“No man’s land”. Ishin këto fjalët e përdorura nga kryeministri Edi Rama, duke iu referuar Veriut të Kosovës, që vijon të mbetet një “tokë e nxehtë” dhe burim tensionesh.
Sipas kryeministrit, gazeta “Financial Times” dhe gazetari që zhvilloi intervistën telefonike bëri një lapsus, duke ia atribuuar gjithë shprehjen shtetit të Kosovës, gjë që nxiti jo pak reagime në Shqipëri, sidomos në kampin e Berishës dhe nga disa zëra në Prishtinë.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Rama iu kthye këtij debate, duke thënë se ky lapsus u keqshfrytëzua nga “sazexhinjtë dogmatikë dhe nga kalemxhinjtë e Prishtinës zyrtare dhe të Tiranës”. Ai iu qëndroi më tej fjalëve të thëna, duke u shprehur se veriu i Kosovës është "tokë askujt", për shkak se aty zhvillohen aktivitete kriminale dhe është e vështirë të parashikosh se çfarë ndodh të nesërmen.
“Unë nuk kam shpresë se këto do ma lehtësojnë hë për hë akuzën si tradhtar, përderisa dhe një lapsus i prestigjiozes "Financial Times", e cila në zbardhjen e intervistës sime të dhënë në telefon kishte harruar, sikur ia kishte shtyrë dorën djalli, fjalën veri përpara fjalës Kosovë, gjë që u korrigjua menjëherë, bashkë me ndjesën publike të gazetarit britanik, siç i takon një gazetari që e meriton këtë titull, që është një titull fisnikërie në ditët tona, unë e karakterizoja veriun e Kosovës, jo Kosovën sigurisht, me shprehjen angleze, “no man’s land”. Pse nuk qenka “no man’s land”, kur aty lulëzojnë aktivitete të paligjshme kriminale? Kur aty nuk ka asnjë kontroll dhe s’ka asnjë mundësi të parashikosh çfarë vjen nesër? Çfarë është kjo? Çfarë ishte Lazarati? “No man’s land”. Është shumë e thjeshtë. U nxor nga konteksti me një frymë. U keqshfrytëzua me epsh të posaçëm nga gjithë sazexhinjtë dogmatikë dhe nga kalemxhinjtë e Prishtinës zyrtare dhe të Tiranës përfshirë dhe sazexhinjtë patetikë të planetit ‘non grata’ që e futën me vrap si provë në dosjen e aktakuzës mbi shërbimin tim ndaj Beogradit. Dihet shumë mirë, atyre që propagandojnë dhe pasqyrojnë aktakuzën ndaj meje si agjent i Beogradit nuk iu intereson fare as përgjigja ime, as e vërteta, as debati i shëndetshëm demokratik, por iu intereson vetëm ushqimi i sherrit, mbajtja ndezur e konfliktit, shfrytëzimi dhe jo prerja e thonjve e krizës në veri të Kosovës. Ato thonj ju interesojnë dhe kjo është tragjedia e Kosovës sot. Sepse kështu numërojnë me mend sa vota shtojnë, sa kundërshtarë politikë dobësojnë, sa armiq të jashtëm dhe të brendshëm pjekin në hellin e demagogjisë nacional folklorike për ta nginjur miletin me lugë bosh”, u shpreh Rama.
Kujtojmë se pas publikimit të një interviste të kryeministrit Edi Rama për “Financial Times” vetë gazetari që e shkroi, njoftoi lexuesit për një lapsus në citimin që redaksia i kishte bërë një fjalie të Ramës. Tashmë në artikullin me titull “NATO duhet të rivendosë kontrollin e veriut të Kosovës, thotë kryeministri shqiptar”, citohet kryeministri ku shprehet: “[Kosova e Veriut] është bërë me kalimin e viteve një tokë e askujt ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur”.