Letërsi

“Mbresa Parisiane”, një “guidë” shpirtërore e Parisit

Shkruar nga Liberale

Kolana UETPress - 15 vjet

Autor: Luan Rama

Titulli: Mbresa parisiane

Miranda Shehu-Xhilaga

Po lexoja diçka në lidhje me profesionin tim një ditë të zakonshme pune, kur papritur kolegu im, që sapo ishte kthyer nga pushimet, fut kokën në derë dhe më pyet: – Ty të pëlqen Parisi apo jo Miranda? Ngrita sytë dhe duke kuptuar që biseda ishte sjellë rreth Parisit mes kolegësh për disa minuta dhe buzëqeshur ia ktheva me pyetje: – Po ty? – Ah, sikur të mund të shkoja dy herë në vit! Nuk do t’i shmangesha aspak udhëtimit prej 22 orësh, – ma ktheu ai.

John jeton në periferi të Melburnit. Ai është një burrë i gjatë e i bëshëm, i thjeshtë e krenar, në të pesëdhjetat, me dy fëmijë dhe flet me një dialekt të rëndë vendas. Australia ka magjinë e vet, Melburni është një nga qytetet më të bukura metropolitane të botës por, natyrisht, John ka rënë në dashuri me Parisin!

E kush nuk e vizitoi Parisin e nuk u dashurua me të! Në librin e tij Paris gjer në Hënë, autori amerikan, Adam Gopnick, do të shkruante: “Kam dashur të jetoj në Paris që kur isha 8 vjeç. Kisha shumë imazhe të atij qyteti në kokë dhe bile edhe një objekt që më vonë u bë një ikonë e dhomës sime …”. Fjalë që mund t’i kishte shkruar secili prej nesh. I kishim të gjithë në kokë imazhet e qytetit të dritave, të urave, të autorëve tanë të zemrës e të dashurisë. Si Gopnik, edhe unë kisha një objekt të thjeshtë në një nga sirtarët e komodinës së vjetër: një kartolinë që kishte udhëtuar nga Parisi në Peshkopi në vitin 1976. Mbartte vlerën e një thesari të vërtetë, një shkëndijë që ndezi ëndrrën.

Historia ime e dashurisë me Parisin ka filluar herët, që në ditët kur mësonim frëngjisht në qytetin e vogël verior. Orët tona të mësimit ishin kthyer tashmë në leksione magjepsëse rreth një qyteti për të cilin kishim lexuar vetëm në libra. Përpinim me sy çdo fjalë që dilte nga goja e mësuesit tonë të ri dhe imagjinonim sikur ishim atje. Do ta vizitoja Parisin për herë të parë në fillim të vitit 1993, gjatë kohës që ndiqja studimet pasuniversitare në jug të Francës. Pas tetë orësh rrugë me makinë e mbajta frymën aty ku e mbajnë të gjithë turistët e huaj që shkojnë në Paris për herë të parë; në vendin ku të gjithë bëjnë një foto. E vetmja pyetje është të ngjitesh lart në kullë apo ta bësh foton në këmbët e saj. Të dyja? Sigurisht! Për tetë orë të tëra (sepse koha ishte e paktë) iu rashë pash më pash atyre rrugëve duke vizituar sigurisht Louvre, të parin muze në listën time të gjatë. Më pezmatoi fakti që nuk bëja dot asnjë foto, nuk lejohej (kisha një aparat që ma kishte dërguar motra ime Lida, nga Gjermania), megjithatë kjo nuk ma uli dozën e ngazëllimit që provova. Por është interesant fakti që isha aty, aq pranë gjithçkaje, e akoma nuk më besohej se këmbët e mia ecnin në rrugët e atij qyteti. Ecja në ajër! Dhe në atë çast kuptova përse vizitorë nga e gjithë bota thonë se kanë një marrëdhënie dashurie me qytetin.

Do ta vizitoja përsëri Parisin pesë vjet më vonë, rrugës nga Melburni për në Tiranë. Me mikeshën time të ngushtë Blertën do të shkonim përsëri në Louvre, do të shëtisnim në Champs Elysées; do të shkonim në Musée d’Orsay, do t’u binim gjerë e gjatë rrugëve të Montparnasse e do të provonim të gjitha delikatesat e kuzhinës franceze. Dhjetë vjet më vonë do të punoja për disa muaj në Institut de Biologie Moléculaire et Cellulaire  në Strasburg e do ta vizitoja përsëri, pothuajse çdo vit, këtë qytet të ëndrrave e dëshirave, artit e kulturës, sharmit të pashoq.

Por ç’bën një turist në Paris pasi ka vizituar Tour Eiffel, Arc de Triomphe, Musée de Louvre, Notre-Dame de Paris, Moulin Rouge, Jardins de Tuileries, Jardin de Luxemburg, Musée Rodin e të tjera, që ka bërë një shëtitje në Champs Elysées e një foto te Harku i Triumfit? Ato që në anglisht quhen landmarks nuk janë veçse “fiziku” i këtij qyteti, kostumi i tij prej cohe të shtrenjtë; ajo çka gjendet nën këtë kostum është një thesar për mendjen e shpirtin, kënaqësinë e syrit e të zemrës, Parisi i vërtetë i kulturës e artit që të sjell përsëri e përsëri aty. Sa më shumë e viziton, aq më shumë dëshiron t’i rikthehesh, e befas kupton se një dëshirë e zjarrtë të digjet në gji: të jesh pjesë e këtij qyteti. Magjia ka ndodhur tashmë. E kur kjo ndodh, si në çdo marrëdhënie, fillon të mendosh për mundësi të tjera për t’u “takuar”, gërmon më thellë në jetën e tij, rrekesh të njihesh më nga afër me të. Rrugët mbajnë emrat e autorëve të zemrës së ditëve të rinisë, në varrezat e famshme prehen titanët e letrave, mendimit e pikturës, (vetëm në Paris ndodh të shkosh për një vizitë në varreza e të ngazëllehesh!). Kafenetë gëlojnë nga zërat e piktorëve më të mëdhenj të kohërave, ata janë aty, pas paletave të tyre varur në mure si relikte të shtrenjta.

Pothuajse çdo gjë është e mundur këtu … Hireve të këtij qyteti iu kanë kënduar të gjithë poetët e botës. Mund të qëndrosh me javë e muaj të tërë aty e çdo ditë të zbulosh diçka të re. Një “bonus” i shtuar është se në Paris jeton një komunitet i shkëlqyer shqiptarësh e mes tyre ca nga miqtë mi më të mirë, të rinj e të vjetër. Është mëkat të vij në Paris e të mos pi një kafe a një gotë verë me Luanin dhe Anilën, të rigjendemi me Aurorën, të qesh me zë me Lirinë në një restorant të vogël në një qoshe jo larg Invalides, të vizitoj Blertën, Aleksandrin e djemtë, e të pi një kafe gourmande me Fulvian.

Atë natë të 28 marsit të vitit 2017 do të merrja pjesë në mbrëmjen e organizuar enkas për diskutimet rreth librit “Zotërit kishin të drejtë” të Leon Rey, ku do të takoja Luanin, djalin e vajzën e arkeologut Rey, Geraldine e Jean-Gabriel, dhe do të takoja Etlevën, Anilën e më pas Axelin. Të nesërmen, do të kisha fatin të ecja nëpër rrugicat më të bukura të Parisit për pak kohë me Luanin e të dëgjoja nga goja e tij histori të shumta të poetëve e artistëve më të mëdhenj të kohës, që njëherë e një kohë e thërrisnin këtë qytet “shtëpi”. Ata aty i kishin mbyllur sytë. Ai i njeh këto rrugë përmendësh, i di historitë e këtyre rrugicave e banorëve të tyre të talentuar me detaje dhe ti e ndjek tek flet me atë zë të qetë, e thua me vete: si ka mundësi që truri i njeriut të mund të strehojë kaq shumë njohuri. Një kujtesë e hekurt!

Nga bulevardi Saint Germain vazhdojmë në Rue de Seine e pastaj në Rue des Beaux Arts. Nga La Palette te hotel d’Alsace ose L’Hotel, siç njihet sot, ku kanë jetuar Oscar Wilde dhe Jorge Luis Borges. – Oscar Wilde ka vdekur aty, – thotë Luani, – i pamundur të paguajë edhe dhomën e tij. Kur vinte në Paris, Borges rrinte vetëm këtu. Hyjmë në holl, ku ai më tregon arkitekturën interesante të këtij hoteli. Personeli i hotelit është mësuar me vizitorët që kalojnë aty pari e fusin kokën të shuajnë kërshërinë. Kafenë e pimë në Café Procope, që gjendet në rrugën e Komedisë së vjetër, kafeneja më e vjetër e Parisit dhe e botës, vend ku takoheshin disa nga filozofët e krijuesit më të mëdhenj të kohës. “Edhe Benjamin Franklin e ka frekuentuar këtë kafe”, më thotë Luani.

Rrugës për te Jardins des Tuileries apo Kopshtet e Mbretëreshës, Luani do të më tregonte për fundin e tmerrshëm të Voltaire dhe ndërtesën në të cilën ka vdekur, sesi kisha katolike nuk pranoi ta varroste dhe sesi do të duhej ta vishnin me kostum e ta ulnin në një karrocë si të ishte i gjallë për ta transportuar fshehurazi larg, në një kishë fshati, ku do të kalonte momentet e fundit para varrimit. Jardins des Tuileries janë zbukuruar me skulpturat e artistit Aristide Maillol, me hiret e modeles së tij besnike, Dina, mikja e ngushtë që e shoqëroi gjatë viteve të fundit të jetës së tij; një mrekulli për syrin e shpirtin. Plot 4 orë e 6 km në këmbë! Edhe një ushtrim fizik i këndshëm për trupin!

Kur vij në Paris, qëndroj gjithnjë në një nga hotelet sharmante të Montparnasse, në mënyrë që të jem afër këtyre relikteve të famshme që jo vetëm i kanë qëndruar kohës, por janë bërë pikëtakimet e dashamirësve parisianë në të gjithë botën. Këtë vit, bëra përsëri turistin e mirëfilltë me motrat e mia Lidën dhe Edën, dhe pastaj vizitova shtëpinë muze të Bourdelle në 18 Rue Antoine Bourdelle, në Parisin XV, si dhe varret e Charles Baudelaire apo Jean Paul Sartre et Simone De Beauvoir. Si grua që jam, gjeta gjithashtu pak kohë të vizitoj Le Grand Musée du Parfum në Rue du Faubourg Saint-Honoré, një mrekulli arkitekturale e shekullit XIX, një eksperiencë e veçantë për shqisën e nuhatjes e shpirtin, një udhëtim interesant përmes historisë e shkencës së krijimit të parfumeve. Preludi i kësaj vizite ishte mbrëmja e mrekullueshme poetike mes miqsh organizuar nga mikesha ime e vjetër Liri. Lili, siç e thërras unë, lexoi edhe një nga poezitë e mia atë natë, një poezi e shkurtër, të cilën e kisha shkruar mëngjesin e ditës së parë që u gdhiva në Paris; një mbrëmje që do të mbetet përgjithnjë një kujtim i bukur në kujtesën time, mes vizitave të mia të kaluara e të ardhshme në qytetin tim të zemrës.

Në të vërtetë, udhëtimi im i fundit në Paris nuk ishte ky që sapo përmenda më lart, por ai të cilin ndërmora kur po lexoja Mbresa parisiane. Ç’dhuratë e vyer për mua; nga një “e dashuruar” me qytetin te tjetri.

Nëse doni të dini për marrëdhëniet e këtij qyteti me njerëzit, kujtimet, baret e famshme madje edhe jetën seksuale, mund të lexoni Brenda një perle, Shëtitësi apo Parisi ynë, skica kujtimesh të autorit amerikan Edmund White. Nëse dëshironi të zbuloni marrëdhëniet e këtij qyteti me kulinarinë, lexoni Jeta e ëmbël në Paris e David Lebovitz (një nga kuzhinierët më të famshëm, bloger e autor që jeton në Parisin 11), e nëse doni të dini për jetën e përditshme të borgjezisë parisiane drejtohuni te Paris gjer në Hënë, të Adam Gopnik (më 1995-n, The New Yorker e dërgoi atë me punë në Paris të shkruante për Paris Journal. Pas kthimit në New York ai do t’i përmblidhte shkrimet e tij rreth jetës në këtë qytet të botës dhe libri i tij do të ishte bestselleri i vitit).

Por nëse doni të zhyteni në pasurinë e vërtetë të këtij qyteti, atë çka ai i ofron shpirtit njerëzor, të ecni në kthinat e qoshet e tij, të përjetoni historinë e marrëdhëniet e tij me figurat letraro-artistike të dy shekujve, si dhe ku kanë lindur disa nga veprat me të lexuara e të cituara në botë, ku kanë lindur e vdekur titanët e mendimit filozofik francez e më gjerë, atëherë merrni në duar “Mbresa parisiane”. Është një histori dashurie, një ftesë, një grishje, e cila përmes detajesh marramendëse, forcës, thellësisë e saktësisë së fjalës, përcjell disa nga faktet më të rëndësishme artistike, letrare e kulturore të kohës, copëza të artit e kulturës që gjallon e rreh në zemrën e këtij qyteti. Është një “guidë” kulturore e historike, një shëtitje e këndshme, një gosti e bollshme të marra së bashku, servirur me përkushtim e finesë, ashtu siç di vetëm Luan Rama.

Ky publikim i vyer e i denjë për çdo bibliotekë, iu bashkëngjitet Përballë tablosë dhe Parisi letrar të këtij autori, duke formuar kështu një trilogji të përkorë, në gjuhën tonë të bukur. Bon Appetit!

Një shqiptar në Paris

Të shkruash mbresa për Parisin është sa e thjeshtë aq dhe e vështirë, pasi vështirësia qëndron në morinë e panumërt të historive, fakteve dhe ngjarjeve që të tregon ky qytet i ngritur mbi të dyja anët e Senës; e thjeshtë, pasi çdo fakt përmban në vetvete një emocion të veçantë dhe me peshë artistike apo historike. Të jetosh rreth çerekshekulli në Paris, të njohësh nga afër parisianët, të bredhësh në rrugët dhe sheshet e tij, të kapërcesh urat, të shohësh vendet ku janë zhvilluar ngjarjet e mëdha, padyshim që më kanë mbarsur me ngjarje dhe duke qenë shqiptar, kam ngulmuar së pari të veçoj ato vende e ngjarje të këtij qyteti që kanë të bëjnë me shqiptarët dhe historitë shqiptare, shqiptarët që nga koha e stratiotëve të famshëm, të cilët që nga Luftërat e Italisë erdhën më pas për t’iu shërbyer mbretërve të Francës. Një histori emigracioni që shekuj më pas, vazhdon me personazhe si Faik Konica, në kapërcyellin e shekullit XIX drejt shekullit XX, apo me shqiptarët e parë të ardhur para dhe pas Luftës së Parë Botërore apo La Grande Guerre. Itinerar që përvijon pastaj me emigracionin ekonomik, shqiptarët e minierave të Pikardisë apo të pellgut të Loire-s etj., vitet ’30 me emigracionin e majtë politik apo nacionalist e antimonarkist, shqiptarët e Liceut francez të Korçës në universitetet parisiane, kafenetë e ndryshme të shqiptarëve, shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore, pas luftës e më pas, duke vijuar deri në ditët tona, çka e kanë lidhur emrin e këtij qyteti, kryeqytet i Francës dhe metropol i kulturës europiane, me jetën tonë, me botën tonë shpirtërore, aq më tepër me ne që tashmë jemi banorë të këtij qyteti.

