Gjykata e Tiranës ka dhënë masat e sigurisë për 7 të arrestuarit për mashtrimin me TVSH-në, të cilat nëpërmjet 13 kompanive lëshuan 1.2 mld lekë fatura fiktive dhe i vodhën shtetit mbi 3 mln euro.
Gjykata ka lënë në burg Amarildo Hasrama, Besim Ruçi dhe Ajet Aluku, pronarë subjektesh. Gjykata vendos arrest shtëpie për Bledar Gupen, Xhersi Sulajn dhe detyrim paraqitje për Anxhelo Ruçin. Po ashtu gjykata ka vendosur arrest në burg dhe për Nelit Miholën, i cili është në kërkim.
13 subjektet fiktive, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryen një skemë mashtrimi me TVSH. Ndërkohë Besim Ruçi, i cili u la në burg është ish-kanidat i PS-së për deputet në zonën e Farkës.
Aksioni i finalizuar nga Prokuroria e Tiranës ka ardhur pas hetimit të thelluar nga Administrata Tatimore. Drejtoria e Hetimit, përmes metodave të specializuara dhe kryqëzimit të informacionit midis librave të shitjes dhe librave të blerjes, si edhe nëpërmjet sistemeve elektronike fiskale ka arritur të faktojë përfshirjen e 17 shtetasve të lidhur ngushtë me subjekte të përfshira në skemën kriminale.
Gjithashtu, dyshohet se në këtë skemë kriminale mashtrimi janë të përfshirë persona edhe subjekte të tjera, si dhe funksionarë të Administratës Publike, për të cilët vazhdojnë hetimet dhe veprimet procedurale për të dokumentuar veprimtarinë kriminale.