Aktorja Tinka Kurti feston sot 90 vjetorin e lindjes së saj. Tinka Kurti ka lindur më 17 dhjetor 1932 në Sarajevë të Bosnjës, nga një baba shqiptar me origjinë nga Dukagjini i Shkodrës dhe nga një nënë hungareze.
Megjithëse ka lindur në Sarajevë, ajo është shprehur se: “Unë jam aktore e Shkodrës. Atje kam dashurinë e dhimbjen, mallin dhe pengjet e mia”.
Që nga viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku interpretoi rreth 120 role. Veçanërisht e suksesshme në rolet e forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi.
Kurti ka interpretuar edhe në kinema, në rreth 35 filma artistikë, duke filluar me filmin e parë shqiptar të metrazhit të gjatë, “Tana”, më 1958.
Në 1994 ajo hyri në Enciklopedinë e Institutit Biografik Amerikan si një nga 5,000 gratë më të shquara në botë dhe madje më 17 Dhjetor 2007 ajo u ftua në Uashington (SHBA) për të vendosur një pllakë mermeri me emrin e saj në këtë Institut.
Tinka për karrierën e saj artistike është vlerësuar me Çmime dhe Tituj të tjerë si Artiste e Merituar & Artiste e Popullit 1961, me urdhrin “Grand Master” i akorduar nga Presidenti i Republikës për veprimtarinë e saj artistike. Emrin e Tinka Kurtit e mban edhe një shkollë në fshatin Lekbibaj në Shqipëri.