Aktualitet

Firmoset ligji i ri për nxënësit dhe mësuesit: Kush kapet me celular në shkollë do t’i sekuestrohet dhe do t’i nënshtrohet masave disiplinore

Shkruar nga Liberale
Firmoset ligji i ri për nxënësit dhe mësuesit: Kush kapet me

Përdorimi i celularëve nga nxënësit e arsimit para-universitar vijon të jetë një problematikë e njohur në shkolla. Pavarësisht masave të marra në nivel shkollash, drejtorish arsimore, urdhrash dhe udhëzimesh nga ministria e Arsimit, fenomeni vijon të përhapet me shpejtësi, duke sjellë jo pak anomali përgjatë procesit mësimor.

Për të frenuar këtë fenomen ministria e Arsimit dhe ajo e Financave kanë firmosur një udhëzim të përbashkët, i cili synon që nxënësit e arsimit parauniversitar, si dhe mësuesit, ta kenë gjithnjë e më të vështirë përdorimin e celularëve gjatë orëve të mësimit.

Udhëzimi këtë radhë nuk ka si objekt vetëm nxënësit e sistemit parauniversitar, por edhe vetë mësuesit, brenda shkollës.

Udhëzimi që mban firmën e dy ministreve Kushi dhe Ibrahimaj, kërkon qartazi ndalimin e përdorimit të telefonit celular, si nga nxënësit ashtu edhe nga trupa pedagogjike.

“Institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar dhe institucionet arsimore parauniversitare të marrin masa për zbatimin e urdhrit për mospërdorimin e telefonit celular gjatë procesit mësimor në shkolla dhe për ndalimin e telefonit celular në institucionet arsimore parauniversitare. Masat për ndalimin e përdorimit të telefonit celular gjatë procesit mësimor të pasqyrohen në rregulloren e brendshme të institucionit arsimor parauniversitar”- thuhet në udhëzim.

Çfarë parashikon ligji?

Në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare është e ndaluar të mbahen telefona celular nga nxënësit dhe mësuesit. Në rast konstatimi të përdorimit të telefonit celular nga nxënësit në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare, drejtoria e institucionit do të sekuestrojë telefonin celular, si dhe do të zbatojë masa disiplinore.

Telefonat e sekuestruar do të depozitohen pranë institucioneve arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar. Për masat e marra ndaj nxënësit, njoftohen me shkrim prindit ose kujdestari ligjor i nxënësit.

Drejtoritë e institucioneve arsimore, nga ana tjetër, duhet të rishikojnë rregulloren e brendshme të shkollës, duke përcaktuar masat për ndalimin e telefonit celular nga nxënësit dhe mësuesit, në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare.

Ato duhet të marrin masa për të organizuar takime me prindërit për njohjen me rregulloren e re; të vendosin në çdo klasë poster për ndalimin e telefonit celular; të sigurojnë nënshkrimin e deklaratës së përbashkët të mësuesit të klasës me prindin ose kujdestarin ligjor, për ndalimin e marrjes së telefonit celular në mjediset e shkollës nga nxënësit; të marrin masa për të vënë në dispozicion numër telefoni të veçantë për komunikim me prindërit e nxënësve dhe t’ia bëjnë me dije prindit deklaratën e përbashkët.

Ato duhet të raportojnë me shkrim pranë institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, për masat e marra ndaj mësuesit, në rast të përdorimit të telefonit celular gjatë procesit mësimor. Institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar duhet të monitorojnë masat e marra nga institucionet arsimore për ndalimin e telefonit celular nga nxënësit dhe mësuesit, në mjediset shkollore, si dhe të depozitojnë pranë Policisë së Shtetit telefonat celular të sekuestruar nga shkollat.”

Është urdhri më i fundit i firmosur nga ministret e arsimit dhe të financave, për “Ndalimin e telefonit celular në institucionet arsimore parauniversitare”.

Liberale Newsroom

Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH