Aktualitet

Historia e panjohur e 4 shqiptarëve të diasporës: Nga vëllezërit...

Shkruar nga Liberale
Historia e panjohur e 4 shqiptarëve të diasporës: Nga

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur të katër shqiptarëve të famshëm të mërgatës politike: dy vëllezërit Rexhep dhe Abdurrahim Kumbarçe me origjinë nga Dibra e Madhe, profesor Mehmet Beqiri me origjinë nga Vlora dhe ing. Vasil Gërmenji nga Kolonja, të cilët u detyruan që të largoheshin nga Shqipëria pas vendosjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke jetuar e punuar në vend të huaj, ku dhe ndërruan jetë, pa pasur mundësinë që të ktheheshin një ditë në atdheun e tyre. Dëshmia e rrallë e Pjetër Kadelit i arratisur nga Shqipëria në vitet e para të pas Luftës, për dy vëllezërit Kumbarçe, të cilët i njohu në kampet e ish-Jugosllavisë dhe më pas në shtete të ndryshme të Perëndimit, si në Itali, Belgjikë etj., ku ata dhanë një kontribut të madh në ndihmë të bashkëatdhetarëve të tyre që ndodheshin në kampet e azilantëve politikë etj., duke u akorduar atyre ndihma financiare. Si e përshkruante revista “Koha Jonë” që botohej në Francë, nga dy emigrantët politikë, Lec Shllaku dhe Isa Ndreu, historinë e panjohur të dy intelektualëve të famshëm antikomuniste, Mehmet Beqiraj me origjinë nga Vlora që shërbeu si profesor në disa universitete të Perëndimit, dhe Ing, Vasil Gërmenji, (nipi i Themistokli Gërmenjit) me origjinë nga Kolonja, i cili ishte anëtarë i Komitetit “Shqipëria e lirë” në SHBA-ës dhe kryetar i seksionit shqiptar në Kongresin e Kombeve të Robëruar të Europës, ku në vitin 1969, dorzoi në Kongresin Amerikan, një memorandum lidhur me gjëndjen e mjeruar të popullit shqiptar nën regjimin komunist të Enver Hoxhës.

Beqiraj, në fillim si student e më vonë si mësues e si profesor ordinar i universiteiteve të njohura amerikane kanadeze, gjermane, libanese e syriane la kudo gjurmë pune të çmuar. Eshtë për t’u vënë në dukje se Prof. Mehmet Beqiraj studimet e para akademike i bëri në Austri në degën e Bujqësisë dhe Agrikulturës dhe vetëm në mërgim iu përvesh studimit të Sociologjisë duke u bërë në 20 vjetët e fundit profesor i kësaj shkence në universitete të ndryshme. Shkollën fillore e bëri në vendlindje, në Vlorë dhe shkollën e mesme dhe Bodenkultur (Bujqësi e Agrikulturë) e mbaroi në Vjenë t’Austrisë më 1941.

Menjëherë pas mbarimit të Luftës dhe ardhjes së komunistëve të Enver Hoxhës në pushtet, përveç shumë kundërshtarëve të tyre politikë që kishin aderuar në organizatën nacionaliste të Ballit Kombëtar apo Partinë e Lëvizja e Legalitetit, u larguan nga Shqipëria edhe shumë intelektualë të njohur që ishin të diplomuar në universitetet e njohura të Perëndimit, të cilët u detyruan të merrnin rrugën e gjatë e të dhimbëshme të emigrimit, për t’i shpëtuar hakmarrjes së tyre. Ndër ata emigrantë të cilët jetuan për vite të tëra në dhe të huaj, ku u morrën me punë studimore e shkencore, apo duke dhënë një kontribut të vyer në dobi të çështjes shqiptare, duke punuar e luftuar për të bërë të njohur qeverive të shteteve perendimore atë që ndodhte në atdheun e tyre nga regjimit komunist i Enver Hoxhës, etj., kanë qenë edhe dy vëllezërit, Rexhep e Abdurrahim Kumbarçe nga Dibra e Madhe, profesor Mehmet Beqiraj nga Vlora dhe Ing. Vasil Gërmenji nga Kolonja, nipi i patriotit të madh, Themistokli Gërmenjit. Të katër këta shqiptarë të njohur si nacionalistë dhe me bindje antikomuniste, ashtu si dhe pjesa më e madhe e mërgatës politike shqiptare, ndërruan jetë atje në dhe të huaj, duke mos pasur mundësinë që të ktheheshin në atdheun e tyre, Shqipërinë, të cilës ata i kushtuan gjithë jetën.

Vëllezërit Kumbarçe

Dy vëllezërit, Rexhep dhe Abdurrahim Kumbarçe, u lindën në qytetin e Dibrës së Madhe, prej nga është dhe origjina e familjes së tyre. Gjatë gjithë periudhës që ata të dy qëndruan në emigracion në Belgjikë dhe SHBA, u njohën për aktivitetin e tyre human dhe për vepra të shumta bamirësie. Një nga njerzit që i ka njohur atë nga afër, është dhe Pjetër Kadeli, (me origjinë nga Mirdita), i arratisur nga Shqipëria në vitin 1949 për shkak të përndjekjeve nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe I rikthyer në Shqipëri disa vjet pas shëmbjes së regjimit komunist. Lidhur me të kaluarën e Rexhepit dhe të vëllait të tij Abdurrahimit, miku i tyre Pjetër Kadeli, dëshmonte: “Për të folur rreth jetës së Rexhep Kumbarçes, nuk është e vështirë, pasi jeta e tij është e mbushur me një aktivitet të dëndur në dobi të çështjes shqiptare. Por do të ishte e mangët fjala ime vetëm për Rexhepin, nëqoftë se nuk do të përmëndja edhe vëllain e tij, Abdurrahimin. Të ndierin Abdurrahim Kumbarçe, pata fatin ta njihja në vitin 1951 kur u formua e ashtuquajtura organizatë e emigracionit në qytetin e Prizërenit dhe që nga ajo kohë ne mbetëm miq të pandarë. Gjatë kohës që ne ishim duke vuajtur dënimin në burgun e Gerovës në Republikën Kroate të ish-Jugollavisë, të cilin serbët e parapëlqenin ta quanin kamp, Abdurrahimi me anë të vëllait të tij, Rexhepit, më njoftoi se ndodhej i burgosur në atë kamp. Atje ne na mbanin të rrethuar me tela me gjëmba dhe nën terrorin e ushtarëve serbë të armatosur deri në dhëmbë me automatikë dhe mitrolozë në të katër qoshet e rrethimit të atij burgu. Në atë kamp ku ishim më shumë se 1700 shqiptarë, kishte dhe nga shtete të tjera, kryesisht të vëndeve komuniste të Europës Lindore. Aty ne na jepnin vetëm 300 gram bukë në 24 orë dhe kushtet ishin tejet të vështira. Nisur nga ky fakt dhe duke e parë gjëndjen tepër të mjerusheme për të gjithë të internuarit që ishim aty, dy vëllezërit Kumbarçe, Rexhepi me Abdurrahimin, bënë ç’ishte e mundur, në mënyrë që t’ua lehtësonin sadopak vuajtjet shokëve të tyre, duke i ndihumuar të gjithë emigrantët, si nga pikpamja ekonomike ashtu dhe nga ajo morale. Ata i ndanin në dysh dhe në tresh cigaret e duhanit dhe u’a jepnin të burgosrve të tjerë që nuk kishin asnjë lloj ndihme nga familjet e tyre. Kjo gjë nuk vazhdoi shumë gjatë, sepse agjentët e UDB-së që ishin të infiltruar aty, njoftuan shefat e tyre dhe që nga ajo ditë, komanda e kampit përzgjodhi 100 shqiptarë dhe na nisën për në Itali. Pas kësaj, dy vëllezërit Kumbarçe u torturuan në mënyrën më barbare nga ana e agjentëve të UDB-së, duke u shëtitur nëpër bodrumet e frikëshme të atij kampi, saqë kur dolën që andej, asnjeni vëlla nuk mundi me e njoft vëllain tjetër. Kjo gjë vazhdoi për 18 muaj me rradhë dhe më pas bashkë me disa shqiptarë të tjerë, i morën prej aty dhe i’u dhanë azilin politik, duke i çuar në Belgjikë. Në atë vënd ata filluan të ingranohen menjëherë dhe filluan punë duke jetuar si shqiptarë të ndershëm. Pas disa kohësh qëndrimi në kryeqytetin e Belgjikës, duke qenë se Rexhepi e njihte mjaft mirë gjuhën frënge, ai shkoi në Ministrinë Punëve të Jashtëme të Mbretërisë Belge dhe aty përgatiti dokumentat e emigrimit, për të gjithë fëmijët e emigrantëve që jetonin në Belgjikë. Pas kësaj, qeveria e Belgjikës, u detyrua dhe dërgoi mijra dollarë në Shqipëri, për t’ju ardhur në ndihmë fëmijëve të atyre emigrantëve që ndodheshin nëpër kampet e punës së detyruar të regjimit komunist të Tiranës. Nuk e di në se mbërritën të gjithë ato dollarë në destinacionin e caktuar, por desha të tregoj, mbi humanizmin e lartë të dy vëllezërve, Rexhep dhe Abdurrahim Kumbarçe, të cilët ishin njerzit më zëmërmëdhej që kam njohur në jetën time. Përveç kësaj, ata të dy ndihmuan me të holla dhe emigrantët e tjerë shqiptarë që jetonin në atë kohë nëpër kampet e Udines dhe Brindisit në Itali, ku autoritetet e atyre kampeve abuzonin me ndihmat e ushqimet e akorduara nga vëndet e Europës Perendimore. Po kështu, dy vëllezërit Kumbarçe, i dërgonin të holla dhe motrës së tyre që ndodhej në Dibrën e Madhe për të gjitha rastet e festave fetare, e kryesisht në muajt e Ramazanit e ditën e Bajramit, në mënyrë që ajo t’ua shpërndante ato pare fukarejve që ta festonin dhe ata atë festë”, kujtonte Pjetër Kadeli, lidhur me aktivitetin human të dy vëllezërve Kumbarçe, në kampin e Gerovos në Kroaci dhe në Bruksel të Belgjikës..

Nga Belgjika në SHBA

Pas afro dhjetë vitesh qëndrimi në Belgjikë, në 1961-in, dy vëllezërit, Rexhepi me Abdurrahimin, emigruan për në SHBA, ku u stabilizuan menjëherë. Lidhur me qëndrimin e tyre në SHBA dhe aktivitetin e tyre human, Pjetër Kadeli dëshmonte: “Sapo erdhën në SHBA, Rexhepi me Abdurrahimin, menjëherë i’u vunë punës duke punuar deri në 60-të e 80-të orë në javë. Edhe pse ata kishin të ardhura shumë të mjaftueshme, jeta që bënin ishte shumë e thjeshtë dhe ata ’u vunë punës duke ndihmuar entet e ndryshme fetare që frekuentoheshin prej shqiptarëve. Po kështu ata mblodhën ndihma dhe kontribuan në ndërtimin e xhamisë së madhe në qytetin e Dibrës së Madhe, e cila i’u kushtoi rreth 40.000 dollarë. Gjatë gjithë periudhës së qëndrimit të tyre në SHBA, ata ndihmuan me shuma të mëdha parash edhe shumë ente të ndryshme kulturore dhe sportive, si edhe njeërz të vobektë të cilët vdiqën nga aksidente të ndryshme dhe nuk kishte se kush t’ua paguante shpenzimet e varrimit. Aty nga mesi i viteve ’60-të, dy vëllezërit, Rexhepi me Abdurrahimin, përgatitën dokumentat e kërkuan që të shkonin në vëndëlindjen e tyre, Dibër e Madhe, në ish-Jugosllavi, me qëllim që të shmalleshin me të afërmit e familjes që kishin kohë pa i parë. Por sapo ata mbërritën në Dibër të Madhe, brenda 24 orëve, autoritetet serbe dhanë urdhër që ata të largoheshin menjëherë nga Jugosllavia. Arsyeja e largimit të tyre dhe shpalljes “persona non grata”, ishte fakti se në vitin 1951, me rastin e festës së Pavarsisë sonë Kombëtare, ata kishin ngritur flamurin pa yll në kampin e Gerovës. Jo vetëm unë, por por e gjithë mërgata shqiptare që ka jetuar në SHBA, e ka parë dhe ka vlerësuar aktivitetin human të dy vëllezërve Kumbarçe, të shquar për virtutet e tyre të larta e besë dhe bujari”, kujtonte Pjetër Kadeli, lidhur me dy vëllezërit Kumbarçe. Pas një aktiviteti të dëndur human prej afro 28 vjetësh, në SHBA, të dy vëllezërit Kumbarçe, u ndanë nga jeta. I pari ndërroi jetë, Rexhepi, i cili vdiq nga një atak në zëmër më datën 1 nëntor të vitit 1987, duke lënë në pikëllim të madh, gruan e tij Naxhijen, dhe djalin, Hekuranin. Ai u varros me nderime të mëdha nga qindra shqiptarë të mërgatës antikomuniste dhe miq të tjerë të Amerikës. Pas disa kohësh u nda nga jeta edhe Abdurrahimi.

Kush ishte Prof. Mehmet Beqiraj?

Lidhur me vdekjen e Prof. Mehmet Beqirajt, në vitin 1987, shtypi shqiptar i mërgatës antikomuniste, në mes të tjerash shkroi: “Mbas një sëmundje të gjatë, vdiq në Kingston (Ontario) Kanada, më 3 Qershor 1987, i mirënjohuri Profesor Universiteti Mehmet A. Beqiraj, në moshën 75 vjeçare. Lë pas të shoqen, zonjën fisnike Edith, ne Beichl, dhe një djalë. Prof. M. Beqiraj është i njohur në rrethet shqiptare politike dhe kulturore për shërbimet e tij të shumta që i dha botës arbërore. Ai qe inisiator dhe frymëzues i disa mbledhjeve kombëtare në atdhe dhe këshilltar i respektuar i zyrave të larta politike në mërgim. Mori pjesë aktive në Kryengritjen Shqiptare në radhët e Organizatës “Balli Kombëtar”, duke anuar në mërgim plotësisht me fraksionin e kryesuar nga z. Hasan Dosti. Mbasi mori vullnetarisht nënshtetësinë amerikane, ai u largua plotësisht nga aktivizmi politkë, duke i’u dedikuar vetëm studimeve universitare. Në fillim si student e më vonë si mësues e si profesor ordinar i universiteiteve të njohura amerikane kanadeze, gjermane, libanese e syriane duke lënë kudo gjurma pune të çmuar. Eshtë për t’u vënë në dukje se Prof. Mehmet Beqiraj, studimet e para akademike i bëri në Austri në degën e Bujqësisë dhe Agrikulturës dhe vetëm në mërgim i’u përvesh studimit të Sociologjisë, duke u bërë në 20 vjetët e fundit profesor i kësaj shkence në universitete të ndryshme. Shkollën fillore e bëri në vendlindje, në Vlorë dhe shkollën e mesme dhe Bodenkultur (Bujqësi e Agrikulturë), e mbaroi në Vjenë t’Austrisë më 1941. Menjëherë emërohet si mësimdhënës në Shkollën Bujqësore të Kavajës, ku punoj një vit nga ku shkon në Vlorë ku bëhet kryetar i Zyrës Bujqësore të krahinës. Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjen Prof. Beqiraj në Austri, e më vonë në kampet e refugjatëve në Itali. Në vitin 1948, emërohet si mësimdhënës në universitetin e Damascus (Syri) në shkollën e Agri-kulturës, ku shërbeu gati dy vjet. Më 1949 emigron në Amerikë dhe fillon të punoj në një laborator kimik-agrikulturor, në Philadelphia Amerikë. Në të njëjtën kohë bashkëpunon me redaksinë e Radios “Free Europe”. Në vitin 1959 fillon rrugën e gjatë të studimeve akademike në Universitetin e famshëm Cornell University, Ithaca, N.Y., ku së pari merr Master’s Degree më 1960 dhe në vitin 1962 merr Ph. D. (doktoratën) duke paraqitur një tezë mbi studime sociologjike. Në vitin 1963, emërohet profesor në “American University” në Byrouth (Liban) dhe në vitin 1964, vazhdon të bëjë kërkime në Cornell University. Në vitin 1966 emërohet si profesor vizitues në Universitetin e Bonn në Gjermaninë Perëndimore. Më 1967 emërohet si profesor sociologjie në Universitetin Alberta në Edmonton (Kanada) dhe nga viti 1969 deri sa doli në pension më 1977, ishte profesor në Queens University në Kingston (Ontario) Kanada. Manuskriptet e tij janë të shumta, që qenë tekste të kurseve të universiteteve ku dha mësim dhe po përmendim vetëm disa tituj:”Bujqësia në Sociologji”, “Modernizimi Sociologjik”, “Historia e Mendimit Sociologjik”, “Ndryshimet Sociologjike” etj. Gjithashtu të pabotuara janë edhe dy manuskriptet me tema shqiptare, si “Zhvillimi Sociologjik në Shqipëri” dhe “Kryengritja Shqiptare 1943-1944”. Shumica e manuskripteve janë shkruar në gjuhën anglishte, por disa janë edhe në gjuhën gjermane, gjuhë që e njihte tepër mirë dhe disa aty këtu edhe në shqipe. Botimi i tyre do të hidhte pak dritë mbi Kryengritjen Shqiptare. Shtojmë se Prof. Beqiraj, bashkëpunoj edhe në librin që botoi Komiteti “Free Europe” më 1956 me titull “Albania” ku bashkëpunoj edhe bashkëtatdhetari z. Avv. Kemal Vokopola dhe George Bossy dhe Fred Pisky. Kryeredaktor e mbikqyrës për atë libër ishte Prof. Stavro Skëndi. Ai libër është një antologji e mirë kronologjike e ngjarjeve historike e politike shqiptare deri më 1956. Aty ndodhen edhe skica biografike të rëndësishme të klasës politike në Shqipëri prej 1944 deri më 1956. Ai bashkëpunoj edhe në revistën e famshme të Koliqit “Shejza” në gazetën e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, “Shqiptari i Lirë”, përfundon shkrimi i revistës “Koha e Jonë”, që botohej në Firence nga Lec Shllaku dhe Isa Ndreu, lidhur me jetën e vdekjen e profesorit të shquar shqiptar, Mehmet Beqiraj.

Kush ishte Vasil Gërmenji?

Më 28 nëntor të vitit 1988, ditën e festës Kombëtare të Shqipërisë, në të gjithë diasporën shqiptare që jetonte në SHBA, u hap lajmi i vdekjes aksidentale të Ing. Vasil Gërmenjit, (nipi i patriotit të madh, Themistokli Gërmenjit), një prej personaliteteve më të spikatura të mërgatës antikomuniste. Vdekja e Ing. Vasil Gërmenjit në atë kohë u përcoll pothuaj nga i gjithë shtypi shqiptar antikomunist i Perëndimit, e sidomos nga revista “Koha e Jonë” e Isa Ndreut e Lec Shllakut që dilte në Firence të Italisë dhe shpërndahej në të gjithë vëndet ku kishte komunitete shqiptarësh. Ajo revistë, pas titullit të madh, “Patrioti shqiptar vdes në një aksident automobilistik” shkruante: “Ky është titulli i lajmit të vdekjes tragjike të Ing. Vasil Gërmenjit dhe grues së tij besnike të jetës, Germanie, nga qyteti i Marsejësi Francës, me të cilën ai jetoi për dhjetë vjet në qytetin Inversness në Floridën qëndrore. Aksidenti ka ndodhë tamam Ditën e Flamurit, më 28 nëntor 1988. Gazeta në fjalë, jep një përshkrim të përmbledhët të veprimtarisë politike të të Gërmenjit si antar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, e sidomos në lidhje me Kuvendin e Kombeve të Robnueme të Europës, tue sjellë edhe një fotografi para godinës madhështore të Kongresit Amerikan në Ëashington, kur Gërmenji i dorzonte Kongresmenit të Neë Yorkut, Horton, një Memorandum politik mbi gjëndjen aktuale të Kombeve të Robnueme, drejtue Kongresit Amerikan nga Asambleja Evropiane A.C.E.N. në vjetin 1969, kur Gërmenji ishte Kryetar i organizatës në fjalë. Për më se dhjetë vjet, Gërmenji megjithë bashkëshorten e tij, ka kalue pleqëninë e vet në krahinën e pyllëzueme në Floridën qëndrore të bukur dhe me klimë të butë e të këndëshme. Ata jetojshin gati në vetmi dhe shumë pranë tyre jetonte dhe familja e gazetarit të njoftur, Shemsedin Vëndresha. Si të tjerë të kësaj moshe të kalueme, Gërmenji kishte lënë që të ndërtohet vila, simbas dëshirës së tyne, duke pasun dhe një pishinë të vogël, ashtu si e lejon komforti i qytetnimit modern amerikan. Kjo jetë paqësore përfundoi tragjikisht për të dy dhe më 5 dhjetor në shtëpinë e zisë moderne të qytetit Inverness, u krye ceremonia e thjeshtë mortore simbas ritit të Kishës Orthodokse dhe në prani të nja 30 vetave, miq të atyshëm të Gërmenjëve, midis të cilëve edhe disa shqiptarë të ardhur nga vëndet aty afër. Dr. Hamdi Oruçi, mjeku shqiptar dhe miku i familjes Gërmenji që kishte ardhur nga Neë Yorku, drejtoi ceremoninë mortore. Mbas një fjalimi të shkurtër në anglisht, mbi jetën e zotit Gërmenji dhe bashkëshortes së tij, ai ia dha fjalën zotit Rexhep Krasniqi, bashkëpunëtorit të afërt të Gërmenjit për shumë vjet, i cili bani një analizë të përmbledhur biografike në anglisht të jetës së tyre. Varrimi u bë në mënyrë shumë dinjitoze, në varrezat e bukura të qytetit Inverness, ku bashkëatdhtari ynë, zoti Adem Hodo, shprehi lamtumirën e fundit në gjuhën shqipe. Kështu, larg atdheut të dashtur dhe larg qëndrave shqiptare në Amerikë, Vasil dhe Germain Gërmenji, gjetën paqë dhe qetësi të përherëshme në tokën dashamirëse Amerikës./Memorie.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH