Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla do të zhvillojë disa takime me krerët e grupeve parlamentare një ditë pasi Autoriteti i Dosjeve njoftoi institucionin që ajo drejton se “një personazh me profil të lartë politik me inicialet I.M., rezulton ish-bashkëpunëtor i sigurimit”.
Nikolla ka takuar kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Ballën dhe pritet të takojë edhe kreun e grupit të PD Enkelejd Alibeajn dhe Fatmir Mediun.
Dje Autoriteti i Dosjeve në njoftim tha se:
“Në kuadër të punës së përditshme me përpunimin e materialeve të ish-Sigurimit të Shtetit, së fundmi Autoriteti është ndeshur me informacione dhe të dhëna mbi një personazh me profil të lartë politik. Institucionit iu kërkua nëpërmjet postës elektronike që të verifikohej figura e shtetasit I. M. në dosje të klasifikuara të ish-Sigurimit të Shtetit. Konstatimi u shqyrtua me përgjegjësi dhe materialet u bënë të njohura për të gjithë anëtarët e zgjedhur. Me vendimin nr. 321, datë 26.07.2022 të Autoritetit, të dhënat iu përcollën Kuvendit të Shqipërisë”.