Nga kujdestaria e fituar me vendim gjykate pas divorcit, tek pamundësia për të takuar fëmijët e saj. Diana Veizaj rrëfen dramën e një nëne të ndarë padrejtësisht nga vajza dhe djali, që mbahen nga gjyshërit prej një viti e gjysmë. Ajo kërkon drejtësi nga institucionet që fëmijët të kthehen në gjirin e saj, ndërsa druhet se ish-bashkëshorti do t’i marrë në Gjermani
Shtatzënë me fëmijën e saj të tretë, Diana trokiste me dëshpërim në portën e ish-vjehërrve për të marrë dy fëmijët.
Jo vetëm që ajo derë nuk iu hap, por si në një skenar absurdi e gjeti veten përballë një urdhri mbrojtjeje që gjyshërit e fëmijëve ngritën ndaj saj.
Prej pesë vitesh, qysh nga shkurorëzimi me bashkëshortin me të cilin ndan dy fëmijë, Gjykata e Rrethit Tiranë e caktoi atë si prindin kujdestar, ndërsa të atin e dy të miturve e ngarkoi me detyrimin e pensionit të përmuajshëm ushqimor, duke i dhënë të drejtën e takimit me ta dy herë në muaj.
Por babai i dy fëmijëve kishte po aq vite larg tyre dhe siç rrëfen Diana vendosi të mos kthehej nga Gjermania për t’i parë, qoftë edhe njëherë për ta ushtruar atë të drejtë të dhënë me ligj.
Jeta dukej se kishte hyrë në hullitë e së zakonshmes, me Dianën si i vetmi prind i pranishëm dhe përkujdesës në jetën e fëmijëve, derisa kjo mori kthesë dramatike.
Ishte maji i 2020-s, kur sapo kishin nisur lëvizjet e para, pas muajve të izolimit prej pandemisë, kur ajo ra dakord të shpinte të bijën tek gjyshërit në qytetin e Fierit.
Për hir të mirëqenies emocionale të fëmijëve, ishte përpjekur të ndërtonte një urë komunikimi me ish të shoqin. Ky i fundit, e bindi që të çonte me pushime pesëmbëdhjetë ditore të bijën tek prindërit e tij. Në asnjë moment, qysh prej ndarjes, ai nuk e kishte ushtruar të drejtën prindërore për të kaluar pushimet me të bijtë, por kishte parapëlqyer që këtë të drejtë – ndonëse të paparashikuar në vendimin e Gjykatës – po ia delegonte prindërve të tij.
“Pasi ma kthyen vajzën, vendosa ta çoj sërish me pushime tek gjyshërit”, rrëfen Diana Veizaj, ndërsa deri atëkohë ishte mosbesuese dhe nuk i kishte lënë asnjëherë fëmijët vetëm me gjyshërit pa praninë e saj.
“Pak ditë më vonë më kërkoi t’i çoja edhe djalin. Me pretekstin se i ati ishte i sëmurë rëndë më bëri të vija dorën në zemër”.
Djali, atëkohë 10 -vjeçar nuk ishte ndarë kurrë për një kohë të gjatë nga e ëma dhe pesë ditë më vonë i telefonoi së ëmës duke i thënë se kishte mall për të.
Prej qershorit të vitit të kaluar, Diana nuk i ka parë fëmijët e saj. Ato takime të rralla kanë qenë në prani të psikologëve apo të gjyshërve, që siç rrëfen gruaja e re, në kaq muaj i kanë manipuluar fëmijët të mendojnë dhe flasin keq për të ëmën.
Një kalvar i gjatë e i dhimbshëm nisi për nënën e dy fëmijëve, megjithëse me vendimin e vetëm nga Gjykata ajo ishte prindi kujdestar.
Si të mos mjaftonte kjo mbajtje nga gjyshërit, të cilët po shkelnin ligjin, drejtoresha e shkollës “Qazim Turdiu në Tiranë ku studionin fëmijët, jep shpërnguljen e kështu ata të dy regjistrohen për të ndjekur mësimet në një shkollë të Fierit.
Sipas Dianës, ata kanë dorëzuar një letër të firmosur nga një oficer policie që pretendon kujdestari të përkohshme nga gjyshërit, ndonëse kujdestaria nuk është kundërshtuar në asnjë gjykatë nga prindi tjetër, babai.
Paskëtaj nis një fushatë përbaltjeje për figurën e nënës, si e padenjë për t’i rritur dhe edukuar fëmijët që deri më atë kohë kishin qenë nën kujdesin e saj dhe i ati nuk kishte ngritur kundërshtim.
Kundërshtimet përkuan me kohën kur Diana nisi një njohje të re, nga e cila erdhi martesa e saj e dytë dhe fëmija i saj i tretë.
