Aktualitet

Kacifasin s’e duan as grekët, familjarët e tij dëbohen nga ceremonia

Shkruar nga Liberale

Ditën e djeshme është zhvilluar në Bularat dhe Këlcyrë një ceremoni përkujtimore për ushtarët grekë të vrarë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke.

Në këto ceremoni morën pjesë përfaqësues të lartë të shtetit grek, si zëvendësministri i jashtëm, Andonis Dhiamataris, e ambasadorja greke, Sofia Filipidu.

Në këtë ceremoni tentuan të merrnin pjesë edhe familjarët e ekstremistit Kostandinos Kacifas, i vrarë një vit më parë, por ata nuk u lejuan. Me kërkesë të organizatorëve të kësaj ceremonie, motra e Kacifas u ndalua nga policia, pasi mbante në duar një banderolë me emrin e Kacifasit dhe datën e lindjes dhe vdekjes.

Pas këtij veprimi, ajo ka shpërthyer me tone revoltuese, duke thënë se Bularati është tokë greke.

Jemi grekë autoktonë. Kjo është tokë greke. Epiri dhe Greqia janë një. Këtu jetojnë grekë që nuk flasin gjuhë tjetër. Gjuha jonë e nënës është greqishtja. Jemi të krishterë ortodoksë. Këtë duam ta dëgjojë qeveria shqiptare. Populli nuk ka faj. Udhëheqësit duhet ta kuptojnë se këtu jetojnë grekë, vetëm grekë. Jo grekë dhe shqiptarë”, u shpreh Ermioni Kacifas në gjuhën greke.

Sipas "Panorama", thirrjeve të familjarëve “Kacifas jeton, ti na drejton” nuk i është bashkuar asnjë nga të pranishmit në ceremoni, duke vijuar rrjedhën e vet normale të ceremonisë përkujtimore për ushtarët grekë.

Ceremonia nisi në Këlcyrë ku morën pjesë të afërm të të rënëve të ardhur nga Greqia, ndërsa më pas aktivitetet e organizuara ditën e Festës Kombëtare të Greqisë vijuan në Bularat të Gjirokastrës, ku u vendosën kurora në varrezat e tjera të ushtarëve grekë./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH