Gani Mehmetaj
Kur ma dhuroi Rikard Ljarja romanin e tij të parë me tregoi se e kishte ilustruar me një karikaturë nga intervista që kisha bërë me te në vitin 1991. Karikaturën ia kishte bërë enkas Veli Blakçori i gazetës “Rilindja” të Prishtinës, një mjeshtër i veçantë i këtij zhanri. Kur e lexova romanin me befasoi me mprehtësinë e shkrimit dhe me krijimin e atmosferës që i përshtatej aq shumë një filmi të mirë. Dëshiroja që të bëhesha producent i filmit me Rikardin romansier, por nuk kishte qenë e thënë.
Pastaj takoheshim herë në Prishtinë, kur bënte shfaqje në Teatrin Kombëtar, herë në Tiranë. Dikur secili me hallet e veta, nuk u takuam kohë të gjatë.
“Rikardi ka zënë shtratin”, me tha miku im Saimir Kumbaro në nëntorin e vitit 2019, ndërsa e pyeta për Rikard Ljarjen regjisorin dhe aktorin e madh shqiptar. Sa herë vija në Tiranë, meqë gjithnjë isha në nxitim për një punë apo një tjetër, pyesja miqtë për te. Me erdhi keq, kur Saimiri ma tregoi edhe sëmundjen nga e cila lëngonte.
Rikard Ljarjen e kam njohur para tridhjetë vjetësh, në fillim të viteve të nëntëdhjeta, në kohën e rrëmujës së madhe, atëherë kur po rrënohej diktatura. Isha mysafir i Festivalit të Filmit Shqiptar, me te shëtisnim rrugëve të Tiranës, flisnim për filmin, kulturën, artin, flisnim edhe për situatën politike. Ai më rrëfente peripecitë e aktorit, por me tregonte edhe për sharmin e punës gjatë xhirimeve të filmave.
Rikard Ljarjën në të vërtetë e kam njohur shumë më parë se ta takoja, e kam njohur nga filmat: “Radiostacioni”, “Në pyjet me borë ka jetë, “Rrugicat që kërkonin diell”, “Komisari i dritës”, “Rrugë të bardha” etj. Shumicën e filmave të tij i kam shikuar ilegalisht, atëherë kur na i ndaluan të gjithë filmat shqiptarë. I ndiqnim në Televizionin Shqiptar me antenën e kanalit 12, që e blinim kinse për TV Beogradin , programin e dytë, dhe e kthenim nga Tirana, një hile që e kishim mësuar për t’iu shmangur shërbimit të fshehtë jugosllav.
Shkodrani i Tiranës gjithnjë më ka lënë mbresa me paraqitjen ekpresive, me zërin e thellë, burrëror dhe pamjen e aktorit që e mbush ekranin me praninë e tij.
Por nuk e harrojë kurrë nga filmi “Rrugë të bardha’. E shihnin në rrethin familjar. Babi im u emocionua shumë sa s’qau me pamjen e fundit. Me emocioni edhe mua, sepse kurrë nuk e kisha parë në këtë gjendje emocionale.
Në librin tim: “Qytetet e Ilirisë”, kam shënuar: “Më kujtohej kur më 1991 apo 1992 e luta shkodranin e thekur e aktorin e famshëm, Rikard Ljarja, të ma zgjidhte mëdyshjen: ta vizitoja apo jo qytetin. Ai ma tha atë që nuk e prisja: Nuk është koha të shkosh në Shkodër, nuk është Shkodra ajo që e kërkon! Ka degraduar. Prit ditë më të mira!
Dhjetëra herë kam kaluar nga ura e Bunës për të vazhduar në Ulqin, Dubrovnik, Split, Zarë e tutje në Itali e Zvicër, sepse s’bëja ballë të futesha në qytetin e ëndrrave”.
Vdekja e tij me la një boshllëk, e thirra Saimirin dhe e pyeta për ceremoninë e varrimit, i vetëdijshëm që as mund të shkoja, as mund t’i shkonim miqtë tjerë. Ishte kohë e pandemisë që na ngujoi si të kishim rënë në gjak me tërë botën. E pashë në televizor rrugëtimin e tij të fundit dhe me pikëlloi edhe më shumë. Marjeta qante...
Pastaj kur shkova pas vdekjes së tij në Shkodër, nuk pash kund bust a shtatore të j aktorit të madh.
Do të angazhohem për një bust a shtatore në Pejë, vendin ku e pashë për herë të parë filmin e parë me Rikard Ljarjen.
Ndërsa kur kalojë nëpër Shkodër pa Rikardin, i përsërisë pa dashje vargjet e Filip Shirokës:
… Dhe kur t’mrrish në Fushë t’Rrmajit,
dallendyshe ulu me pushue;
Pushofsh në paqe, miku im i çmuar.