Aktualitet

Konfliktet mes gazetarëve dhe politikanëve          

Shkruar nga Liberale
Konfliktet mes gazetarëve dhe

Ndikuesit/ Belina Budini analizon nw librin nga UET PRESS si ndërveprojnë gazetarët dhe politikanët me njëri-tjetrin. Fërkimet mes tyre bëhen shpesh shfaqje popullore, për vetë protagonizmin që kanë këta aktorë në jetën e sotme publike. Mirëpo, “ngjarja” që ato prodhojnë është zakonisht për konsum të shpejtë si episod i ditës. Edhe pse përsëriten rregullisht dhe janë gjithnjë e më të shpeshta, fërkimet ndërmjet gazetarëve dhe politikanëve rrallë trajtohen si dukuri

Belina Budini

Në esenë e fundit të publikuar, “Kur sunduesit grinden”, Kadare u referohet si sunduese dy kategorive: asaj të poetit të njohur dhe asaj të mbretit, duke i quajtur “shemrues” ose “rivalë”. “Tirani dhe poeti, sado të kundërt të përfytyroheshin apo të shpalleshin, ishin të dy sundues. Rrezatimi i parë i fjalës nuk mund të ishte veçse i zymtë: shtypje, dhunë, rrëzim nga froni.” Gazetari dhe politikani mund të përfytyrohen lehtësisht në të njëjtën kategori, atë të ndikuesve ose sunduesve, pra, agjentëve të pushtetit simbolik. Edhe pse Kadare i referohet sunduesit letrar dhe tiranit, referenca tingëllon universale për sa i përket çështjes së pushtetit. Dyshja gazetar-politikan përbën sot pa dyshim një histori pushteti për shkak të ndikimit ose sundimit të opinionit publik që kërkojnë të dyja palët. Shkrimtari flet për dymbretërim dhe njëherësh shemrim. “Sa më shumë që krahasimi dukej i pamundur, aq më tepër xanxa për të shtohej. Ishte tinëzar, dyfytyrësh, i rrezikshëm, por ndoshta, pikërisht nga kjo, ngjante edhe më joshës”. Edhe pse raporti i gazetarit me politikanin mund të mos frymëzojë të njëjtën magjepsje sikundër ai mes poetit dhe tiranit në një ese letrare, ka një përmasë mjegulle që e rrethon edhe këtë dyshe të pushtetit të sotëm. Paskuinta e këtyre marrëdhënieve mbetet gjithnjë e pakapshme dhe ngre plot dyshime. Sa më shumë që ata ekspozohen, aq më tepër hamendësohet se fshehin ose mbulojnë. Ndonëse joshëse, këto hamendësime vështirë se mund të vërtetohen, ndaj lipset të shqyrtohen më konkretisht shfaqjet e hapura dhe të kumtuara të marrëdhënieve të pushtetit mes gazetarëve dhe politikanëve në sytë e publikut.

Fërkimet gazetar-politikan

Si sillen apo si ndërveprojnë gazetarët dhe politikanët me njëri-tjetrin, është pyetje që kërkon zhbirim të përhershëm. Fërkimet mes tyre bëhen shpesh shfaqje popullore, për vetë protagonizmin që kanë këta aktorë në jetën e sotme publike. Mirëpo, “ngjarja” që ato prodhojnë është zakonisht për konsum të shpejtë si episod i ditës. Edhe pse përsëriten rregullisht dhe janë gjithnjë e më të shpeshta, fërkimet ndërmjet gazetarëve dhe politikanëve rrallë trajtohen si dukuri. Metafora e fërkimit mund të përdoret me njëfarë efikasiteti për të analizuar dukurinë e mësipërme. Në të vërtetë, kronika e këtyre ndërveprimeve në skenën publike shqiptare është mjaft e pasur dhe e gjatë, madje disa prej tyre janë mjaft të hershme dhe kanë themeluar thuajse një traditë fërkimesh me natyrë jo thjesht simbolike. Të lexuarit e ndërveprimeve ose marrëdhënieve mes gazetarëve dhe politikanëve lehtësohet mjaft nga përdorimi i kësaj metafore, edhe pse ajo nuk nënkupton detyrimisht antagonizëm ose opozicion ndërmjet dy palëve, por mund të flasë edhe për flirtim ose maskim. Në fizikë, fërkimi paraqitet si forcë e rezistencës, që priret të pengojë lëvizjen e trupave. Sipas referencave enciklopedike, gjatë rrëshqitjes ose rrokullisjes, trupat prodhojnë forcë fërkimi. Edhe pse janë forca fërkimi të jashtme, ato mund të jenë mjaft dinamike në varësi të madhësisë së forcës së rrëshqitjes ose rrokullisjes, që përpiqet të lëvizë trupat. Mirëpo, trupat kanë edhe fërkime të brendshme, të cilat në rastin kur realizohen ndërmjet vetë shtresave fluide, krijojnë viskozitet. Forcat e fërkimit në natyrë konsiderohen se mund të jenë të dobishme ose të dëmshme. Kështu, për shembull, i dobishëm konsiderohet fërkimi ndërmjet këpucëve ose rrotave të makinës dhe tokës. Nga ana tjetër, fërkimi i dëmshëm i ngjan atij ndërmjet cilindrit dhe pistonit në motorët me djegie të brendshme apo boshteve rrotulluese të makinave dhe sipërfaqeve të tyre mbështetëse. Në këto raste, që të zvogëlohet fërkimi mes tyre, ndërmerren shpesh masa të kushtueshme. Për shembull, në mes të shtresave takuese vendosen lloje të ndryshme të vajrave industriale etj. Termat e mësipërm, të huazuar nga fizika, vlejnë për të përfytyruar dukurinë e fërkimit të figurshëm mes gazetarëve dhe politikanëve, e cila është mjaft dinamike dhe e rëndësishme për të kuptuar ligjësitë e lëvizjeve përkundrejt njëri-tjetrit. Ato mund të shfaqen si karakteristikat e fërkimit ndërmjet këpucëve dhe tokës, ashtu edhe efektet e fërkimit ndërmjet cilindrit dhe pistonit, si në ilustrimet e mësipërme. Po kështu, forcat e prodhuara nga fërkimi mes tyre mund të jenë gjithashtu të dobishme për sa kohë mundësojnë lëvizje demokratike, por edhe të dëmshme kur prodhojnë thjesht viskozitet ose squllje profesionale. Ato kërkojnë, nga ana tjetër, përdorim të instrumenteve të kushtueshme dhe jodemokratike në formën e “vajrave” ose trafikut të influencave për lubrifikimin e shtresave takuese. Sa më sipër, janë arsye për ta parë “fërkimin” si metaforë të vlefshme në përpjekjen për të kuptuar natyrën e ndërveprimeve ose marrëdhënieve mes gazetarëve dhe politikanëve. Fërkimet mes këtyre aktorëve publikë, ashtu si ato mes trupave në fizikë, mund të jenë të shumëllojshme, si për shembull, “fërkime” “statike”, “kinetike”, “fluide”, “të lubrifikuara”, “sipërfaqësore”, “të brendshme”, “dinamike”, “rrezatuese”, “frenuese” etj. Duke përdorur këtë lloj metafore, politikanët dhe gazetarët janë parë si forca deri diku të mëvetësishme, ngjashmërisht me trupat e ngurtë. Megjithatë, metafora e fërkimit vlen edhe për trupat e lëngëzuar, në rastin kur gazetarët dhe politikanët shfaqen me kufij fluidë, po t’i referohemi metaforës së famshme që përdor Bauman kur i referohet modernitetit në termat e gjendjes së lëngshme. Sipas tij, trupat e ngurtë të trashëguar janë të dënuar të “lëngëzohen” për arsye se ata janë tashmë të kalbur, të qullët dhe të padenjë për t’iu zënë besë. “Kjo lloj shkrirjeje e trupave të ngurtë e la krejtësisht të zhveshur gjithë rrjetin e ndërlikuar të marrëdhënieve shoqërore – të zhveshur, të pambrojtur, të paarmatosur dhe zbuluar”. Ai e lidh këtë dukuri me prurjet e lirisë së agjentëve njerëzorë, si produkt i “elasticizimit” të ri dhe shtimit të rrjedhshmërisë së marrëdhënieve. Kështu, fuqitë lëngëzuese sipas Bauman-it kanë lëvizur prej sistemit te shoqëria – ose kanë zbritur nga niveli “makro” në atë “mikro” të bashkëjetesës shoqërore. Koncepti i fërkimit që propozova më lart për të rrokur ndërveprimet mes gazetarëve dhe politikanëve dhe ai i modernitetit të lëngët, që është termi ombrellë i të gjitha dinamikave të modernitetit, duke iu referuar Bauman-it, vlejnë për të tërhequr vëmendjen drejt agjentëve individualë ose aktorëve të pushtetit publik në kontekstin e ndryshimeve të vazhdueshme sistemike ose të strukturave të pushtetit.

Gazetarët e rrjetëzuar

Me rëndësi është të flitet edhe për rrjetëzimin e marrëdhënieve gazetar-politikan, që ka të bëjë jo vetëm me aktorët individualisht, por edhe me strukturën e pushtetit të mediave dhe të politikës, që ata riprodhojnë. Konceptin e mësipërm të strukturimit, që i referohet “prodhimit dhe riprodhimit të sistemeve sociale përmes përdorimit të rregullave dhe mjeteve nga anëtarët në ndërveprim e sipër”, e ka bërë shumë konkret Anthony Giddens. Duke përdorur fjalën ndërveprim, përballë termit më pasiv “sjellje”, Giddens-i sinjalizon bindjen e tij se njerëzit janë relativisht të lirë të veprojnë ashtu siç dëshirojnë. Ata nuk janë thjesht gurë shahu në lojën e jetës apo leshko që s’i mundon dyshimi e që kontrollohen nga forca që nuk shihen, të cilave ata s’u rezistojnë dot. Ai thotë se çdo aktor social di shumë për mënyrën sesi funksionon shoqëria dhe kur i pyesin, këta agjentë socialë kompetentë mund të shpjegojnë pjesën më të madhe të asaj që bëjnë[1].

Ashtu sikurse strukturimi paraqitet si proces i ndryshueshëm, i tillë shfaqet edhe rrjetëzimi i marrëdhënieve ndërmjet gazetarëve dhe politikanëve në kërkimet për këtë punim. Për më tepër, kjo strukturë ose ky rrjetëzim ka në qendër vetë aktorin individual si agjent ose krijues të saj dhe pikërisht kjo është qasja ose perspektiva prej nga janë shqyrtuar raportet e aktorëve të politikës dhe të mediave sot në Shqipëri. Ky rrjetëzim marrëdhëniesh dhe ky strukturim social do të kërkohet në praktikat ligjërimore të gazetarëve përkundrejt politikanëve, si agjentë ndërveprues dhe krijues të sistemit apo mjedisit të përbashkët ku veprojnë. Kjo do të thotë se si gazetari, ashtu edhe politikani, përmes mjeteve që kanë në dispozicion, shihet sesi i bashkëkrijojnë realitetet e tyre profesionale dhe kanë rol të rëndësishëm në mënyrën sesi paraqiten, legjitimohen dhe riprodhohen ato. Thënë në mënyrë të figurshme, rrjeta e marrëdhënieve që ata ndërtojnë, u mundëson lëvizjet, por edhe ua kufizon ato brenda rrjetës.

Marrëdhëniet e pushtetit kanë karakter thelbësisht të ndërsjellë, sikurse na kujton Foucault dhe ligjërimet e prodhuara si taktika të hapura dhe eksplicite flasin drejtpërdrejt për raportet e forcave ndërmjet aktorëve ose agjentëve të pushtetit. “Kushti i ushtrimit të pushtetit duhet parë te bazamenti i lëvizshëm i raporteve të forcës, të cilat, si pasojë e pabarazisë së tyre të ndërsjellë, përçojnë pareshtur gjendje pushteti, por, ama, gjithmonë lokale dhe të paqëndrueshme”. Të tilla shfaqen edhe raportet e pushtetit ndërmjet gazetarëve dhe politikanëve, ndërsa ligjërimet e tyre të ditës i manifestojnë këto raporte si edhe synimet apo objektivat e tyre, pa qenë nevoja t’i deklarojnë ato si të tilla.

Gazetarët si marioneta

Ndërkohë, Stuart Hall ka hedhur tezën e riprodhimit hegjemonik, që i bëjnë gazetarët të fuqishmëve për shkak të fuqisë strukturuese që u jep atyre fjala. Duke qenë se zotërojnë kapital kulturor dhe kodet simbolike të legjitimuara, të fuqishmit u imponohen gazetarëve ose ndërhyjnë në media me një “përkufizim të parë” për çështjet dhe temat, duke u bërë kështu përkufizuesit ose paraqitësit primarë të tyre. Edhe studiues të tjerë si Gans dhe Tunstall, në studimet e tyre empirike, dalin në përfundime të ngjashme në lidhje me ndikimin strukturor. Pierre Bourdieu thekson pushtetin që zotërojnë organizatorët e debateve televizive për të përkufizuar realitetet. Në esenë e tij “Mbi televizionin”, Bourdieu mban një pozicion tepër të ashpër ndaj gazetarëve, duke iu referuar konformizmit të tyre me pushtetet ose presionit të padurueshëm të shtrëngesave profesionale, gjë që i shndërron ata në “marioneta të domosdoshme” dhe jo në aktorë që zhvillojnë strategji në hapësira marrëdhëniesh të hapura dhe të shumëllojshme, duke u kthyer kështu në tezat e pozicioneve marksiste dhe të Shkollës së Frankfurtit, edhe pse vetë Bourdieu i pati kundërshtuar ato më parë

[1] Giddens, Anthony (2003), “Rregulla të reja të metodave sociale (bot.2), Palo Alto, CA: Stanford University Press. si edhe në “Komunikimi organizativ, qasjet dhe prirjet”, UET Press, f. 202. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH