Zëvendës kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç, ka mbërritur në kryeqytetin shqiptar. Agjenda e tij nis në mëngjes me një takim me kryeministrin Rama dhe më pas me presidentin Meta.
Në agjendën e tij është parashikuar një vizitë në parlament si dhe takime me ministrin e Brendshëm Blendi Çuçi dhe ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj. Më pas është parashikuar një takim me liderin e opozitës Lulzim Basha. Pasdite, Abazoviç do të udhëtojë drejt Durrësit, ku do të takohet me përfaqësues të komunitetit të Ulqinit.
Po ashtu, ai është i ftuar nga Departamenti i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës, për të zhvilluar një takim me studentët e ekselencës me temë, ku do të diskutohet mbi sfidat e Malit të Zi për modernizimin e shtetit.
Dritan Abazoviç është kryetari i partisë URA që fitoi 4 mandate në zgjedhjet e fundit parlamentare të Malit të Zi, duke u kthyer në një faktor të rëndësishëm në formimin e qeverisë së re.