Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Grida Duma në një status në Facebook ka folur për zhvillimet e fundit brenda opozitës që lidhen me nismën e ish-kryeministrit Sali Berisha për të mbledhur Kuvendit Kombëtar.
Deputetja e PD duke i kujtuar Berishës se ka qenë një nga të paktë figura që e ka mbrojtur pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 2013-s, i ka kërkuar që të tregohet “njerëzor” në betejën politike brenda opozitës.
Zv.kryetarja e PD ka shtuar se kjo “nuk është një arsye që unë të kërkoj paqe dhe mirëkuptim nga Sali Berisha, por një arsye më shumë, që të kërkoj prej tij përgjegjshmëri në debatin publik”.
Reagimi i deputetes së PD vjen pas deklaratave të Evi Kokalarit në “Foltoren” e Berishës në Fushë-Krujë, ku tha se nuk kishte xhelozi për znj. Duma pasi e konsideronte atë “të papastër dhe të pamoralshme”.
Pa iu referuar me emër, Duma në reagimin e saj thotë se “përpos atyre që e kanë me pastërti reale pjesëmarrjen në përplasjen e brendshme, ka shumë nga ata që i janë sulur e po kacavirren rreth tij, me nuhatje për të përfituar sërish nga ai (Berisha).”
“Sali Berisha, ka mundësi që me një fjalë apo gjest, të drejtojë në çast, ndjekësit e ata që kacavirren të pas tij. Kjo sepse për fat të mirë ose jo, bashkëpunimi me të, më ka mësuar të kuptoj që valenca e tij politike ka ndikim te fortë tek ata që flasin me fjalët e tij, ata që thonë ato që nuk mund t’i thotë dot vetë ai. Sot Sali Berisha, më e pakta ka detyrë ta përdorë këtë valencë, që ata që sot vërtiten rreth tij mos përdorin linçimin. Ka detyrë të ndalojë ata që përdorin linçime personale ndaj njerëzve, që ndoshta sot nuk mendojnë si ai, por që për atë vetë, kanë kontribuar e punuar dhe shumë madje. Dhe këtë nuk ia drejtoj si kërkesë me përulje, por si një reciprocitet minimal! Dikush që i thotë vetes “burrë shteti”, pasi mbaron së foluri, nuk rri e dëgjon me endje si linçohen nga ushtarët e tij; ata që nuk mendojnë si ai. Kjo është nga ato besëprerje që nuk kanë lidhje me “burrin e shtetit””, shkruan znj. Duma.