Elon Musk është përzgjedhur si personazhi i vitit nga revista “Time” në SHBA. Personazhi i Vitit është një çmim që jepet mbi ndikimin që ka një person dhe të paktë kanë qenë ata që kanë pasur ndikimin e Musk në botë, si dhe përtej saj.
Elon Musk, me kompaninë e tij SpaceX, nisi për herë të parë një mision në orbitën e Tokës me një ekuipazh vetëm prej turistësh pa asnjë astronaut profesionist. Kompania e tij Tesla ka shënuar një rritje rekord në aksionet e saj dhe këtë vit ai u shpall si njeriu më i pasur në botë.
Ndikimi i Musk nuk është vetëm në biznes, por edhe në median sociale, ku me postimet e tij ka frymëzuar dhe ndikuar miliona njerëz në vendimmarrjet e tyre mbi investimet në kriptomonedha. Në rrëfimin e tij ai u shpreh për besimin që ka në të ardhmen e makinave të tij “Tesla” dhe se dëshiron që edhe kompani të tjera të kenë sukses me makinat e tyre elektrike.