Aktualitet

Kushi: Pagat e pedagogëve do të rriten deri në 15 për qind

Shkruar nga Liberale
Kushi: Pagat e pedagogëve do të rriten deri në 15 për qind

Pas mbledhjes së qeverisë, në një komunikim për mediat para Kryeministrisë, ministrja e Arsimit, Evis Kushi tha se qeveria ka vendosur që pagat e pedagogëve të rriten me 15 për qind. Siç sqaroi më tej ministrja, 7 për qind do të mbulohen nga buxheti i shtetit, ndërsa 8% duhet të mbulohen nga vetë universitetet.

“Pjesa tjetër do të mbulohet nga vetë universitetet në varësi të të ardhurave. Pra, kufiri minimal i rritjes është 7 për qind dhe maksimal 15 për qind. Universitetet me autonominë që gëzojnë mund të propozojnë rritje mbi kufirin minimal, të cilën mund ta mbulojnë me të ardhurat e tyre. Për kërkimin shkencor mbështetja jonë do të vazhdojë dhe po diskutojmë për buxhetin e vitit 2023. Mbështetja do jetë edhe më e madhe. Duhet të kuptojmë se pedagogët të ardhurat i sigurojnë jo vetëm nga paga bazë, por kanë edhe shumë mundësi të tjera. Pra, edhe nga programe të kërkimit shkencor të BE”, tha Kushi.

Pedagogët dolën sërish në protestë ditën e sotme, duke kërkuar plotësimin e disa kushteve në universitete.

Pedagogu Aleksandër Petre në deklaratën për media gjatë zhvillimit të protestës bëri një thirrje për kryeministrin duke thënë se pritën 20 ditë, do presin dhe 13 ditë të tjera dhe më 17 tetor nuk do të hyjnë në auditorë për të filluar vitin e ri shkollor.

Ndërkohë, kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Aleksandër Kovaçi i ka bërë thirrje Ramës për të përmbushur kërkesën e tyre të rritjes së pagës me 50% brenda dy viteve.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH