
Këngëtar, aktor humori, showman dhe producent. Pasi ka provuar shumë skena, Ermal Mamaqi thotë se ajo e trajnerit motivues e përmbush më shumë. Në një takim me studentë, organizuar nga Departamenti i Komunikimit në UET, ndau disa këshilla drejt suksesit, por edhe disa lajme rreth produksioneve më të reja filmike, të tij
Ndonëse vitet kalojnë dhe ai e ka shpërfaqur veten në shumë dimensione, brenda industrisë së argëtimit, Ermal Mamaqi ende mbahet mend si aktori i “Portokalli”-së.
Por, nëse deri para pak viteve, në rrjetet e tij sociale, publiku qeshte me batutat gazmore, sot gjejnë postime në ton më serioz dhe me qëllim motivimin drejt suksesit.
“Nuk kam ndryshuar karakterin”- u tha ai studentëve të Universitetit Europian të Tiranës në një bashkëbisedim me ta, në kuadër të takimeve “Forumet UET”-, “Thjesht kam ndryshuar zonën time, ku kam dëshirë të performoj”.
Aktori dhe producenti, i kthyer në njeri biznesi dhe së fundi si një folës publik që motivon audiencat, iu tha të rinjve se tani po bën atë që i pëlqen atij dhe pak rëndësi ka, nëse të tjerët mendojnë ndryshe. “Ka pasur një kohë në jetën time që bëja gjëra, që të tjerët të thoshin diçka për mua. Kur u rrita dhe pak, mendoja më mirë të mos i bëja ca gjëra, për të tjerët. Ata as e kishin idenë kush isha unë. Kur u rrita më shumë bëra atë që doja dhe nuk më plas fare se çfarë mendojnë ‘ata’”.
Ai pranoi se në “Portokalli”, spektakli prej të cilit u shkëputur prej vitit 2007 ka bërë edhe role, për të cilat edhe i vjen turp sot.
“Në trajnimet e mia, njerëzit futen poshtë tavolinave duke qeshur. Nga fillimi e deri në fund, trajnimet e mia janë standup comedy dhe, nuk ka vdekje ku unë nuk bëj për të qeshur”, tha ai me nota humori.
Aktori shtoi se dimensionin e trajnimeve e shijon më së shumti, në këtë fazë të jetës.
“Pjesës së trajnimeve që i jam futur dhe e shijoj shumë vjen si pasojë e një niveli, që uroj shumë ta provojnë, ti kesh disa gjëra në rregull; kam nëntë biznese që punojnë dhe janë në rregull, bëj filmat e mi, sapo mbarova serialin “H.O.T 2”, nis xhirimet e “Dy Gisht Mjaltë 2”, që do të jetën ë kinema në shkurt. Filmat “Dy Gisht Mjaltë” dhe “I Love Tropoja”, kanë thyer rekorde shikueshmërie në kinematografinë shqiptare të të gjithë kohëve, që nga filmi i parë “Tana””.
Ai iu drejtua studentëve të Komunikimit dhe Arteve Liberale, duke iu thënë se pari ka provuar disa faza në karrierën e tij si këngëtar, aktor i humorit, showman e producent, asgjë nuk i jep kënaqësi më të madhe sesa skena si trajner motivues “...ku njerëz me lot në sy të thonë: Ermal Faleminderit! Këtë e kam si thirrje dhe kam sukses, pasi në çdo sallë që lajmëroj se do të jem, janë super full dhe sold out”, tha ai. Ai zbuloi se ka edhe një linjë tjetër trajnimi për njerëz të biznesit dhe në karrierë, të cilët i trajnon drejt suksesit.
Ai iu tha të rinjve se, për të pasur sukses duhet të dalin nga zona e rehatisë, të sfidojnë veten e të marrin përsipër edhe rrezikun. “Sukses do të thotë të mos jesh i sigurt”, tha ai, ndërsa e vlerësoi arsimimin si pjesë të rëndësishme.
“Dita kur mbaron shkollën, është në fakt dita e parë kur e fillon. S’kanë rëndësi notat, por sa ke mësuar”.
Ai foli rreth përpjekjeve për t’u bërë versioni më i mirë i vetes, duke thënë se çdo ditë jemi përballë dy mundësive; të përmirësohemi, ose të përkeqësohemi duke përjashtuar opsionin e të mesmes.
Duke u kthyer në fillimet e karrierës së tij dhe arsyet që e çuan drejt kërkimit të suksesit, Ermal Mamaqi i këshilloi studentët të kuptojnë se çfarë duan nga jeta dhe t’i bëjnë vetes pyetjen si ta marrin atë. Këto, shtoi ai, janë pyetjet që të suksesshmit i bëjnë vetes, ndërsa kategoria e të pasuksesshmeve, sipas tij, shohin çfarë nuk kanë dhe e kërkojnë fajin tek të tjerët.
“Nëse do të kesh diçka që nuk e ke, duhet të bëhesh dikush që nuk je dhe që të bëhesh dikush që nuk je, duhet të mësosh diçka që nuk e di. Dhe njerëzve iu rekomandoj të fillojnë të lexojnë një nga këto librat, edhe timin patjetër”.
Për librin e tij “Në garë me veten”, i cili siç ka zbuluar ai ka shitur më shumë se njëzet mijë kopje, ai tha me nota humori se nuk pretendon t’u zërë vendin shkrimtarëve pretendentë për “Nobel”, porse vjen thjesht si një autor.
“E kam shkruar këtë libër për t’i ardhur në ndihmë njerëzve, sesi shkohet në rrugën drejt suksesit dhe kam përshkruar rrugën time sesi kam bërë sukses”, tha ai.
Ai kujtoi fëmijërinë e vështirë dhe tha se në botën e argëtimit u fut për të larë borxhet e familjes. “Prindërit e mi intelektualë, merceologë ekonomistë, me ndryshimin e sistemit mbetën pa punë dhe kishin marrë borxh për të ndërtuar një shtesë. Jam rritur duke dëgjuar mamanë time t’i thoshte babait: Çfarë do të hamë?!””.
Ai e vijoi rrëfimin e periudhës që e cilësoi si 18 vitet e para të jetës së tij, duke përshkruar vështirësitë e të jetuarit në apartamentet me hapësira të vogla dhe tha se kishte fjetur në divan, në kuzhinë, bashkë me të vëllain.
“Duhet të keni dëshirë. Nëne nuk keni dëshirë nuk do të bëni e nuk do të merrni asgjë”, tha ai, duke shtuar “Sa më shpejt të kuptoni se e keni ju përgjegjësinë, aq më shpejt do të fitoni kontroll të jetës suaj...Ndryshimi vjen nga brenda, dija vjen nga jashtë”.
Ai tha se beson tek puna e fortë dhe iu tha të rinjve se së pari iu nevojitet dëshira e më pas një strategji, plan i detajuar i rrugës dhe njerëz që të mbështesin.
Pasi përshkroi rrugëtimin e tij drejt suksesit, si një shembull konkret motivimi për brezat e rinj, Mamaqi tha se veprimtaria e tij në industrinë e argëtimit do të vazhdojë, me prodhimet filmike, por pasi i ka provuar të gjitha skenat, tha se trajnimet motivuese e përmbushin më shumë.