Globi

Irak,13 të vdekur për shkak të etheve hemorragjike

Shkruar nga Liberale
Irak,13 të vdekur për shkak të etheve hemorragjike

Ethet hemorragjike Krime-Kongo kanë marrë jetën e 13 personave nga gati njëqind raste të identifiuara deri më tani këtë vit në Irak, njoftoi të shtunën ministria e shëndetësisë.

I pyetur në lidhje me këtë nga Agence France-Presse, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Saif al-Badr, siguroi se, "për momentin", situata epidemiologjike duket më e mirë këtë vit se vitin e kaluar, kur u konfirmuan 212 raste dhe 27 vdekje.

Sëmundja virale transmetohet te njerëzit nga pickimi i insekteve ose kontakti me kafshët e infektuara.

“Që nga fillimi i vitit, numri i infeksioneve nga virusi që shkakton ethet hemorragjike ka arritur në 95, duke përfshirë 13 vdekje”, njoftoi dje agjencia shtetërore e lajmeve irakiane INA.

Dhe këtë vit, provinca e varfër rurale e Di Kar (jug) regjistron më së shumti raste dhe më shumë vdekje, përkatësisht 28 dhe 6, shpjegoi zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë.

Në këtë krahinë, banorët rritin bagëti, dele, dhi dhe buaj, kafshë që janë nikoqirë të mundshëm të virusit që shkakton ethet hemorragjike Krime-Kongo.

Personat më të kërcënuar janë ata që rrisin kafshë ose punojnë në thertore, theksoi përfaqësuesi në INA.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, transmetimi i virusit te njerëzit ndodh “ose nëpërmjet pickimit të rriqrave dhe pleshtave, ose nëpërmjet kontaktit me gjakun ose indet e kafshëve të infektuara, gjatë ose menjëherë pas therjes”.

Virusi ka një shkallë të lartë vdekshmërie, që varion nga 10 deri në 40% të rasteve. Transmetimi i virusit ndërmjet njerëzve mund të bëhet përmes “kontaktit të drejtpërdrejtë me gjakun, feçet, lëngjet e sekretuara ose organet e atyre që janë të infektuar”, thekson OBSH.

Sëmundja konsiderohet endemike në Irak, ku raste janë raportuar që nga viti 1979. Megjithatë, viti 2022 pa shpërthimin e saj më të dukshëm, me vetëm gjashtë raste të konfirmuara nga viti 1989 në 2009, tre raste fatale në 2018 dhe në 2021 me 33 raste, përfshirë 13 vdekje”, sipas OBSH-së.

Ndër hipotezat e bëra nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për shtimin e rasteve është mungesa e një fushate spërkatjeje me pesticide të kafshëve të kultivuara në vitet 2020 dhe 2021, gjë që lejoi rritjen e popullsisë, veçanërisht të pleshtave. Një zyrtar i OBSH-së kishte vënë në dukje se përhapja e parazitëve, të paktën pjesërisht dhe "me rezervë", mund t'i atribuohej ndryshimit të klimës, sepse zgjati periudhën e përhapjes së tyre.

 

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH