishte e para që ia pa hajrin ekonomisë së tregut. Por ndryshe nga qytetarët e thjeshtë, dhe veçanërisht shtresat e persekutuara, partia ua kishte shtruar rrugën këtyre patronazhistëve për interesat e saj”.
“Një studim i tillë ende i mungon Shqipërisë, por është i detyrueshëm dhe imediat nëse duam të kuptojmë plotësisht kapjen e shtetit (pseudo) demokratik me mekanizma të diktaturës”. /Liberale.al/
[gallery ids="1248279,1248280,1248281,1248284"]