
Një javë nga rifillimi i transportit publik, shoqatat e këtij shërbimi protestuan para Ministrisë së Infrastrukturës, duke kërkuar mbështetje.
“Kërkesa kryesore është heqja e akcizës së naftës, që do të na lehtësonte rikthimin në shërbim. Kërkojmë edhe uljen e TVSH-së nga 20% në 0%. Gjithashtu, duam njohjen si shpenzim i zbritshëm i naftës, nga 43% që është aktualisht në 100%”, tha Eno Sulejmanaj, i Shoqatës së Transportit.
Blendi Gonxhja, kreu i DPSHTRR, tha në A2 se: “Po punojmë që para 15 qershorit të ketë një paketë shtesë për të mbështetur operatorët e transportit publik për shpenzimet plus që do të kenë”.
Gonxhja shtoi se nuk parashikohet rritje e çmimit të biletave: “Situata ekonomike është e vështirë dhe populli nuk e përballon dot”.
Nëse kërkesat nuk do të plotësohen brenda datës 15 qershor, kur do të nisë punën transporti publik, shoqatat paralajmërojnë përshkallëzimin e protestave.