Ish-kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi denoncoi sërish sot aferën e inceneratorëve, teksa publikoi disa materiale, për të cilat tha se i ka dërguar në SPAK, duke i bërë thirrje këtij të fundit të vijojë hetimet.
Kryemadhi tha se kryebashkiaku Erion Veliaj ka gënjyer në dëshminë e tij para komisionit hetimor, dhe se Bashkia ka miratuar kontratat koncesionare, duke marrë përsipër 91 milionë euro pagesa
"Qytetarët presin që sy dhe veshë të ketë drejtësia. SPAK të mos shkojë me pushime, por të vendosë para drejtësisë shkelësit e ligjit dhe të gjithë procedurave shtetërore.
Erion Veliaj gënjen në komisionin hetimor: thotë se ka një gërmë G në Vendimin e Këshillit Bashkiak, kur JA, shikojeni, ku ka një gërmë G në këtë vendim që ai i referohet. Edhe sikur të kishte, ky vendim daton 1 muaj, pasi kontrata koncesionare ishte miratuar; dhe Erion Veliaj e kishte dhënë dakordësinë e Bashkisë Tiranë për të marrë përsipër 91 milionë euro pagesa, siç kërkohej paraprakisht për të vijuar procedurat koncesionare.
Inceneratorët janë simboli i qeverisjes së vendit dhe koha nuk pret. Nuk duhet të ekzistojë asnjë hezitim, asnjë arsye për intimidim, asnjë konflikt interesi, me të afërm në punë, apo leje pallatesh në Tiranë, Durrës, apo në çfarëdo qyteti të vendit. Këto probleme i kishte drejtësia e vjetër, ndërsa ne presim, shpresojmë dhe do mbështesim me fakte, prova dhe angazhim të përditshëm, që prokurorët e SPAK të bëjnë detyrën dhe ti shërbehet mbi të gjitha interesit qytetar", tha Kryemadhi.