Dy fëmijët nuk qenë të pranishëm as kur lindi motra e tyre dhe ende nuk e kanë parë.
Pasi nuk gjeti vullnet për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës nga Zyra Përmbarimore në Fier, që pretendonte se “nuk merrte fëmijë me zor”, Diana iu drejtua psikologes klinike për një vlerësim të specializuar psikologjik të të dy fëmijëve.
Nga raporti i psikologes Redina Balla Sulstarova del se rrëfimet e të dy fëmijëve, në lidhje me marrëdhënien me të ëmën ishin identike. Ata pretendonin se ishin keqtrajtuar nga partneri i së ëmës, se ajo grindej me mamanë e saj dhe se shpenzonte para e nuk punonte.
“Pavarësisht mungesës së shprehjes së afektit, gjendjes emocionale të sheshtë, vlerësoj se gjendja emocionale e të dy fëmijëve të mitur është ndikuar nga shumë situata, gjë që ka sjellë jo vetëm përfshirjen e tyre dhe marrjen e pozicioneve ndaj secilës figurë prindërore, por edhe përfshirjen e tyre emocionale duke u ndikuar psikologjikisht dhe duke ngritur barriera mbrojtëse, në mënyrë që mos lejojnë asnjë kujtim apo situatë të së shkuarës në përfshirjen e tyre”, vlerëson psikologia.
Qëndrimet refuzuese ndaj së ëmës, duket sipas ekspertes se janë ndikuar nga jetesa e tyre me gjyshërit, dhënia e informacioneve dhe përfshirja në një sërë situatash.
Sipas këtij vlerësimi psikologjik me të dy fëmijët e mitur, kryer në gusht të këtij viti, duket sikur ata po i imponojnë vetes ruajtjen e një gjendjeje në pamje të parë të qetë, por që ka ndikuar thellë në gjithë mekanizmat e tyre të funksionimit, duke dëmtuar kështu edhe marrëdhëniet me persona të rëndësishëm siç është nëna apo edhe familjarë të tjerë të afërm.
Ata nuk pranuan të takoheshin as me tezen, me të cilën kishin pasur marrëdhënie të mirë, edhe pse fillimisht kishin shfaqur gatishmëri.
Sipas psikologes, privimi i Dianës nga jeta e fëmijëve për mëse një vit, ka sjellë cenin të marrëdhënies së fëmijëve me nënën.
Në të gjitha qëndrimet e fëmijëve vihej re pozicionin protektiv ndaj gjyshërve dhe babait dhe pozicion refuzues dhe gjykues ndaj nënës.
Të dy fëmijët e mitur vlerësonin gjyshen nga ana e babait, duke zëvendësuar rolin e nënës, gjë që ka sjellë ambivalencë rolesh dhe i ka dhënë hapësirë fëmijëve të marrin vendime të rëndësishme, që lidhen me mënyrën e tyre të të jetuarit”, vijon më tej psikologia.
Ndërsa fëmijët kanë pretenduar dhunë nga bashkëshorti i ri i nënës, Diana ka rrëfyer se përtej problematikave në çift me bashkëshortin e parë, shkak i divorcit u bë edhe dhuna psikologjike e fizike që ai kishte ushtruar ndaj fëmijëve. Gruaja pretendon se për këtë ka një vlerësim të plotë psikologjik, pas intervistave që fëmijët patën me një psikologe më 2016-n, kohë kur ndodhi edhe divorci.
“Kur nëna sillte situata të së kaluarës, në të cilat babai kishte ushtruar dhunë ndaj fëmijëve u vu re një tendencë e tyre për të justifikuar babain me shprehje të tipit “ai na qëllonte lehtë” ose “Pa dashje”, duke marrë pozicion mbrojtës ndaj tij dhe duke dashur të shmangin situata në të cilat babai nuk kishte treguar kujdes ndaj tyre”, rrëfen më tej psikologia.
Fëmijët mohonin çdo kujtim të lumtur me të ëmën dhe ngulmonin se kishin bërë jetë jo të mirë, pretendime që sipas psikologes bien ndesh me mbarëvajtjen e tyre në shkollë dhe përfshirjen në grupin social.
“Nga i gjithë informacion i marrë si dhe nga vëzhgimet, reagimet, mënyra e përgjigjeve të të dy fëmijëve të mitur vlerësoj se, fëmijët e mitur prej vitesh kanë shpresuar që prindërit e tyre do të bashkohen. Mungesa e një komunikimi efektiv mes ish bashkëshortëve pas zgjidhjes së martesës dhe mungesa e figurës atërore te fëmijët e mitur ka sjellë ndikime te fëmijët duke brendësuar një mënyrë jetese, në të cilën nëna është e vetmja figurë prindërore prezentë”, thuhet në konsideratën psikologjike.
Siç vijon më tej psikologia, krijimi i një lidhjeje të nënës së tyre, është perceptuar si një “kërcënim i mundshëm” nga ana e fëmijëve të cilët kanë perceptuar që prindi i vetëm që është përkujdesur për ta, do të fokusohej te lidhja dhe familja e re. Në këtë mënyrë ata kanë përjetuar ndjenja inati ndaj partnerit, bashkëshortit aktual të nënës së tyre, duke sajuar histori në të cilat duan të nxjerrin dhunën e bashkëshortit të nënës pa shkak apo situata në të cilat përfshihet edhe nëna, të cilat nuk duken të kenë kuptim, si pjesë e zemërimit të tyre ndaj nënës.
“Te fëmijët janë lëkundur themelet e sigurisë personale, kanë përjetuar ndjenja konfuziteti. Në këtë mënyrë ata nuk kanë kërkuar ndihmë apo mbështetje nga prindërit duke perceptuar gjyshërit nga ana e babait si figura të cilët plotësojnë nevojat e tyre për vëmendje dhe dashuri. Të dy fëmijët e mitur të gjendur mes një konfikti intensiv kanë ndjenja konfuziteti dhe pasigurie që gjeneron frikë nga ç’mund të ndodhë nëse ndryshojnë modelet që ata i kanë induktuar vetes prej një viti”.
Sipas psikologes, te të dy fëmijët u vu re Sindroma e Alienimit Prindëror. Sindromë që, vihet re te prindërit të cilët ndahen dhe kanë nivel të lartë konflikti mes tyre.
Për psikologen, nevoja e marrëdhënieve pozitive me persona të rëndësishëm siç janë prindërit janë determinonte në zhvillimin konjitiv, në formimin e identitetit të fëmijëve dhe zhvillimin e personalitetit të tyre. “Zëvendësimi i figurës së nënës me një tjetër, cilado qoftë ajo dhe sado prezent qoftë në jetën e fëmijës, nuk është e shëndetshme pasi ndikon thellë në psikologjinë dhe zhvillimin e mëvonshëm të tyre me predispozitë marrëdhënie problematike në të ardhmen”, gjykon psikologia, ndërsa informacionet e dhëna fëmijëve apo përfshirja në situata konfliktuale i çon ata në frustrim, ankth e deprimomi. Fëmijë të moshës, 13 dhe 11 vjeç, siç janë aktualisht sot vajza dhe djali i Dianës, sipas psikologes nuk mund të marrin vendime, që lidhen drejtpërdrejt me marrëdhëniet e tyre vetjake me figurat prindërore. “Nuk mund dhe nuk duhet që një fëmijë në moshën e tyre t’u lejohet të marrë vendime, ku shmangen figurat prindërore apo vendime lidhur me mënyrën e të jetuarit”.
“Nuk po gjej Drejtësi në asnjë vend”, thotë gati e dorëzuar Diana, ndërsa pretendon se e ka rifituar kujdestarinë e fëmijëve në janar të 2021-shit.
Në një letër drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, Diana lutet për ndihmë, brenda dispozitave ligjore.
Ajo shpreson se do të gjejë bashkëpunimin e policisë- të munguar deri më tani – të Përmbarimit – deri tani jo bashkëpunues -dhe të organeve kompetente që fëmijët t’i kthehen asaj, siç edhe ka vendosur Gjykata pas divorcit.
Ajo kërkon që drejtoresha e shkollës, ku fëmijët po studiojnë aktualisht, të mos ia mohojë takimet me ta dhe të merren masa ligjore ndaj gjyshërve, që kundër çdo lloj vendimi të ligjshëm, mbajnë të dy të miturit.
Nëse të gjitha organet kompetente veproj në akord dhe me drejtësi rezultati për kthimin e fëmijëve do jetë patjetër pozitiv”, shpreson Diana.
Në pesë vite, qysh prej divorcit, babai i takoi fëmijët vetëm verën e këtij viti kur u kthye nga Gjermania për dy javë. Më pas iu rikthye jetës jashtë vendit, ndërsa konfliktin e hapur familjar ua ka lënë ta menaxhojnë ish-bashkëshortja dhe dy gjyshërit.
“Vlerësohet se fëmijët përjetojnë përfshirjen e nënës në një raport sentimental të ri, si një lloj “zie” e cila lidhet me konceptin e humbjes. Frikë nga humbja e vëmendjes së nënës dhe zhgënjim që dëshira e tyre që, prindërit të bashkohen nuk mund të realizohet”, mendon psikologia.
Diana druhet se plani i fundmë i ish- bashkëshortit është t’i marrë fëmijët drejt Gjermanisë, duke ia hequr krejt të drejtën e prindërimit asaj, së cilës i takon me ligj./Liberale.al