Në vitet ’60, Heminguej botoi librin e tij Parisi, një festë e pambarimtë, duke na kujtuar epokën e artë të amerikanëve në Paris në vitet 1920 – 1930, me Fitzgerald, Dos Pasos, Gertrude Stein apo Ezra Paund etj., me “Brezin e humbur” siç e kishte quajtur Stein, ku padyshim, dritat e kësaj feste i përjetojmë dhe ne, pasi gjithçka të rrëmben në këtë qytet, jo thjesht bukuria dhe arkitektura e tij, por së pari njerëzit e tij, historia e përjetuar dhe e shkruar, të cilën mund ta lexosh edhe thjesht në disa tabela metalike, të cilat të flasin për vende e ngjarje, duke na shpalosur kështu një historik të shkurtër të këtij qyteti. Duke lexuar librin e Guillaume Apollinaire, Bredharaku i dy brigjeve, njoha historinë dhe miqësinë e tij me poetin arvanitas Jean Moreas, themeluesin e simbolizmit francez dhe mik i afërt me poetin Paul Verlaine; njoha vendet ku ai kishte banuar, kafenetë ku takohej me anglezin Oscar Wilde, amerikanin Stuart dhe poetët e tjerë “parnasianë”.

Në vitet ’70 kisha parë për herë të parë fotot e kullës Eiffel, kohë kur Parisi ishte ende metropoli i kulturës dhe artit në Europë, kohë kur shikoja me endje albumet e para të impresionistëve, postimpresionistëve, kubistëve, fovistëve etj., ku arti i një Degas, Modigliani, Chagall, Picasso, Kandinsky, e shumë të tjerë na shfaqte shkëlqimet e një arti që na pushtonte me një gëzim të habitshëm. Kur rasti e solli të vija si diplomat në Paris në vitin 1991 dhe kur çdo ditë më duhej të shkoja në këmbë drejt ambasadës shqiptare në Rue de la Pompe, pra të kaloja nga Champs de Mars dhe poshtë këmbëve të kullës Eiffel, të kapërceja urën mbi Senë dhe të ngjitesha për në Place Trocadero, e tërë kjo më dukej si një ëndërr. Ditët e para i thosha vetes se si ishte e mundur diçka e tillë, por shpejt u mësova dhe gjërat u bënë të natyrshme. Kështu, nëpër vite, unë u enda nëpër gjymtyrët e këtij qyteti, përjetova stinët e tij dhe çdo herë zbuloja diçka të re, pasi magjia e tij nuk të shfaqet njëherësh. Duhet të shkosh drejt tij, nganjëherë të kërkosh, pasi çdo shesh, çdo fragment rruge, çdo ndërtesë e vjetër ka një ngjarje, ka jetën e një banori jo të zakontë, të një poeti, artisti, njeriu të shkencës apo të filozofisë, të një politikani dhe luftëtari të lirisë.

…Parisi është një histori, një roman, është një lloj palimpsesti, në të cilin mund të gjesh kronika antike, rrëfime të vjetra, këngë bardësh anonimë, fate njerëzore, dashuri fatale, luftëra e rrethime, mure të vjetër e gjysmë të rrënuar tashmë, procesione, emra klerikësh të mëdhenj e prostitutash, jetë dhe vdekje poetësh. Një palimpsest ku shpesh kohët ngatërrohen, pasi nga dorëshkrimi në dorëshkrim emrat e gjenive, në shekuj e me gjenerata të ndryshme pikëtakohen në sheshet dhe kryqëzimet e historisë, në rrugët e këtij qyteti të “Lumière”-ve, pasi ata kërkuan gjithnjë dritën, jo atë natyrale, të diellit, por dritën e shpirtit./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH